BDI dhe VLEN e fajësojnë njëra-tjetrën për emrat e rrugëve, megjithëse të dyja mundën ta parandalonin shfuqizimin
Akuzat midis Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) dhe Komunës së Tetovës të udhëhequr nga VLEN kanë vijuar edhe sot për shfuqizimin e emrave të rrugëve në Tetovë nga Gjykata Kushtetuese. Derisa të dy palët kanë pasur në dorë të parandalojnë këtë vendim, asnjëra nuk ka vepruar, shkruan Portalb.mk.
Pasi Gjykata Kushtetuese javën e kaluar e shfuqizoi vendimin e vitit 2007 me të cilin Komuna e Tetovës i ndryshoi emrat e disa rrugëve dhe sheshit të qytetit, akuzat dhe kundërakuzat midis opozitës dhe pushtetit kanë vijuar çdo ditë.
Bajram Rexhepi nga BDI sot tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka fyer qytetarët e Tetovës. Ai i bëri thirrje Komunës së Tetovës që brenda dy ose tre ditëve të ardhshme të thërret seancë të jashtëzakonshme të këshillit komunal ku do të fillojë procedura për rimiratimin e vendimit 2007 të sjellë nga Këshilli Komunal i cili është shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese.
“Nëse Komuna e Tetovës do të shprehë gatishmëri që të rimiratojë këtë vendim, të thirrë seancë të jashtëzakonshme, do të ketë mbështetjen e plotë të këshilltarëve tanë. Nëse Komuna e Tetovës do të refuzojë thirrjen tonë të fundit për të thirrur seancë të jashtëzakonshme, atëherë do të konsiderojmë se Komuna e Tetovës është bashkëfajtore dhe bashkëautore e këtij vendimi skandaloz të Gjykatës Kushtetuese. Ky vendim sipas informatave që posedojmë është orkestruar dhe organizuar nga bota serbe dhe nga qarqet ruse që veprojnë në rajon, qëllimi i tyre është të nxisin tensione etnike”, tha Rexhepi.
Ai tha se nëse komuna nuk e pranon këtë kërkesë, ata do të shqyrtojnë masa të tjerat, të cilat nuk i bëri të ditura.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i Komunës së Tetovës, Albion Alili ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është orkestruar pikërisht nga ata të cilët duan të ndjellin tensione etnike, duke iu referuar BDI-së.
“BDI ka pasur 20 vite pushtet për ti rregulluar të gjithë punët tjera, përfshirë edhe ndryshimin e emrave të rrugëve, por nuk e kanë bërë deri tani. Një vendim që e kanë marrë në vitin 2007 nuk e kanë çuar deri në fund, pasi është dashur miratim nga Qeveria. Ata kanë qenë në pushtet për gjatë gjithë këtyre viteve dhe aspak nuk kanë punuar në këtë drejtim”, tha Alili.
Ai e ripërsëriti se çështja e emrave do të rregullohet përmes nismës për ndryshimin e emrave të rrugëve e cila tani më ka filluar në komunë, por që ende nuk ka afat konkret .
Kronologjia e ngjarjes
Në opinion kanë vërshuar reagimet dhe akuzat pasi Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi vendimin e vitit 2007 me të cilin Komuna e Tetovës i ndryshoi emrat e disa rrugëve dhe sheshit të qytetit. Por si qëndron e vërteta, si filloi gjithçka dhe pse u shfuqizuan këto emra, Portalb.mk sjell një kronologji të të gjithë procesit ndër vite.
Gjithçka nisi në 2007
Më 24.04.2007 në kohën kur Komuna e Tetovës udhëhiqej nga BDI-ja, kur kryetar ishte Hazbi Lika, Këshilli Komunal solli vendim për ndryshimin e emrit të sheshit dhe disa rrugëve nga emrat periudhës së komunizmit në emra të tjerë.
