BE: Partnerët e Ballkanit Perëndimor tu tregojnë qartë qytetarëve se kanë vlera evropiane dhe mbështetjen tonë

Udhëheqësit e BE-së dhe të shteteve të tij anëtare, në deklaratën e publikuar pas përfundimit të Samitit BE-Ballkani Perëndimor që u mbajt në dhjetor 2023, përveç ndihmës së ofruar për Ballkanin Perëndimor, adresuan edhe kritika sa i përket reformave të brendshme dhe informimin e pamjaftueshëm të qytetarëve për mbështetjen e ofruar nga BE-ja. “Shkalla dhe gama e jashtëzakonshme e kësaj mbështetjeje duhet të bëhen më të dukshme dhe të pasqyrohen në mënyrë dinamike nga partnerët në debatin dhe komunikimin e tyre publik, në mënyrë që qytetarët të mund të vlerësojnë përfitimet konkrete të partneritetit me BE-në. Partnerët duhet gjithashtu të kenë komunikim të qartë për angazhimin e tyre ndaj vlerave të BE-së dhe ndaj reformave të nevojshme”, thuhet në njërën prej pikave të Deklaratës së Brukselit pas përfundimit të Samitit, shkruan Portalb.mk.

Me këtë rast nuk ka munguar edhe theksimi i mbështetjes së vazhdueshme të BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor.

Në vijim po ua sjellim në detaje kritikat që liderët e BE-së ua adresuan partnerëve të tyre nga Ballkani Perëndimor.

BE-ja kërkon përshpejtimin e procesit të anëtarësimit, duke u bazuar te reformat e besueshme nga partnerët, te kushtëzimet e drejta dhe të rrepta dhe te parimi i meritës së secilit, gjë që është në interesin tonë të ndërsjellë.

BE-ja nënvizon nevojën për arritjen e reformave të qëndrueshme dhe të pakthyeshme për shtetin e së drejtës, për funksionimin e institucioneve demokratike, ekonominë dhe reformën në administratën publike. Bashkimi Evropian nënvizon nevojën për përpjekje të qëndrueshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për rritjen e mbështetjes për qeverisjen e mirë, të drejtat e njeriut, barazinë gjinore dhe për të drejtat e personave që u përkasin pakicave. Besueshmëria e këtyre angazhimeve varet nga zbatimi kuptimplotë i reformave të nevojshme dhe nga ndërtimi i një historiku të qëndrueshëm i mbështetur në komunikimin publik të qartë dhe konsekuent në interes të popullit të tyre. Një shoqëri civile e fuqizuar dhe mediet e pavarura dhe pluraliste, në respekt të plotë të lirisë së shprehjes, janë përbërës vendimtarë të çdo sistemi demokratik.

BE thekson rëndësinë e përmirësimit të zbatimit të masave shtrënguese dhe parandalimin e anashkalimit të përafrimit plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së (PPJS).

BE-ja mbetet partneri më i afërt, investitori dhe partneri tregtar kryesor si dhe donatori parësor i rajonit. Shkalla dhe gama e jashtëzakonshme e kësaj mbështetjeje duhet të bëhen më të dukshme dhe të pasqyrohen në mënyrë dinamike nga partnerët në debatin dhe komunikimin e tyre publik, në mënyrë që qytetarët të mund të vlerësojnë përfitimet konkrete të partneritetit me BE-në. Partnerët duhet gjithashtu të kenë komunikim të qartë për angazhimin e tyre ndaj vlerave të BE-së dhe ndaj reformave të nevojshme.

BE-ja thekson nevojën për angazhimin e partnerëve të Ballkanit Perëndimor në bashkëpunimin rajonal gjithëpërfshirës dhe në forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, edhe me Shtetet Anëtare të BE-së. Vazhdon të jetë i rëndësishëm zbatimi në mirëbesim dhe me rezultate të prekshme i marrëveshjeve dypalëshe, duke përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Traktatin për Miqësinë, Fqinjësinë e Mirë e Bashkëpunimin me Bullgarinë. Kërkohen ende përpjekje të mëtejshme vendimtare për të nxitur pajtimin dhe stabilitetin rajonal si dhe për të gjetur dhe zbatuar zgjidhje përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe detyruese për mosmarrëveshjet dypalëshe dhe rajonale midis partnerëve si dhe për çështjet që i kanë rrënjët në trashëgiminë e së shkuarës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e vendosura, duke përfshirë Marrëveshjen për Çështjet e Trashëgimisë, rastet e mbetura të personave të zhdukur dhe çështjet e krimeve të luftës. BE-ja u bën gjithashtu thirrje partnerëve të garantojnë të drejtat dhe trajtimin e barabartë të personave që u përkasin pakicave.

