BDI: Ka rifilluar ndërtimi pa leje në tokë shtetërore, Qyteti i Shkupit dhe Komuna e Çairit heshtin

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) kanë reaguar për rifillimin e punimeve në një objekt në rrugën “Qemal Sejfulla”, i cili vitin e kaluar ishte denoncuar publikisht si ndërtim pa leje në tokë shtetërore, shkruan Portalb.mk.

“Në maj të vitit 2025, ish-kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, doli në vendngjarje dhe tregoi publikisht se objekti po ndërtohej pa projekt dhe pa leje ndërtimi, vetëm një metër larg ndërtesës ekzistuese dhe përpara dritareve e ballkoneve të banorëve. Pas denoncimit publik, Prokuroria hapi procedurë hetimore ndaj investitorit. Sipas njoftimit të atëhershëm të Prokurorisë, bëhej fjalë për objekt banesor dhe afarist me gjashtë kate, të nisur pa leje në tokë shtetërore. U kërkua edhe ndalimi i punimeve”, thonë nga BDI.

Sipas tyre, banorët përreth po përballen sërish me një objekt që ua mbyll dritaret dhe ballkonet, ndërsa nga Komuna e Çairit nuk ka as sqarim, as procesverbal inspektimi, as vendim publik për ndalimin e punimeve.

“Kërkojmë nga Komuna e Çairit që menjëherë të dërgojë inspektorët në terren dhe të publikojë: mbi çfarë dokumentacioni kanë rifilluar punimet; a ekziston leje e vlefshme për ndërtim; çfarë ka ndërmarrë inspektorati komunal; a është ende në fuqi ndalimi i punimeve i kërkuar në kuadër të procedurës hetimore. Kërkojmë gjithashtu nga Prokuroria të njoftojë publikun se deri ku ka arritur hetimi dhe si është lejuar rifillimi i punimeve në objektin që vetë ajo e trajtoi si ndërtim pa leje në tokë shtetërore”, shtuan nga BDI.

Ndryshe, Prokuroria Themelore Publike në Shkup, vitin e kaluar ka kreu inspektime dhe atë kohë lëshoi ​​një Urdhër për të zhvilluar një procedurë hetimore kundër një personi për vepër penale – Ndërtim i paligjshëm sipas nenit 244-a të Kodit Penal. Objekti filloi të ndërtohet në vitin 2024, pa leje dhe në tokë shtetërore në rrugën Kemal Sejfulla në Çair. I dyshuari, si drejtues i një personi juridik, paraqitet si investitor i ndërtimit – një ndërtesë banimi me lokale afariste dhe një numër katesh Po+P+6+Pk të destinuara për shitje.

Kujtojmë se ish-kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska ka dorëzuar në prokurori dëshmi dhe dokumente lidhur me ndërtimet pa leje në Çair. Arsovska pretendon se në komunën e Çairit ka 150 ndërtime pa leje. Ajo akuzon ish kryetarin Izet Mexhiti dhe kryetarin aktual Visar Ganiu për ndërtimet pa leje në Çair. Arsovska gjithashtu ka denoncuar se gjatë kohës që po denoncon krimin është duke u ballafaquar me kërcënime.