BDI: Kërkojmë hetim për pasurinë e padeklaruar të drejtorit të NOMAGAS, Nedim Rama
BDI ka akuzuar drejtorin e NOMAGAS-it, Nedim Rama, për mosdeklarim të pasurisë në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), duke kërkuar hetim urgjent për, siç thonë, “pasurinë e padeklaruar” dhe lidhjet e mundshme me përfitime nga institucione publike. BDI thekson se Rama, i emëruar në fillim të janarit 2026 në krye të NOMAGAS-it, për më shumë se katër muaj nuk ka dorëzuar deklaratë për gjendjen pasurore në KSHPK, transmeton Portalb.mk.
Partia opozitare pretendon se kjo përbën shkelje të detyrimeve për transparencë dhe kërkon që KSHPK-ja të hapë hetim të plotë për pasurinë e tij.
“Për më shumë se katër muaj, Nedim Rama nuk ka dorëzuar deklaratë për gjendjen pasurore në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Nuk ka deklaruar asgjë, ndërsa posedon shumë. Kjo është shkelje serioze e detyrimeve për transparencë që i ka çdo funksionar. Kur një drejtor i një kompanie shtetërore për muaj të tërë nuk deklaron pasurinë, hapet dyshimi i bazuar për fshehje interesash, ndikimesh dhe konflikt të mundshëm interesi. KSHPK-ja nuk ka të drejtë të heshtë -duhet menjëherë të hapë lëndë të dytë dhe hetim të plotë për pasurinë e padeklaruar të Nedim Ramës. Sepse tani më ekziston një lëndë, por ende pa epilog”, thonë nga BDI.
BDI rikujton se ndaj Ramës tashmë ekziston një lëndë në KSHPK, e lidhur me lounge-barin “1SH”, i menaxhuar përmes kompanisë “Near 2015”, ku pronarë kanë qenë Nedim Rama dhe zëvendësministrja Kaltrina Zekolli Shaqiri. Sipas pretendimeve të partisë, kompania ka marrë pagesa nga Komuna e Çairit për reprezentacion.
Këto pagesa, shtojnë nga BDI, janë realizuar në periudhën kur Zekolli Shaqiri ushtronte funksionin e zëvendësministres, ndërsa Rama ishte këshilltar për financa në kabinetin e ministrit të Mjedisit Jetësor, Izet Mexhiti.
“Lënda e parë e KSHPK-së ka të bëjë pikërisht me Nedim Ramën, hotelierin nga Çairi, siç e quanin mediat, pasi u zbulua se lounge-bar “1SH”, i menaxhuar përmes kompanisë “Near 2015”, pronarë të së cilës kanë qenë Nedim Rama dhe zëvendësministrja Kaltrina Zekolli Shaqiri, ka marrë pagesa nga Komuna e Çairit për reprezentacion. E gjithë kjo ka ndodhur në periudhën kur Kaltrina Zekolli Shaqiri ushtronte funksionin e zëvendësministres, ndërsa Nedim Rama ishte këshilltar i posaçëm për financa në kabinetin e Izet Mexhitit në Ministrinë e Mjedisit Jetësor. Por skandali nuk përfundon këtu. Objekti hotelierik i lidhur me Nedim Ramën ka marrë para publike shumë kohë para se ai të bëhej këshilltar në Ministrinë e Mjedisit Jetësor. Në atë periudhë, Rama ishte sekretar i Komunës së Çairit, në kohën kur komunën e drejtonte Visar Ganiu”, thonë nga BDI.
BDI pretendon gjithashtu se kompania “Near 2015” ka përfituar mjete publike edhe më herët, në kohën kur Rama ushtronte funksionin e sekretarit të Komunës së Çairit, si dhe mbështetje financiare nga Agjencia për Punësim.
Nga partia kërkojnë që KSHPK-ja të përfundojë procedurat për rastin ekzistues dhe, nëse konstatohen shkelje, të dorëzojë iniciativë për ndjekje penale në Prokurorinë Themelore Publike. Njëkohësisht, kërkohet hapja e një lënde të re për mosdeklarimin e pasurisë nga ana e Ramës.
“Faktet që deri tani kanë dalë në publik janë bazë e mjaftueshme që KSHPK-ja më në fund të dalë me epilog për këtë rast. E ftojmë Komisionin që pa vonesë ta përfundojë procedurën, të përcaktojë përgjegjësi dhe të dorëzojë iniciativë për ndjekje penale në Prokurorinë Themelore Publike për rastin që lidhet me Nedim Ramën dhe Kaltrina Zekolli Shaqirin. Për më tepër, KSHPK-ja duhet të hapë edhe lëndë për Nedim Ramën për mosdeklarimin e pasurisë së tij. Dhe gjithashtu të nisë veprime konkrete për të hetuar se si, me pagë komunale dhe këshilltari, ka arritur të krijojë pasuri disproporcionale me të ardhurat e tij. Kërkojmë hetim urgjent të pasurisë së Nedim Ramës – drejtësia nuk guxon të ndalet para dyerve të funksionarëve. Nëse funksionarët nuk kanë çfarë të fshehin, atëherë le ta deklarojnë pasurinë e tyre. Institucionet duhet të tregojnë se ligji vlen për të gjithë – edhe për njerëzit më të afërt të pushtetit”, thuhet në reagimin e partisë.
Kujtojmë se Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) paraprakisht ka reaguar ndaj ndërmarrjes shtetërore MEPSO dhe drejtorit të saj, duke ngritur shqetësime për transparencën dhe dëmin e mundshëm financiar ndaj shtetit. Sipas BDI-së, drejtori Burim Latifi dhe MEPSO kanë lidhur dy kontrata brenda të njëjtës ditë me kompaninë “Elnos BL” nga Republika Srpska, duke thelluar bashkëpunimin me këtë subjekt.