RMV, u ndërprenë 45 koncesione në miniera, shkak mosrespektimi i ligjeve dhe masave ekologjike
Ndërprerja e 45 koncesioneve në sektorin e minierave për shkak të mosrespektimit të ligjeve ose masave mjedisore, si dhe një iniciativë për mbrojtjen e rubinit maqedonas, njoftoi ministrja e Energjisë, Sanja Bozhinovska. Në një tbrifing me gazetarët, ajo tha se 34 kontrata u ndërprenë në mënyrë të njëanshme, ndërsa për 11 kontrata skaduan marrëveshjet dhe nuk u zgjatën. Masa të tilla u morën për shkak të mosrespektimit të dispozitave ligjore dhe masave mjedisore, mospagesës së tarifave të koncesionit, transferimit të koncesioneve pa pëlqim dhe shfrytëzimit jashtë zonës së lejuar, transmeton Portalb.mk.
Nga janari deri më 1 tetor të këtij viti, në Maqedoni u kryen 170 inspektime të jashtëzakonshme dhe 78 inspektime të rregullta. Bozhinovska njofton kritere shumë më të rrepta në aspektin e dhënies dhe kontrollit të koncesioneve.
Paraprakisht, Ministria e Mjedisit informoi gjithashtu se kontrata me “Melcam Engineering” nga Shkupi për koncesion për shfrytëzimin e gurit gëlqeror në vendin Lavinçevi në zonën e fshatit Straçincë në Komunën e Gazi Babës është ndërprerë. Sipas ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, vendimi u mor për shkak të mangësive serioze dhe mosrespektimit të detyrimeve ligjore.
Shpjegimi i tij ishte se koncesionari nuk siguroi shfrytëzim minimal prej 20 përqind sipas kontratës, pra 25 mijë ton në vit, në vitin 2022 u nxorën vetëm 277 ton, në vitin 2023 nuk pati aktivitet dhe në vitin 2024 vetëm 187 ton. Aktivitetet shpesh u ndërprenë dhe detyrimet ligjore nuk u respektuan. Gjithashtu, koncesionari nuk pagoi tarifë koncesioni për sasitë e nxjerra në tre vitet e fundit.
Ministria e Energjisë ka paraqitur gjithashtu iniciativë për mbrojtjen e rubinit vendas. Qëllimi është që rubini të marrë statusin zyrtar si trashëgimi minerale kombëtare dhe mbrojtje ligjore të origjinës së tij, thotë ministrja Sanja Bozhinovska.
Korundi mineral gjendet vetëm në afërsi të Prilepit dhe Mariovës dhe është i vetmi rubin natyral në Evropë. Ka një ngjyrë të kuqërremtë për shkak të pranisë së kromit.
“Ne besojmë se rubini duhet të mbrohet, për të krijuar markë prej tij me të cilën do të njihemi”, thotë ministrja.