Derisa zvarritet ndryshimi i emrave të rrugëve në Tetovë, Gjykata Kushtetuese i rrëzoi emrat e vitit 2007

Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut e ka shfuqizuar vendimin e vitit 2007 me të cilin sheshi i Tetovës dhe disa rrugë të qytetit morën emra në gjuhën shqipe dhe emra të figurave historike shqiptare. Me këtë vendim, emërtimet e vendosura para gati dy dekadash pushojnë së vlejturi dhe rikthehen emrat e mëparshëm të rrugëve dhe sheshit nga periudha komuniste, shkruan Portalb.mk.

Me këtë vendim sheshi “Iliria” quhet “Marshall Tito”, rruga “Dervish Caara” rikthehet në akronimin e ushtrisë jugosllave JNA, “Mehmet Pashë Deralla” rikethehet në “29 Nëntori” etj.

Vendimi është miratuar me 5 vota “për”, ndërsa dy gjyqtarët shqiptarë dhe ai i turk kanë votuar “kundër”.

Gjykata Kushtetuese e solli sot këtë vendim pas nismës së parashtruar nga Lidhja e Luftëtarëve nga Lufta Nacionalçlirimtare dhe Antifashiste e Maqedonisë 1941-1945, në fillim të këtij viti.

Sipas nismës Këshilli i Komunës së Tetovës i ka ndryshuar emrat pa pëlqimin e Qeverisë, në kundërshtim me Ligjin për caktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore, i cili ishte miratuar në vitin 2004 në Kuvend. Ata kërkuan që kuptimi i rrugëve të jetë vetëm në maqedonisht.

“Në seancën e sotme, Gjykata Kushtetuese vendosi ta pranojë Nismën për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Vendimit të Këshillit të Komunës së Tetovës nr. 07-766, të datës 24.04.2007, të cilën e dorëzuam së bashku me Lidhjen e Luftëtarëve të LNÇ-së së Tetovës më 11.02.2025, dhe e shfuqizoi vendimin e paligjshëm”, shkroi Darijan Sotirovski, një nga parashtruesit e kësaj nisme.

Portalb.mk e ka kërkuar vendimin e plotë nga Gjykata Kushtetuese, por deri në publikimin e këtij teksti nuk kemi marrë përgjigje.

Lidhur me këtë ka reaguar Bajram Rexhepi nga BDI-ja opozitare. Ai thotë se ky vendim është skandal dhe provokim i drejtpërdrejtë ndaj bashkëjetesës, barazisë dhe themeleve të shtetit të ndërtuar pas vitit 2001.

“Tetovën po mundohen ta kthejnë prapa, në një realitet të dhimbshëm diskriminimi, përjashtimi dhe mohimi. Udhëheqësia aktuale e Komunës së Tetovës, e cila dikur premtonte se do t’i ndryshonte edhe emrat e tjerë të rrugëve, u tregua e paaftë edhe për ta mbrojtur atë që e kishte trashëguar si vendim institucional. Këtu nuk bëhet fjalë për vendim juridik. Ky është mesazh politik”, tha Rexhepi.

Nga ana tjetër, këshilltari komunal nga VLEN, Albi Qamili njëherit ndër bashkëpunëtorët më të afërt të kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasamit këtë vendim e ka cilësuar si rezultat të punës gjysmake e BDI-së.

“Tandemi BDI – Gjykata Kushtetuese vazhdojnë tentativat për ta goditur VLEN-in duke i goditur shqiptarët. Po shfuqizojnë një vendim që nuk është implementuar asnjëherë. Nuk ka dyshim se kjo përbërje e Gjykatës Kushtetuese ndien një detyrim ndaj shumicës së mëparshme qeverisëse që i zgjodhi ata dhe sjell vendime për të ndihmuar politikisht BDI-në. Mjafton të shohim se kush i gëzohet vendimit skandaloz të kësaj përbërjeje të Gjykatës Kushtetuese. BDI-ja, e cila bëri zgjidhje gjysmake për riemërtimin e rrugëve dhe sot tinëzisht nxit vendime të tilla nga gjykata që e votuan vetë. Këtë vendim skandaloz e bazojnë te procedura që BDI-ja nuk e respektoi dhe si rrjedhojë ato emra asnjëherë nuk u bënë të plotfuqishme. Ne i kemi parapri kësaj, prandaj ka një Komision për Riemërtimin e Rrugëve në Tetovë i cili po punon intensivisht dhe së shpejti do të miratojë zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme e cila reflekton realitetin shoqëror të Tetovës”, tha Qamili.

Vendimi nga Këshilli i Tetovës ishte miratuar në vitin 2007, kur në krye të Komunës ka qenë Hazbi Lika nga BDI, ndërsa në Qeveri ka qenë PDSH-ja.

Çështja e emrave ka qenë kaotike, pasi Ministria e Brendshme dhe Regjistri Qendror nuk i kishin futur në sistem ndryshimet, ndërkohë që në mënyrë të njëanshme, emrat reflektoheshin vetëm në nivel komunal nëpër tabela e shkresat e tyre.

Në ndërkohë, emërimi i rrugëve është temë aktuale në Tetovë dhe është përcjellë me shumë debate dhe kritika politike.

Procesi i riemërimit të rrugëve në Tetovë nuk arriti të përfundojë gjatë administratës komunale 2021/25 dhe procesi u ndërpre pak para zgjedhjeve lokale, ndërsa grupi i punës për këtë çështje u riformua në janar të këtij viti, ndërsa gjashtë muaj më vonë ende nuk ka diçka konkrete. Derisa opozita kritikon për zvarritje të procesit, nga komuna thonë se këtë muaj pritet të dorëzohen materiale në këshill.

Në këtë proces nuk është i përfshirë ndryshimi i emrave të shkollave dhe institucioneve publike, ashtu siç u promovua në vitin 2022 përmes nismës për ndryshimin e emrave të rrugëve, shkollave dhe institucioneve publike në Tetovë nga Shoqata Akademike e Shqiptarëve për Art dhe Shkencë dhe Komunës së Tetovës.

Në Tetovë edhe pse disa rrugë janë emëruar në gjuhën shqipe, të njëjtat shfrytëzohen vetëm nga Komuna e Tetovës gjatë komunikimit me qytetarët kurse në dokumente zyrtare vazhdojnë të qëndrojnë emrat nga koha e ish Jugosllavisë.

Edhe më herët në Tetovë ka pasur nisma të tilla që nuk kanë shkuar deri në fund.