BDI: Edhe në sport diskriminim, Komiteti Olimpik ka vetëm 4 shqiptar nga gjithsej 117 anëtarë

BDI akuzon për përjashtim të shqiptarëve në sport. Nga kjo parti thonë se Komiteti Olimpik i Maqedonisë së Veriut ka përbërje diskriminuese, me vetëm 4 shqiptarë nga 117 anëtarë dhe mungesë të plotë në organet kryesore drejtuese. Sipas BDI-së, kjo bie ndesh me Marrëveshjen e Ohrit dhe parimet e barazisë, ndaj kërkohet rishikim i menjëhershëm dhe garantim i përfaqësimit proporcional, transmetn Portalb.mk.

“Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh indinjatën dhe kundërshtimin e fuqishëm ndaj përbërjes së re të Komitetit Olimpik të Maqedonisë së Veriut, ku shqiptarët janë pothuajse tërësisht të përjashtuar nga strukturat drejtuese dhe vendimmarrëse. Nga gjithsej 117 anëtarë, vetëm 4 janë shqiptarë, një pasqyrë tronditëse e qasjes diskriminuese që është e papranueshme për një shtet multietnik dhe evropian”, thonë nga BDI.

Edhe më alarmante është mungesa e plotë e shqiptarëve në organet kyçe:

• Bordi Drejtues: 0 shqiptarë nga 11 anëtarë.
• Këshilli Olimpik: 0 shqiptarë nga 11 anëtarë.
• Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (SAS): 0 shqiptarë.
• Komisioni i Etikës: 0 shqiptarë.
• Komisioni i Sportistëve: vetëm 1 shqiptar nga 6 anëtarë.
• Komisioni i Marketingut: vetëm 1 shqiptar nga 6 anëtarë.
• Drejtoria Sportive: vetëm 1 shqiptar nga 5 anëtarë.
• Kuvendi i KOK: vetëm 1 shqiptar nga 25 anëtarë me të drejtë vote.

Në shumicën e komisioneve të tjera: juridike, disiplinë, përfaqësi gjinore, lojëra paraolimpike, shkencë dhe sport, antidoping, financa, e-sport, bord mbikëqyrës dhe komitet për diasporën, përfaqësimi shqiptar është zero, shtojnë nga kjo parti.

“Kjo nuk është vetëm neglizhencë, por pasqyrë e një mentaliteti përjashtues që bie ndesh me frymën e Marrëveshjes së Ohrit, me parimet e barazisë dhe me standardet e shteteve demokratike. Sporti duhet të bashkojë, jo të ndajë; të ndërtojë ura, jo barriera etnike.

BDI kërkon rishikim të menjëhershëm të kësaj përbërjeje dhe garantimin e përfaqësimit proporcional të shqiptarëve në çdo nivel të Komitetit Olimpik. Çdo vonesë apo shmangie është goditje ndaj të drejtave të barabarta dhe hap i rrezikshëm prapa për stabilitetin ndëretnik në vend”, thuhet në reagimin e BDI-së.

BDI së fundmi ka akuzuar edhe për diskriminim në M-NAV ku siç thuhet janë punësuar 14 maqedonas dhe vetëm dy shqiptar. Gjithashtu ka kritikuar se në FSSh janë bërë 19 avansime dhe se asnjë prej tyre nuk është shqiptar.