Aksion i madh policor në Shkup: U gjet drogë dhe municion, janë arrestuar katër persona
Ministria e Brendshme, në koordinim me Prokurorinë Publike për NKOK, kreu aksion në disa lokacione në të gjithë Shkupin. Gjatë bastisjeve, u gjetën droga narkotike – kokainë dhe marihuanë, si dhe plumba për një pistoletë në shtëpinë e njërit prej të dyshuarve, transmeton Portalb.mk.
Ministria e Brendshme ngriti kallëzim penal në Prokurorinë Publike për NKOK kundër N.G. (29), B.P. (27), D.B. (24) dhe F.S. (30), të gjithë nga Shkupi, për shkak të ekzistencës së dyshimit të arsyeshëm se kanë kryer veprën penale “Prodhim dhe shpërndarje e paautorizuar e drogave narkotike dhe substancave psikotrope” sipas nenit 215, paragrafi 3, në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal, dhe kundër F.S. për veprën penale “Prodhim, posedim, ndërmjetësim dhe tregti e paautorizuar me armë dhe eksplozivë” sipas nenit 396, paragrafi 3 të Kodit Penal.
“Të dyshuarit nga shkurti deri në tetor të këtij viti bashkuan forcat për shitjen dhe shpërndarjen e paautorizuar të drogave narkotike – kokainë dhe drogave narkotike – marihuanë. Për këtë qëllim, ata kanë blerë, mbajtur, transportuar, shitur dhe ndërmjetësuar në shitjen e paautorizuar të drogave narkotike, kështu që i dyshuari i parë i ka blerë, transportuar dhe fshehur ato në mënyrë të paligjshme në një vend të sigurt në zonën e Shkupit. Pastaj, ai ua ka dorëzuar një pjesë të drogave narkotike të blera në mënyrë të paligjshme të dyshuarve të tjerë dhe secili prej tyre veçmas ka ndërmarrë veprime për shitje të paautorizuar, duke i shitur ato për 4.000 denarë për 1 gram kokainë dhe 500 denarë për 1 gram marihuanë”, thonë nga MPB.
Për aksionin informoi edhe Prokuroria nga ku thonë se pas disa muajsh procedurash para-hetimore, dje, në koordinim me njësitë e Ministrisë së Brendshme kryen një aksion në disa lokacione në të gjithë Qytetin e Shkupit.
“Duke vepruar sipas kallëzimit penal të paraqitur nga Ministria e Brendshme, prokurori publik nga Prokuroria Publike NKOK lëshoi urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër katër personave për të cilët ekziston dyshim i bazuar se kanë kryer veprën penale Prodhim dhe shpërndarje e paautorizuar e drogave narkotike dhe substancave psikotrope nga neni 215, paragrafi 3, i Kodit Penal, me paragrafin 1 të Kodit Penal, dhe njëri nga të dyshuarit kreu edhe veprën penale Prodhim, posedim, ndërmjetësim dhe tregti e paautorizuar me armë dhe eksplozivë nga neni 396 paragrafi 3 i Kodit Penal”, thonë nga Prokuroria.