BDI: Rënie prej 9.4% e prodhimit industrial, kush janë përfituesit e 200 milionë eurove nga kredia hungareze?
Sipas të dhënave zyrtare të Entit Shtetëror të Statistikave, prodhimi industrial në Maqedoninë e Veriut ka regjistruar një rënie prej 9.4% krahasuar me janarin e vitit të kaluar, thonë nga BDI. Njëkohësisht, shtojnë ata, numri i të punësuarve në sektorin industrial ka shënuar një ulje prej 3.6%, duke alarmuar për ndikimin në ekonominë dhe standardin jetësor të qytetarëve. BDI thekson se mbi 200 milionë euro nga kredia hungareze nuk kanë dhënë efekt të dukshëm në zhvillimin ekonomik dhe kërkon që qeveria të publikojë urgjentisht listën e kompanive përfituese dhe mënyrën e shpërndarjes së fondeve, transmeton Portalb.mk.
“Duke u bazuar në të dhënat zyrtare të Entit Shtetëror të Statistikave të Maqedonisë së Veriut, informojmë qytetarët se prodhimi industrial ka shënuar rënie drastike prej 9.4% krahasuar me janarin e vitit paraprak. Ky është një tregues i qartë se mbi 200 milionë euro nga kredia hungareze nuk kanë dhënë asnjë efekt në zhvillimin ekonomik të vendit. Përkundrazi, ende sot nuk ka transparencë se si janë shpërndarë këto mjete dhe kush janë përfituesit e tyre. Për më tepër, të dhënat tregojnë edhe një rënie prej 3.6% të numrit të të punësuarve në sektorin industrial – një sinjal alarmi për ekonominë dhe për standardin jetësor të qytetarëve”, thonë nga BDI.
Kjo situatë, thonë nga BDI, dëshmon për përkeqësim të vazhdueshëm të gjendjes ekonomike, “ndërsa qeveria nuk ndërmerr masa konkrete në mbështetje të qytetarëve”.
“BDI u bën thirrje institucioneve kompetente që urgjentisht të publikojnë listën e kompanive përfituese nga kredia hungareze. Rënia e prodhimit industrial ngre me të drejtë pyetjen: ku kanë përfunduar këto mjete dhe si janë investuar ato? Qeveria duhet menjëherë të informojë qytetarët, të cilët në fund do të mbajnë barrën e kthimit të kësaj kredie 200 milionëshe – për mënyrën e shpërndarjes së fondeve dhe përfituesit konkretë”, thonë nga BDI.
Qarkullimi në industri, totali gjatë muajit janar të vitit 2026, krahasuar me muajin dhjetor të vitit 2025 vërehet rënie prej 13.9%, raportoi Enti Shtetëror i Statistikave, ashtu që në tregun vendor ka pasur rënie për 36.8 përqind, ndërsa në atë të jashtëm 5.3 përqind.
Krahasuar me janarin e kaluar, në janar të këtij viti u regjistrua ulje më e madhe te prodhimi i metaleve (24.4 %), ndërsa rritje më e madhe te prodhimi i produkteve themelore farmaceutike (8.6 %).
Kujtojmë se kryeministri Hristijan Mickoski në fushatën parazgjedhore kishte premtuar marrjen e borxhit prej një vendi të huaj, duke e mbajtur të fshehur se për cilin shtet bëhet fjalë, që më vonë u zbulua se është Hungaria.
Me të u dhanë para për zhvillimin e komunave nga 250 milionë euro të planifikuara në 112 milionë euro të shpërndara.