Inteligjenca Artificiale, “armë” e re e dezinformimit në Kosovë
Në vitet e fundit, Inteligjenca Artificiale ka marrë hov. Nga filtrat në Facebook e TikTok e deri te chatbot-ët, IA po përdoret gjithnjë e më shumë. Por një nga temat që ka ngritur shqetësim është përdorimi i Inteligjencës Artificiale për krijimin e fotove dhe videove të rreme, të njohura si “deepfake”, shkruan Sbunker.
Problematike është kjo teknologji po përdoret jo vetëm për argëtim, por edhe për manipulim politik, dezinformim dhe krijim të narrativave të rreme, çka e bënë të vështirë dallimin mes lajmit të vërtetë dhe atij të fabrikuar.
Me vetëm disa aplikacione dhe pak minuta kohë, mund të krijohen video ku një person duket sikur po flet apo po bën diçka, e që në të vërtetë nuk ka ndodhur kurrë. Këto përmbajtje po shpërndahen me shpejtësi në rrjetet sociale dhe shpesh po mashtrojnë mijëra njerëz, kryesisht në periudha të ndjeshme sikurse janë zgjedhjet.
Sipas analizës së disa postimeve, përdorimi i inteligjencës artificiale në krijimin e fotove dhe videove po ndikon gjithnjë e më shumë në mënyrën se si njerëzit e perceptojnë informacionin online. Nga rastet e analizuara del se përmbajtjet e manipuluara shpërndahen shumë shpejtë në dhe arrijnë mijëra përdorues brenda një kohe të shkurtër, ku shumë prej tyre u besojnë këtyre publikimeve, pa e verifikuar burimin apo autenticitetin e tyre.
Përmes videove apo fotografive të krijuara me IA, synimi është të deformohen deklaratat, të dëmtohet reputacioni i personave publikë si dhe të ndikohet opinioni i qytetarëve.
Manipulimi që synohet
Një nga faqet me ndërveprimin më të madh, “Të vdesësh së qeshurit”, publikon video dhe fotografi të krijuara me inteligjencë artificiale, të cilat marrin mijëra shikime, pëlqime dhe shpërndarje nga përdoruesit në Facebook.
Në një video shfaqet një djalë, i cili duket sikur është duke e gdhendur në dru figurën e kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, duke krijuar përshtypjen se bëhet fjalë për një punim artistik real. Për ta bërë të duket më bindëse, atij i është veshur edhe fjalia: “Albin Kurti është një udhëheqes i fortë dhe vizionar për Kosovën prandaj po e skalit këtë bas për të nderuar punën e tij”.
Pamjet janë gjeneruar në mënyrë që të duken autentike, sikur video është incizuar në një ambient pune apo studio artistike, ku personi është i përqendruar në procesin e krijimit të skulpturës. Megjithatë, në realitet kjo ngjarje nuk ka ndodhur. Videoja është e gjeneruar përmes inteligjencës artificiale, duke përdorur teknologji që krijon skena të rreme me pamje reale. Qëllimi i saj është të paraqitet si përmbajtje e vërtetë për publikun duke e lartësuar një politikanë të caktuar.
Kjo video ka marrë ndërveprim të madh në rrjetet sociale, duke grumbulluar mbi 6.7 mijë pëlqime, 358 komente dhe 226 shpërndarje. Pjesa më e madhe e komenteve janë mbështetëse dhe pozitive, ku përdoruesit shprehin përkrahje, lavdërime dhe besim ndaj figurës që skalitet në dru. Reagimet e tilla tregojnë për ndikimin që kanë përmbajtjet vizuale dhe videot në formësimin e opinionit publik dhe në rritjen e angazhimit të audiencës në platformat sociale.
Tjetër shembull është një video e publikuar nga faqja: “Kosova info +“ me titullin: “A po e fundos Vjosa Osmani politikisht Donika Gërvallën?”. Aty shfaqet Vjosa Osmani dhe Donika Gërvalla në videon e manipuluar me IA, me qëllimin që të paraqitet dramë politike dhe tension mes tyre.
Rast tjetër i manipulimit dhe dezinformimit është një fotografi me mbishkrimin: “Në një emision në Serbi e falënderon Vjosa Osmanin, Radojçiqi – turp”. Në fotografi shfaqet Radojçiqi, por përmes tekstit dhe kontekstit të rremë: “shpejtë do të më shihni në Prishtinë”, ku tentohet të krijohet një situatë e paqenë dhe të nxisë panik tek opinioni.
Mësimdhënësi në Fakultetin e Gazetarisë, Dren Gërguri, vlerëson se rreziku më i madh është keqpërdorimi i deepfake-ve përmes videove, fotografive apo audio-ve të gjeneruara me IA. Sipas tij, qytetarët shpeshherë nuk arrijnë t’i dallojnë këto përmbajtje dhe krijojnë bindje të gabuara, sidomos në kohë zgjedhjesh.
