BDI për mysafirët e VLEN-it në tubimin e VMRO-së: Ky nuk është bashkëpunim, por nënshtrim politik me përulje publike
Pjesëmarrja e ministrit të Shëndetësisë dhe njëkohësisht shefit të shtabit zgjedhor të koalicionit VLEN për Komunën e Gostivarit, Azir Aliu, si dhe vetë kandidatit të tyre për këtë komunë, në tubimin e VMRO-DPMNE-së në Gostivar, është dëshmi e qartë se ky koalicion tashmë është plotësisht i varur nga votat e VMRO-së në çdo komunë të vendit — aq sa kërkon shpëtimin dhe lutet për ndihmë te padroni politik që e mban gjallë, thonë nga Bashkimi Demokratik për Integrim, transmeton Portalb.mk.
Ky nuk është bashkëpunim – ky është nënshtrim politik me përulje publike. Është tregues i qartë se VLEN e di mirë se do të humbasë në çdo komunë shqiptare, sepse nuk e ka votën e shqiptarëve, nuk e ka besimin dhe nuk e ka më legjitimitetin e popullit shqiptar. Dhe kur e humb besimin e popullit tënd, mbetet vetëm një rrugë: t’i kërkosh mëshirë padronit që të shpëtojë politikisht. Në vend që të përfaqësojë interesat e qytetarëve shqiptarë, VLEN ka zgjedhur të përfaqësojë interesat elektorale të VMRO-së – duke marrë pjesë në mitingjet e tyre, pa pasur madje as fuqinë t’i ftojë ata në mitingjet e veta. Por kjo nuk ndodh – sepse, siç thotë fjala e urtë politike: padroni nuk shkon te vasali. VLEN sot nuk flet më me votën e shqiptarëve, por me votën e VMRO-së. VLEN nuk flet më me zërin e shqiptarëve, por me zërin e partisë që premtoi dhe hoqi balancuesin, dhe parashtroi iniciativën për shfuqizimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare”, thonë nga BDI.
Ata shtonë se nëse një forcë politike shqiptare pranon të bëhet vegël e partisë që kërkon të fshijë çdo simbol të barazisë shqiptare, ajo nuk është më forcë politike, por shërbëtore e bindur e një projekti antishqiptar.
“Mungesa e votës shqiptare dhe mospasja e legjitimitetit popullor e kanë çuar drejt një gjendjeje vasaliteti të plotë, ku fuqia politike nuk buron më nga qytetarët, por nga lutjet para padronit që u jep oksigjen elektoral për të mbajtur gjallë një projekt të dështuar. Ata nuk kërkojnë më votë – ata kërkojnë leje nga padroni për ekzistencë politike. Pjesëmarrja e tyre në tubimet e VMRO-së, në skena të huaja politike, është akt i varësisë morale dhe politike që e zhvesh VLEN nga çdo pretendim për përfaqësim shqiptar. Ata nuk janë më zë i shqiptarëve, por jehona e padronëve të tyre politikë”, thonë nga BDI.
Kujtojmë se kandidati i koalicionit VLEN për kryetar të Komunës së Gostivarit, Sebaedin Dauti dhe ministri i Shëndetësisë Azir Aliu, dy ditë më parë morën pjesë në tubimin e VMRO-DPMNE-së në Gostivar.
Dauti dhe Aliu kanë marrë pjesë si mysafirë në këtë tubim, kështu tha në fjalimin e saj deputetja e VMRO-së, Dafina Stojanoska.
Njëri nga liderët e VLEN-it, Bilall Kasami e konfirmoi se kanë bashkëpunim me VMRO-në për përkrahje të ndërsjellë në komunat ku nuk kanë kandidatë.
“Kemi bashkëpunim edhe me partnerët e koalicionit për përkrahje të ndërsjellë të kandidatëve aty ku nuk kemi kandidatët tonë”, tha Kasami.
Këto zgjedhje VMRO-DPMNE nuk ka kandidat për kryetar të Komunës së Gostivarit dhe Tetovës.
Kujtojmë se VMRO-DPMNE dhe VLEN janë partnerë koalicioni në qeverinë aktuale të RMV-së.
Ndryshe, këto janë zgjedhjet e teta lokale që nga pavarësia e vendit.
Rrethi i parë do të mbahet më 19 tetor, ndërsa rrethi i dytë më 2 nëntor.
Fushata për rrethin e parë ka filluar më 29 shtator dhe do të zgjasë deri më 17 tetor, ndërsa fushata për rrethin e dytë do të vazhdojë deri më 31 tetor.