BDI: Mbi 730 konkurse para zgjedhjeve, përpjekje e dëshpëruar për të manipuluar qytetarët

Bashkimi Demokratik për Integrim e konsideron hapjen e mbi 730 konkurseve publike në prag të zgjedhjeve si një përpjekje të hapur dhe të dëshpëruar të Qeverisë për të manipuluar qytetarët dhe për të blerë përkrahje politike përballë humbjes së pashmangshme që e pret në tetor, transmeton Portalb.mk.

“Pas një viti të dështuar në çdo drejtim, pa reforma reale, pa progres në integrimin evropian, pa zhvillim ekonomik, pa përmirësim të standardit jetësor dhe me dështime spektakolare në politikën e jashtme, kjo Qeveri po përpiqet të mbulojë dështimin me mjete të vjetra: punësime parazgjedhore në administratë. Konkurset e shpallura, në vend që të jenë instrument për ndërtimin e institucioneve funksionale dhe profesionale, janë shndërruar në vegla elektorale, të dizajnuara për të krijuar iluzionin e një Qeverie që “po punon”, kur në të vërtetë po dështon në çdo plan. Kjo është një tentativë tjetër e radhës për të mashtruar qytetarët, për t’i trajtuar ata si numra në fushatë dhe për të siguruar mbështetje politike përmes interesit të ngushtë klientelist. Por qytetarët e dinë të vërtetën. Ata e shohin qartë qëllimin pas këtyre veprimeve”, thonë nga BDI.

BDI beson se zgjedhjet e ardhshme do të jenë një referendum i qytetarëve kundër kësaj politike, një mundësi për të ndëshkuar keqqeverisjen, paaftësinë dhe siç thonë ata, arrogancën që po i kushton vendit vite të tëra stagnimi.

“Asnjë konkurs i lënë i papërfunduar deri në zgjedhje nuk do të mund të rikthejë besimin e qytetarëve ndaj një pushteti që i ka tradhtuar pritjet dhe ka dështuar në çdo angazhim publik. Qytetarët nuk manipulohen. Qytetarët gjykojnë. Dhe gjykimi do të jetë i qartë në tetor”, shtojnë nga BDI.

Kujtojmë se në prag të zgjedhjeve lokale që do të mbahen këtë vjeshtë në Маqedoninë e Veriut, ueb-faqja e Agjencisë së Administratës është e vërshuar nga shpalljet për punësime. Kërkohen punonjës administrativë për ministri, komuna, ndërmarrje publike, spitale, ndërsa shpalljet janë të hapura deri në fund të korrikut, kur hyjnë në fuqi rregullat zgjedhore, sipas të cilave duhet të pezullohen procedurat, përveç rasteve kur ato janë urgjente.