Ganiu: Çairi nuk është figurë shahu në lojërat politike të BDI-së
Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, pas përleshjes së mbrëmshme me kryetaren e Shkupit, Danella Arsovskën, sot ka dalë në një konferencë për shtyp, nga ku deklaroi se Çairi nuk është figurë shahu në lojërat e BDI-së. Ai “ngriti alarmin” për situatën siç deklaroi ai shqetësuese me mosmenaxhimin e mbeturinave dhe shërbimeve publike në Çair, duke theksuar se qytetarët janë të rrezikuar nga përhapja e epidemive, transmeton Portalb.mk.
“Jemi në shekullin XXI dhe po mbytemi në mbeturina. Çairi është shtëpi për mbi 60 mijë qytetarë që meritojnë kushte bazike për jetë”, theksoi ai.
Ganiu i bëri thirrje kryetares së Shkupit, Danella Arsovska, që të mos lejojë të përdoret nga strukturat e BDI-së dhe të angazhojë urgjentisht NP “Higjiena Komunale”. Ai kritikoi edhe partnerët politikë nga Saraji për fushatë politike në kurriz të qytetarëve.
Në deklaratë u përmendën edhe premtimet e pambajtura nga Qyteti, përfshirë parkun, bulevardet, transportin publik falas dhe investimet në Çarshinë e Vjetër.
“Çairi nuk ka borxhe ndaj Qytetit. Kemi plan të gatshëm për pastrim dhe dezinfektim – mjafton që Qyteti të mos bllokojë”, përfundoi Ganiu, duke theksuar se Komuna mbetet e hapur për bashkëpunim institucional dhe veprim konkret.
Kujtojmë se mbrëmë, kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, i hodhi mbeturina kryetares së Shkupit, Danella Arsovska para zyrës së saj në Qytetin e Shkupit mbrëmë vonë. Ganiu, së bashku me rreth 30 qytetarë dhe një kamion plot me mbeturina, eci nga Çairi në Qytetin e Shkupit dhe i shpërndau mbeturinat para portës hyrëse të Qytetit.
Ganiu tha se ia sollën mbeturinat Arsovskës sepse ajo dhe Ndërmarrja Publike “Higjiena Komunale” nuk i pastrojnë kontejnerët dhe komuna është e mbuluar me mbeturina, pas së cilës u larguan.
Menjëherë pas kësaj, Arsovska dhe ekipi i saj erdhën në Qytetin e Shkupit dhe, duke iu bashkuar asaj drejtpërdrejt në profilin e saj në Facebook, e pyetën Ganiun pse ai iku menjëherë dhe nuk priti të përballej.