Kandidati i VLEN-it për kryetar të Gostivarit dhe Azir Aliu mysafirë të VMRO-DPMNE-së në tubim, Kasami: Kemi bashkëpunim të ndërsjellë (Video)
Kandidati i koalicionit VLEN për kryetar të Komunës së Gostivarit, Sebaedin Dauti dhe ministri i Shëndetësisë Azir Aliu, mbrëmë kanë marrë pjesë në tubimin e VMRO-DPMNE-së në Gostivar, shkruan Portalb.mk.
Dauti dhe Aliu kanë marrë pjesë si mysafirë në këtë tubim, kështu tha në fjalimin e saj deputetja e VMRO-së, Dafina Stojanoska.
“I nderuar ministër i Shëndetësisë Azir Aliu dhe kandidat për kryetar të Gostivarit Sebaedin Dauti. Këta janë njerëzit që sonte janë mysafirët tanë dhe njerëzit të cilët vijnë nga partia VLEN, e cila i rezistoi presioneve dhe sfidave të BDI-së kriminale”, tha Stojanoska në fjalimin e saj.
Njëri nga liderët e VLEN-it, Bilall Kasami e konfirmoi se kanë bashkëpunim me VMRO-në për përkrahje të ndërsjellë në komunat ku nuk kanë kandidatë.
“Kemi bashkëpunim edhe me partnerët e koalicionit për përkrahje të ndërsjellë të kandidatëve aty ku nuk kemi kandidatët tonë”, tha Kasami.
Këto zgjedhje VMRO-DPMNE nuk ka kandidat për kryetar të Komunës së Gostivarit dhe Tetovës.
Kujtojmë se VMRO-DPMNE dhe VLEN janë partnerë koalicioni në qeverinë aktuale të RMV-së.
Ndryshe, këto janë zgjedhjet e teta lokale që nga pavarësia e vendit.
Rrethi i parë do të mbahet më 19 tetor, ndërsa rrethi i dytë më 2 nëntor.
Fushata për rrethin e parë ka filluar më 29 shtator dhe do të zgjasë deri më 17 tetor, ndërsa fushata për rrethin e dytë do të vazhdojë deri më 31 tetor.