Korridori 8 me financim të ri por me afate të vjetra
Me grant prej 149 milionë eurosh nga Bashkimi Evropian do të ndërtohet faza e tretë e hekurudhës drejt Bullgarisë. Në fazën e tretë do të ndërtohet tuneli hekurudhor ndërkufitar, pjesë e Korridorit 8, i cili nis nga Kriva Pallanka dhe hyn në territorin e Bullgarisë, transmeton Portalb.mk.
Për realizimin e këtij projekti, përveç grantit nga BE-ja, janë siguruar edhe 175 milionë euro kredi nga Banka Evropiane e Investimeve (BEI) dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Marrëveshjet për financimin e ndërtimit të hekurudhës me gjatësi prej 22 kilometrash u nënshkruan sot në Qeveri.
Drejtori i Hekurudhave të Maqedonisë, Sinsha Ivanovski, tha se ky është projekti më kompleks teknik-teknologjik dhe infrastrukturor në vend, jo vetëm aktualisht, por edhe gjatë dekadave të fundit.
“Shina do të jetë linjë hekurudhore njëdrejtimëshe, e cila do të shërbejë për trafik të përzier: si për transportin e udhëtarëve, ashtu edhe për transportin e mallrave. Është interesante se në vetëm 22 kilometra do të ketë gjithsej 21 tunele me gjatësi prej 7.8 kilometrash”, tha Ivanovski.
Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikolloski, tha se bëhet fjalë për një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore për vendin.
“Ajo që është veçanërisht e rëndësishme është se arritëm marrëveshje me Bullgarinë për ndërtimin e tunelit hekurudhor ndërkufitar, i cili duhet t’i lidhë dy shtetet”, tha Nikolloski.
Kryeministri Hristijan Mickoski tha se më e rëndësishmja është që ky tunel nuk do të përfundojë në gjysmë, pasi Qeveria ka arritur marrëveshje me Bullgarinë që tuneli të vazhdojë edhe në territorin e saj.
Në periudhën e ardhshme duhet të shpallet tenderi për zgjedhjen e kompanisë ndërsa sipas ministrit Nikolloski, pritet që punimet ndërtimore të fillojnë deri në fund të këtij viti.
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut mbeti pa fondet IPA të parashikuara për ndërtimin e pjesës së tretë të Korridorit Hekurudhor 8 drejt Bullgarisë, pasi brenda afatit të paraparë nuk u lidh kontrata për ndërtimin.
Për të vazhduar realizimin e projektit, Qeveria i ka dorëzuar Kuvendit ndryshimet në ligjet për kreditë nga BERZH-i dhe BEI-ja, me të cilat nuk kërkohet huamarrje e re, por ndryshohet mënyra e realizimit të projektit.
Në arsyetimin e të dyja projektligjeve thuhet se tenderi i shpallur në vitin 2024 ishte anuluar, pasi brenda afatit të paraparë nuk ishte lidhur kontrata për ndërtim.
Për këtë arsye, fondet IPA të siguruara për projektin nuk janë më në dispozicion, ndërsa Sektori për Financim Qendror dhe Lidhjen e Kontratave i Ministrisë së Financave e humb kompetencën për zbatimin e tij.
Me ndryshimet ligjore nuk ndryshohen kreditë prej 175 milionë eurosh secila, të siguruara nga BERZH-i dhe BEI-ja. Në vend të kësaj, krijohet bazë ligjore që projekti të vazhdojë me strukturë të re financiare dhe zbatuese.
Ndryshe, rindërtimi i një pjese të hekurudhës bullgare në kuadër të Korridorit 8 ishte pjesë edhe e bisedimeve ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë me qëllim të arritjes së marrëveshjes për intensifikimin e punimeve për lidhjen hekurudhore Shkup-Sofje.
Korridori hekurudhor 8 është një nga korridoret më të rëndësishme të transportit trans-evropian me rëndësi strategjike, ekonomike dhe gjeopolitike për Ballkanin dhe Evropën.
Faza e parë nga Kumanova deri në Bellakovc është ndërtuar me kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe tashmë është vënë në funksion në janar të vitit 2025. Ndërtimi i fazës së dytë, përkatësisht segmentit nga Bellakovci deri në Kriva Pallankë, është në proces dhe financohet me kredi nga BERZH-i dhe grant investues të siguruar përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor të Bashkimit Evropian.