BDI paralajmëron krizë ekonomike: Çmimet nëpërgjithësi mund të rriten mbi 10%, Qeveria neglizhente
BDI ka reaguar ndaj rritjes së çmimit të naftës, duke e cilësuar situatën si dështim të Qeverisë për të menaxhuar krizën ekonomike. Sipas tyre, mungesa e një Ministrie funksionale të Ekonomisë po ndikon drejtpërdrejt në standardin jetësor të qytetarëve. Partia paralajmëron rritje të përgjithshme të çmimeve mbi 10% nëse nuk ndërmerren masa urgjente, duke kërkuar edhe shkarkimin e ministrit aktual të Ekonomisë, transmeton Portalb.mk.
Ata akuzojnë Qeverinë për dështim në menaxhimin e krizës ekonomike në vend, pas rritjes së fundit të çmimit të naftës, e cila sipas tyre ka arritur deri në 30%. BDI thekson se paralajmërimet e tyre të mëhershme tashmë po realizohen, ndërsa qytetarët po përballen me rritje të vazhdueshme të kostos së jetesës.
Sipas kësaj partie, vendi aktualisht po funksionon pa një ministri efektive të Ekonomisë, gjë që ka krijuar boshllëk në menaxhimin e situatës ekonomike. Ata paralajmërojnë se, përveç rritjes së çmimit të derivateve, pritet edhe shtrenjtim i produkteve bazë, rritje e kostove të transportit dhe një valë e përgjithshme inflacioni që mund të kalojë 10%.
“Ajo që e paralajmëroi BDI tashmë po ndodh. Nuk ka asnjë intervenim nga Qeveria për të mbrojtur standardin jetësor të qytetarëve, duke i lënë ata në mëshirë të fatit. Republika e Maqedonisë së Veriut aktualisht funksionon pa Ministri të Ekonomisë funksionale, ndërkohë që pritet rritje e konsiderueshme e çmimeve të produkteve bazë, e kostove të transportit dhe, në përgjithësi, shtrenjtim i jetës për qytetarët. Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) njofton qytetarët se, nëse nuk implementohen urgjentisht masat e propozuara, çmimet në përgjithësi mund të rriten mbi 10%, gjë që do të rëndojë ndjeshëm buxhetet familjare në vend”, thonë nga BDI.
BDI kritikon Qeverinë për mungesë reagimi dhe masash konkrete për mbrojtjen e standardit jetësor të qytetarëve, duke theksuar se qytetarët janë lënë “në mëshirë të fatit”. Nga kjo parti vlerësojnë se ekzekutivi nuk ka kapacitet për të përballuar kriza ekonomike që vijnë edhe nga zhvillime ndërkombëtare.
Në këtë kontekst, BDI kërkon shkarkimin e menjëhershëm të ministrit të Ekonomisë, për të cilin thotë se nuk ka vizion dhe plan konkret për menaxhimin e krizës. Njëkohësisht, partia i bën thirrje Qeverisë që të shqyrtojë dhe të zbatojë propozimet e saj, duke ofruar mbështetje në Kuvend për çdo masë që synon mbrojtjen e qytetarëve dhe stabilizimin e ekonomisë.
“Kjo Qeveri nuk ka kapacitetet e duhura për të menaxhuar krizat që ndodhin edhe 2.000 kilometra larg vendit. Për këtë arsye, Qeveria duhet menjëherë të shkarkojë ministrin e Ekonomisë, i cili duket se nuk ka as vizion e as plan për menaxhimin e krizave ekonomike. Edhe njëherë i bëjmë thirrje Qeverisë që të shqyrtojë seriozisht propozimet e BDI-së, të cilat do të kenë mbështetjen tonë të plotë nëse masat për mbrojtjen e qytetarëve procedohen dhe miratohen në Kuvend”, thonë nga BDI.
BDI reagoi edhe para disa ditësh ndaj rritjes së çmimit të derivateve të naftës, duke akuzuar qeverinë për dështim në menaxhimin e situatës dhe mungesë masash për mbrojtjen e qytetarëve. Sipas partisë, rritj përbën goditje për ekonomitë familjare dhe bizneset.