Sheshi i qytetit dhe shtatë rrugë morën emra në gjuhën shqipe, ndërsa tre rrugë u riemëruan në maqedonisht, edhe atë si vijon:
- Sheshi i qytetit “Marshall Tito” u emërua ‘Iliria’.
- Rruga ‘Marshall Tito’ u emërua ‘Iliria’.
- Rruga ‘JNA’ prej Kullës në rrugën ‘Ilindenska’ deri te udhëkryqi i rrugës ‘Bllagoja Toska’ u emërua ‘Dervish Cara’.
- Pjesa nga rruga ‘JNA’ prej udhëkryqit në rrugën ’Bllagoja Toska’ deri në fund të rrugës ‘JNA’ u emërua ‘Solunski Atentatori – Geminxhii’.
- Rruga ‘29 Nëntori’ u emërua ‘Mehmet Pashë Deralla’.
- Rruga ‘I.R.Llolla’ deri te Shkolla e Muzikës u emërua ‘Kongresi i Manastirit’..
- Pjesa nga rruga ‘I.R.Llolla’ nga Shkolla e Muzikës deri te udhëkryqi te Stadiumi i qytetit u emërua ‘Krushevska Republika’.
- Pjesa e rrugës ‘I.R.Llolla’ nga udhëkryqi te Stadiumi i qytetit deri në Poroj-Xhepçisht u emërua ‘Dëshmorët e Kombit’.
- Rruga ‘Boris Kidriç’ u emërua ‘Metodi Andonov Çento’.
- Rruga ‘R.Coniq’ u emërua në ‘Abdyl Frashëri’.
- Rruga ‘Lenin’ u emërua në ‘Sami Frashëri’.
Sipas Ligjit për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore, ky proces duhej të merrte pëlqim nga Qeveria.
Megjithatë ky vendim nuk mori pëlqim nga Qeveria e atëhershme e udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe PDSH.
Si rezultat, emrat e ri të rrugëve nuk figuruan në Kadastër, Regjistrin Qendror dhe Ministrinë e Brendshme, por u përdorën vetëm nga Komuna e Tetovës.
Nga institucionet qendrore vazhduan me vite të përdoren emrat e vjetër.
Në 2025 Lidhja e Luftëtarëve nga LNA-ja e kontestoi vendimin në Gjykatën Kushtetuese
Më 11.02.2025, Lidhja e Luftëtarëve nga Lufta Nacionalçlirimtare dhe Antifashiste e Maqedonisë 1941-1945, parashtroi nismë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Këshillit Komunal të Tetovës me të cilin u ndryshuan emrat e rrugëve, gati dy dekada më vonë.
Sipas pretendimeve në iniciativë, vendimi i kontestuar është në kundërshtim me nenin 8 paragrafi 1 alineja 3 dhe nenin 51 të Kushtetutës, si dhe me nenin 5 paragrafi 2 të Ligjit për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore.
Në mars 2026 Gjykata Kushtetuese e pranoi nismën dhe hapi lëndë
Më 04.03.2026, Gjykata Kushtetuese solli vendim me të cilin hapi lëndë për vlerësimin e kushtetutshmërisë për ndryshimin e emrave të disa rrugëve dhe sheshit në Tetovë.
Qershor 2026, Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi vendimin
Më 17.06.2026, me 5 vota “për” nga gjykatësit maqedonas, dhe votim ‘kundër’ nga dy gjyqtarët shqiptarë dhe ai i turk, Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi vendimin e vitit 2007 me të cilin u bënë ndryshimet e emrave të disa rrugëve dhe sheshit të qytetit.
Portalb.mk e ka kërkuar vendimin dhe arsyetimin e plotë nga Gjykata Kushtetuese, por nga aty na thanë se aktualisht po përfundojnë procedurat e nevojshme administrative që i paraprijnë publikimit të vendimit përfundimtar të Gjykatës.