“Kur shikojmë përmbajtje të gjeneruara me inteligjencë artificiale dhe analizojmë komentet në rrjetet sociale, vërehet se shumë qytetarë nuk arrijnë t’i dallojnë ato nga përmbajtjet reale dhe i marrin si të vërteta. Kjo ka ndikim të madh, sepse vendimet që marrin qytetarët shpesh bazohen në atë që shohin online, duke besuar se ajo është realitet, edhe pse në fakt mund të jetë e fabrikuar. Në të vërtetë, bëhet fjalë për përmbajtje të krijuar me AI, e cila mund të ketë qëllime të ndryshme – nga argëtimi deri te keqinformimi apo manipulimi. Në disa raste, pasojat mund të jenë serioze për qytetarët”, thotë Gërguri.
Problematike është fakti se edhe mediume që u dihet pronësia dhe janë të njohura në skenën mediale, përdorin fotografi të krijuara me Inteligjencë Artificiale për t’i bërë më bindëse përmbajtjet që publikojnë. Gazeta Demos, në një lajm të publikuar ka përdorur fotografi të gjeneruar me IA Glauk Konjufcës dhe Enver Hoxhajt, për ta fuqizuar gjoja lajmin se ka ndodhur një takim mes tyre.
Sipas Gërgurit, fotot ilustruese nga gazetarët për të krijuar imazh të rremë i cili nuk ka ndodhur në realitet, nuk do duhej të bëhen për shkak se ndryshon rrjedha e lajmit dhe narrativa që u shërbehet qytetarëve.
“Kjo praktikë është problematike, sepse krijon një realitet që nuk është i vërtetë. Mendoj se kjo nuk duhet të vazhdohet nga gazetarët tanë, pasi nëse fillojmë të krijojmë situata me AI, atëherë në njëfarë mënyre po cenojmë procesin e saktë të informimit gazetaresk. Brenda lajmit po futen elemente vizuale që nuk kanë ndodhur dhe nuk kanë ekzistuar në realitet, duke e deformuar kështu kuptimin e ngjarjes”, thotë Gërguri.
Çfarë janë deepfake?
Deepfake janë foto, audio ose video të krijuara apo të manipuluara me inteligjencë artificiale për ta bërë një person të duket real në një situatë të rreme. Teknologjia përdor fytyrën, zërin dhe lëvizjet e një personi për të krijuar materiale që ngjajnë me realitetin.
Në fillim kjo teknologji përdorej kryesisht për argëtim, meme apo efekte filmike. Por, sot ajo po përdoret edhe për manipulim, propagandë, mashtrime dhe sulme ndaj personave publikë apo qytetarëve të zakonshëm.
Në kohën kur inteligjenca artificiale po përdoret gjithnjë e më shumë për krijimin e videove dhe fotografive të rreme, është e rëndësishme që përdoruesit e rrjeteve sociale të jenë më të kujdesshëm për atë që shohin dhe shpërndajnë. Shumë përmbajtje në Facebook apo platforma tjera publikohen vetëm për të marrë klikime, reagime dhe shpërndarje, pa qenë të vërteta.
Gjatë zgjedhjeve në shumë vende të botës janë publikuar foto të manipuluara të politikanëve që gjoja kanë bërë deklarata të rreme. Në disa raste janë përdorur edhe zëra të krijuar me IA për të mashtruar.
Disa shenja që mund të tregojnë se një video apo fotografi është krijuar me inteligjencë artificiale, janë lëvizjet jo natyrale të fytyrës, zëri që tingëllon artificial, cilësia e çuditshme e figurës apo mimikat jo reale. Edukimi mediatik dhe mendimi kritik janë mënyrat më të mira për t’u mbrojtur nga manipulimet dhe dezinformatat. Për këtë arsye, verifikimi i informacionit, ndjekja e mediave të besueshme dhe kujdesi para shpërndarjes së postimeve janë tejet të rëndësishme në epokën digjitale.
Sipas Dren Gërgurit, përdorimi i inteligjencës artificiale në punën e gazetarëve në Kosovë ende është në nivel të ulët, rreth 42 %, që është dukshëm më i vogël krahasuar me vendet e tjera. Ai thotë se ndër problemet kryesore është mungesa e udhëzuesve dhe trajnimeve brenda redaksive, gjë që e bën përdorimin e AI-së të paorganizuar dhe kryesisht të bazuar në iniciativa individuale të gazetarëve.
Kjo situatë krijon rrezik që gazetaret të mos jenë të përgatitur sa duhet për kufizimet dhe mënyrën e duhur të përdorimit të këtyre veglave, duke e bërë të domosdoshme vendosjen e standardeve dhe edukimit profesional për përdorimin etik të IA në media.
“Kjo në vetvete mund të krijojë problem për shkak se gazetarët mund të mos jenë të përgatitur mjaftueshëm, të trajnuar për këto vegla të inteligjencës artificiale se si përdoren ato dhe të jenë të vetëdijshëm për limitet që duhet të ekzistojnë në përdorimin e inteligjencës artificiale”, thotë Gërguri.
Sipas tij, IA nuk e rrezikon drejtpërdrejt besimin në media, por gjithçka varet nga mënyra se si redaksitë dhe gazetarët e përdorin atë, duke e konsideruar IA thjesht si një vegël mbështetëse por jo zëvendësuese të punës së gazetarit.