BE-ja nënvizon rëndësinë e përdorimit të plotë të potencialit të instrumenteve ligjore ekzistuese. Duke u mbështetur në metodologjinë e rishikuar, BE-ja rikujton ftesën e Këshillit Evropian për të çuar përpara integrimin gradual të rajonit tashmë gjatë vetë procesit të zgjerimit në një mënyrë të kthyeshme dhe sipas meritës.

Në këtë kontekst, Komunikimi i fundit i Komisionit për Planin e ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor synon të përshpejtojë konvergjencën shoqërore dhe ekonomike ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe BE-së dhe nxit rajonin të shpejtojë ritmin e reformave që lidhen me BE-në dhe të bëjë përparim në integrimin ekonomik rajonal me anë të Tregut të Përbashkët Rajonal (TPR), i bazuar në rregullat dhe standardet e BE-së.

BE-ja inkurajon partnerët e tjerë të Ballkanit Perëndimor të ratifikojnë me shpejtësi Marrëveshjen ekatërt të lëvizshmërisë për “Njohjen e Ndërsjellë të Kualifikimeve Profesionale për Infermierët, Kirurgët Veterinarë, Farmacistët dhe Mamitë” të nënshkruara gjatë Samitit për Procesin e Berlinit të mbajtur në tetor të vitit 2023 në mënyrë që qytetarët të mund të përfitojnë prej tyre sa më shpejt të jetë e mundur.

Transporti dhe lidhshmëria janë thelbësorë për zhvillimin ekonomik. Në këtë aspekt, BE-ja inkurajon partnerët të vazhdojnë në mënyrë ambicioze me reformat që nevojiten.

BE-ja rikujton edhe mbështetjen e saj të vazhdueshme për reformimin dhe ndërtimin e kapaciteteve të administratave publike në Ballkanin Perëndimor, mbështetje e dhënë veçanërisht përmes granteve, binjakëzimeve si dhe përmes Shkollës Rajonale të Administratës Publike (ReSPA).

BE-ja do të vazhdojë mbështetjen e saj për partnerët e Ballkanit Perëndimor në trajtimin e efekteve negative në ekonomitë dhe shoqëritë e tyre, konkretisht nëpërmjet Paketës Mbështetëse të BE-së për Energjinë, me vlerë 1 miliard euro në grante të cilat mund të sjellin 2,5 miliardë euro në investime. 90% (450 milionë euro) e gjysmës së parë të paketës, për të amortizuar rritjen e çmimit të energjisë për Ndërmarrjet e Mesme dhe të Vogla dhe për ekonomitë familjare të cenueshme, janë lëvruar tashmë. Pjesa e mbetur prej 500 milionë euro në grante jepet nga BE-ja nëpërmjet Kuadrit të Investimeve të Ballkanit Perëndimor (KIBP) për të ecur përpara me tranzicionin energjetik dhe pavarësinë energjetike, për të mbështetur projektet e energjisë së përtëritshme, për të financuar përmirësimet në infrastrukturën dhe interkonektorët e energjisë, duke përfshirë GNL-në, për të përmirësuar
sistemet e transmetimit të energjisë, ngrohjen urbane dhe për të rritur efiçencën e energjisë së infrastrukturave private dhe publike në Ballkanin Perëndimor.

Zbatimi i vazhdueshëm i Planit Ekonomik dhe të Investimit (PEI) dhe i Agjendave të Gjelbra dhe Digjitale për Ballkanin Perëndimor do të ndihmojë në forcimin e ekonomisë dhe rezistencës së rajonit, duke përfshirë mbështetjen e mëtejshme për lidhshmëri rezistente dhe të sigurt, tranzicion të energjisë dhe larmi të furnizimit me energji. Mbështetja e dhënë nëpërmjet PEI-së përmban 9 miliardë euro në financim grantesh nga IPA III dhe deri në 20 miliardë euro në investime për periudhën 2021-2027 dhe është në fazë të avancuar zbatimi. Nga thuajse 30 miliardë euro të paketës së investimeve për rajonin, deri tani janë mobilizuar 16,6 miliardë euro. Në këtë kontekst, partnerët e Ballkanit Perëndimor duhet gjithashtu të forcojnë shtetin e së drejtës dhe të ndërmarrin me vendosmëri reformat ekonomike dhe shoqërore, duke përfshirë edhe ato që janë të parashikuara në Programet e tyre të Reformave Ekonomike dhe në përfundimet e përbashkëta për dialogun ekonomik dhe financiar. Përforcimi i sigurisë dhe ndërtimi i qëndresës

BE-ja do të vazhdojë të mbështetë Ballkanin Perëndimor në luftën kundër manipulimit dhe ndërhyrjes së informacionit të huaj (FIMI), duke përfshirë dezinformimin si dhe kërcënime të tjera hibride që synojnë të minojnë stabilitetin, proceset demokratike dhe perspektivën evropiane të rajonit.