“Pas përfundimit të tyre, vendimi do të publikohet në faqen zyrtare të internetit të Gjykatës dhe në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”. Arsyetimi i vendimit përmban qëndrimin e Gjykatës lidhur me arsyet e miratimit të tij”, tha Gjykata Kushtetuese për Portalb.mk.
Ndërkohë mësojmë se ky vendim i Gjykatës Kushtetuese është sjellë duke u bazuar në Nenin 5 paragrafi 2 të Ligjit për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore, sipas të cilit lista e emrave përcaktohet nga këshilli komunal pas marrjes së pëlqimit paraprak nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë.
Nga Gjykata Kushtetuese thuhet se nga dokumentacioni i dorëzuar nuk rezulton të ekzistojë akt me të cilin Qeveria ka dhënë pëlqimin për listën e emrave, siç kërkohet nga neni 5 paragrafi 2 i ligjit.
“Gjykata në katër raste kërkoi nga Komuna e Tetovës dokumentacionin e plotë që i parapriu miratimit të vendimit. Komuna dorëzoi vetëm Listën e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore nr. 07-1820/3 të datës 30.11.2006, por jo edhe pëlqimin e Qeverisë. Po ashtu, Gjykata iu drejtua tri herë edhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për ta siguruar këtë pëlqim, por ai nuk u dorëzua”, thuhet në nismën e Gjykatës Kushtetuese.
Për këtë arsye, Gjykata shprehu dyshimin se kushti ligjor i paraparë në nenin 5 paragrafi 2 nuk është përmbushur.
Komuna e Tetovës pati mundësi ta parandalonte shfuqizimin e vendimit
Udhëheqësia aktuale e Komunës së Tetovës e udhëhequr nga VLEN ka pasur mundësi që ta parandalojë Gjykatën Kushtetuese që të mos e shfuqizojë vendimin e vitit 2007 me të cilin Komuna e Tetovës i ndryshoi emrat e disa rrugëve dhe sheshit të qytetit, pasi BDI-ja në vitin 2007 e zhvilloi procedurën duke mos e respektuar në tërësi ligjin, por udhëheqësia komunale aktuale nuk veproi.
Nëse pas dorëzimit të nismës (shkurt 2025) dhe hapjes së lëndës (mars 2026) në Gjykatën Kushtetuese, Këshilli Komunal i Tetovës do të sillte vendim me të cilin vendimi i vitit 2007 do të shpallej i pavlefshëm dhe të votonte vendim të ri me pëlqimin e Qeverisë, atëherë Gjykata Kushtetuese nuk do të kishte bazë për ta vazhduar procedurën të cilën e hapi në mars. Sipas Nenit 39 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese, procedura do të ndërpritej. Por kjo nuk ndodhi dhe para dy ditëve gjykata e shfuqizoi vendimin e vitit 2007, me çka rikthehen emrat e vjetër nga periudha e komunizmit.
Nismë e re për ndryshimin e emrave të rrugëve në Tetovë që nga 2022 por pa epilog
Procesi i riemërimit të rrugëve në Tetovë filloi por nuk arriti të përfundojë gjatë administratës komunale 2021/25 dhe procesi u ndërpre pak para zgjedhjeve lokale.
Grupi i punës për këtë çështje u riformua në janar të këtij viti, ndërsa gjashtë muaj më vonë ende nuk ka diçka konkrete.
Albi Qamili, i cili është kryetar i këtij grupi punues sot tha se po punohet intenzivisht dhe se procesi është në fazën finale, ku janë pranuar 600 propozime për riemërimn e rrugëve.
Ai tha se me procesin për riemërimin e rrugëve, këto emra si që kanë qenë në vendimin e vitit 2007 do të barten në vendimin e ri, pra, do të mbeten.
“Nuk mund të jap afate, ajo që jam i sigurt është se brenda këtij viti do përfundojë si proces”, tha Qamili.
Nga opozita kanë kritikuar për zvarritje të procesit.
Edhe më herët në Tetovë ka pasur nisma të tilla që nuk kanë shkuar deri në fund.