BE dhe Ballkani: Drejt një të ardhmeje të përbashkët ose të ndarë

Bashkimi Evropian (BE) ende nuk ka vendosur së çfarë do të bëjë me shtetet e Ballkanit dhe Ukrainën. Në dhjetor, Këshilli i Evropës duhet të marrë përfundimisht një vendim nëse do t’i hapë bisedimet me Kievin. Zyrtarë të BE-ja si gjithnjë kanë deklaruar se janë të gatshëm të pranojë anëtarë nga të gjitha shtetet e ish –bllokut komunist që i plotësojnë kriteret e përcaktuara nga Këshilli Evropian në vitin 1993. Që nga 1993-ta, BE-ja ka synuar stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik në Ballkanin Perëndimor.

Në disa faza ajo ka dështuar të përcjellë mesazhin e fortë me sanksione ndaj qeverive që nuk i kanë plotësuar kriteret dhe kërkesat e unionit. Në vitin 1999, BE-ja nisi “Procesin e Stabilizim Asociimit” (SAP), dhe “Paktin e Stabilitetit” atëherë në krye me Bodo Hombah. “Pakti i Stabilitetit” për Ballkanin Perëndimorë u zëvendësua në vitin 2008 nga “Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal” (RCC).

Në vitin 2023 Këshilli Evropian në Selanik ritheksoi qëndrimin se “të gjitha vendet që janë në “Procesin e Stabilizimit dhe Asociimit” janë kandidatë të mundshëm për anëtarësim në BE”. Më tej BE-ja e riafirmoi përsëri këtë qëndrim në strategjinë e Komisionit Evropian në shkurt të vitit 2018 për Ballkanin Perëndimorë. BE-ja ka disa instrumente për të integruar shtetet e Ballkanit në union duke filluar nga bashkëpunimi rajonal, procesi i anëtarësimit, “Procesi i Stabilizim Asociimit” dhe udhëtimi pa viza. Disa shtete të rajonit këto nisma i kanë shfrytëzuar mirë, e disa ende janë në proces.

Tensionet e fundit në veri të Kosovës dhe lufta afro dy vjeçare në Ukrainë e kanë bërë BE-në më të ndërgjegjshme që të mbajë zotimet. Presidentja e Komisionit Evropian Urlsa von der Leyen gjatë vizitës së tetorit në Ballkan bëri thirrje që të “gjitha shtetet të largohen nga konfrontimi dhe të marrin masa për të rivendosur qetësinë”. Ajo gjithashtu prezantoi një plan të ri të rritjes ekonomike për Ballkanin Perëndimorë që synon të ndërtohet mbi përparimin e arritur deri më sot.

Njëkohësisht shtetet e rajonit për të pasur qasje në “Tregun Unik ” duhet të bëjnë reforma serioze. Plani i propozuar i rritjes mbështetet në katër shtylla. Së pari, plani i BE-së synon të afrojë Ballkanin Perëndimor me “Tregun Unik” të BE-së, duke i lejuar WB-6 të bashkohen me “Tregun Unik Dgjital” në fusha të tilla si tregtia elektronike dhe siguria kibernetike. Së dyti, plani synon të thellojë integrimin ekonomik rajonal nëpërmjet krijimit të një tregu të përbashkët rajonal. “Ky treg është vendimtar për zhbllokimin e potencialit ekonomik të rajonit dhe për ta bërë atë më tërheqës për investitorët evropianë”- tha shefja e KE-së Urlsa von der Leyen. Shtylla e tretë e planit të rritjes ka të bëjë me përshpejtimin e reformave themelore në Ballkanin Perëndimorë. Sipas zyrtarëve në Bruksel, ndërtimi i një gjyqësori të pavarur dhe efikas, sigurimi i prokurimeve publike të shëndosha dhe intensifikimi i luftës kundër korrupsionit, mbeten detyrime thelbësore të qeverive për rritjen e besimit të investitorëve të huaj. Dhe shtylla e katërt mbështetet në gatishmërinë e shteteve të BE-së për më shumë mjete financiare për WB-6 para anëtarësimit në union.

Gjatë viteve 2014-2020, BE-ja ndau rreth 0.7 miliardë euro shteteve të Ballkanit Perëndimor për të mbështetur sundimin e ligjit. Me shtetet e ish-hapësirës jugosllave mbetet e hapur deri në vitin 2030 nëse qeveritë e rajonit do të arrijnë t’i plotësojnë kriteret dhe bëjnë reformat e nevojshme. Mundësitë që Brukseli ua ka dhënë këtyre shteteve janë të mëdha, e në veçanti në sferën ekonomike dhe të ndihmës financiare. BE-ja ka njoftuar se ka ndarë 16 miliardë euro për investime në rajon nga 30 miliardë euro në total të premtuara në vitin 2020. Për lexuesit duhet të ripërsërisim se BE-ja gjatë pandemisë globale premtoi 30 miliardë euro në “Planin Ekonomik dhe Investues” (PIE) për 2021-2027 për bashkëpunimin me Ballkanin Perëndimor.

Komisioni Evropian në tetor njoftoi se BE-ja ka propozuar një paketë investimi prej 6 miliardë euro, 2 miliardë euro në grante dhe 4 miliardë euro në kredi. Ursla von der Leyen tha se ajo e konsideron planin e ri të rritjes si “një nxitje shumë të fortë”, duke shtuar se “vetëm duke punuar së bashku, ne do ta sjellim Ballkanin Perëndimor në zemër të BE-së”. Nga ndihma ekonomike dhe financiare mund të vërehet se plani i rritjes dhe qasja në tregun unik të BE-së me 30 miliradë euro është e jashtëzakonshme. Dyshimet rriten nëse shtetet e Ballkanit janë të përkushtuara në këtë rrugë që BE-ja së fundi e deklaroi në tetor.

Në shtetet e Ballkanit vazhdon të mosrespektohen shumë standarde që BE i kërkon. Korrupsioni dhe ndërhyrjet politike vazhdojnë të mbeten shqetësimet kryesore. Mosmarrëveshjet ndërshtetërore vazhdojnë. Qytetarët nuk ju besojnë gjykatave dhe premtimeve qeveritare. BE kohëve të fundit ka njoftuar se fonde të shumta janë keqpërdorur nga qeveritë dhe organizatat tjera. Poqese shtetet e Ballkanit nuk do të jenë të gatshme të anëtarësohen në BE të paktën deri në 2035-ën, rrugët me unioin do të jenë të ndara për disa nga shtetet e rajonit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.