Ne do të vazhdojmë të rritim sigurinë tonë kibernetike kolektive në bashkëpunim me Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë mbështetjen e bashkërenduar operacionale dhe teknike dhe nëpërmjet përfshirjes së rajonit në mekanizmat e sigurisë kibernetike të BE-së. Përpjekjet tona të përbashkëta të përforcuara mbështeten në programet ekzistuese dhe në bashkëpunimin me Agjencinë e BE-së për Sigurinë Kibernetike (ENISA) dhe me Kolegjin Evropian të Sigurisë dhe Mbrojtjes, të kombinuara me nismat dypalëshe të Shteteve Anëtare të BE-së dhe partnerëve të tjerë.

Menaxhimi i migracionit mbetet një sfidë dhe përgjegjësi kryesore e përbashkët. Ne njohim progresin e bërë për zbatimin e Planit të Veprimit të BE-së për Ballkanin Perëndimor, i prezantuar në dhjetor 2022. Megjithatë, rruga është ende tejet aktive me shifra të larta të kalimeve të parregullta të kufirit të pikasura. Në këtë aspekt, partnerët e Ballkanit Perëndimor ftohen të forcojnë përfshirjen e tyre në Platformën Shumëdisplinore Evropiane Kundër Kërcënimeve Kriminale (EMPACT), instrumenti kryesor i BE-së për të luftuar krimet e rënda dhe krimin e organizuar.

BE-ja kërkon të forcohet më shumë bashkëpunimi në fushën e antiterrorizmit dhe kundër ekstremizmit të dhunshëm në të gjitha format e tij, duke përfshirë parandalimin e radikalizimit dhe të financimit të terrorizmit. BE-ja përsërit rëndësinë e marrjes së veprimeve të prera për të trajtuar krimet e rënda dhe krimin e organizuar, sidomos pastrimin e parasë, korrupsionin në nivel të lartë, kultivimin, prodhimin dhe trafikimin e drogës, nëpërmjet bashkëpunimit të rritur midis agjencive ligjzbatuese dhe doganave, bashkëpunim i ndihmuar nga EMPACT-i.

BE-ja vazhdon të inkurajojë partnerët në Ballkanin Perëndimor të krijojnë dhe mbajnë marrëdhënie bashkëpunimi me Zyrën Evropiane të Prokurorëve Publikë (EPPO) në fushën e ndihmës së ndërsjellë juridike në çështjet penale.

Kujtojmë se Bashkimi Evropian përgatiti një plan rritjeje prej 6 miliardë eurosh për të përafruar ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor me ato evropiane.

Komisioni Evropian njoftoi propozimin e planit të ri të rritjes për Ballkanin Perëndimor që ka për qëllimin stimulimin e rritjes ekonomike dhe të përshpejtojë përafrimin socio-ekonomik.

Sipas planit të përgatitur me qëllimin për të përshpejtuar procesin e zgjerimit dhe për të mbështetur reformat dhe investimet që do stimulojnë rritjen ekonomike, do të krijohet një fond i ri i Reformës dhe Rritjes prej 6 miliard eurosh për Ballkanin Perëndimor për periudhën 2024-2027.

Nga këto, 2 miliardë euro do të përbëhen nga grantet dhe 4 miliardë euro nga kredi të privilegjuara.

Me këtë burim, do të synohet përputhshmëria e Ballkanit Perëndimor me Tregun e Vetëm dhe rritja e integrimit ekonomik.

Në plan, fushat prioritare do të jenë lëvizja e lirë e produkteve, shërbimeve dhe punëtorëve, qasja në zonën Evropiane të pagesave, lehtësimi i transportit rrugor, integrimi i tregjeve të energjisë dhe zinxhirëve të furnizimit.

Përmes Tregut të Përbashkët Rajonal të bazuar në rregullat dhe standardet e BE-së, do të zgjerohet më tej integrimi ekonomik në Ballkanin Perëndimor.

Në mënyrë që propozimi në fjalë të hyjë në fuqi, është e nevojshme që kjo të miratohet nga Parlamenti Evropian (PE) dhe vendet anëtare.