Emrat në Tetovë: VLEN pati mundësi të veprojë para se Gjykata Kushtetuese ta shfuqizojë zgjidhjen gjysmake të BDI-së

Udhëheqësia aktuale e Komunës së Tetovës e udhëhequr nga VLEN ka pasur mundësi që ta parandalojë Gjykatën Kushtetuese që të mos e shfuqizojë vendimin e vitit 2007 me të cilin Komuna e Tetovës i ndryshoi emrat e disa rrugëve dhe sheshit të qytetit, pasi BDI-ja në vitin 2007 e zhvilloi procedurën duke mos e respektuar në tërësi ligjin, por udhëheqësia komunale aktuale nuk veproi, raporton Portalb.mk.

Nëse pas dorëzimit të nismës (shkurt 2025) dhe hapjes së lëndës (mars 2026) në Gjykatën Kushtetuese, Këshilli Komunal i Tetovës do të sillte vendim me të cilin vendimi i vitit 2007 do të shpallej i pavlefshëm dhe të votonte vendim të ri me pëlqimin e Qeverisë, atëherë Gjykata Kushtetuese nuk do të kishte bazë për ta vazhduar procedurën të cilën e hapi në mars.  Sipas Nenit 39 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese, procedura do të ndërpritej. Por kjo nuk ndodhi dhe para dy ditëve gjykata e shfuqizoi vendimin e vitit 2007, me çka rikthehen emrat e vjetër nga periudha e komunizmit.

Kronologjia e ngjarjes

Në opinion kanë vërshuar reagimet dhe akuzat pasi Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi vendimin e vitit 2007 me të cilin Komuna e Tetovës i ndryshoi emrat e disa rrugëve dhe sheshit të qytetit. Por si qëndron e vërteta, si filloi gjithçka dhe pse u shfuqizuan këto emra, Portalb.mk sjell një kronologji të të gjithë procesit ndër vite.

Gjithçka nisi në 2007

Më 24.04.2007 në kohën kur Komuna e Tetovës udhëhiqej nga BDI-ja, kur kryetar ishte Hazbi Lika, Këshilli Komunal solli vendim për ndryshimin e emrit të sheshit dhe disa rrugëve nga emrat periudhës së komunizmit në emra të tjerë.

Sheshi i qytetit dhe shtatë rrugë morën emra në gjuhën shqipe, ndërsa tre rrugë u riemëruan në maqedonisht, edhe atë si vijon:

  • Sheshi i qytetit “Marshall Tito” u emërua ‘Iliria’.
  • Rruga ‘Marshall Tito’ u emërua ‘Iliria’.
  • Rruga ‘JNA’ prej Kullës në rrugën ‘Ilindenska’ deri te udhëkryqi i rrugës ‘Bllagoja Toska’ u emërua ‘Dervish Cara’.
  • Pjesa nga rruga ‘JNA’ prej udhëkryqit në rrugën ’Bllagoja Toska’ deri në fund të rrugës ‘JNA’ u emërua ‘Solunski Atentatori – Geminxhii’.
  • Rruga ‘29 Nëntori’ u emërua ‘Mehmet Pashë Deralla’.
  • Rruga ‘I.R.Llolla’ deri te Shkolla e Muzikës u emërua ‘Kongresi i Manastirit’..
  • Pjesa nga rruga ‘I.R.Llolla’ nga Shkolla e Muzikës deri te udhëkryqi te Stadiumi i qytetit u emërua ‘Krushevska Republika’.
  • Pjesa e rrugës ‘I.R.Llolla’ nga udhëkryqi te Stadiumi i qytetit deri në Poroj-Xhepçisht u emërua ‘Dëshmorët e Kombit’.
  • Rruga ‘Boris Kidriç’ u emërua ‘Metodi Andonov Çento’.
  • Rruga ‘R.Coniq’ u emërua në ‘Abdyl Frashëri’.
  • Rruga ‘Lenin’ u emërua në ‘Sami Frashëri’.

Sipas Ligjit për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore, ky proces duhej të merrte pëlqim nga Qeveria.

Megjithatë ky vendim nuk mori pëlqim nga Qeveria e atëhershme e udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe PDSH.

Si rezultat, emrat e ri të rrugëve nuk figuruan në Kadastër, Regjistrin Qendror dhe Ministrinë e Brendshme, por u përdorën vetëm nga Komuna e Tetovës.

Nga institucionet qendrore vazhduan me vite të përdoren emrat e vjetër.

Në 2025 Lidhja e Luftëtarëve nga LNA-ja e kontestoi vendimin në Gjykatën Kushtetuese

Më 11.02.2025, Lidhja e Luftëtarëve nga Lufta Nacionalçlirimtare dhe Antifashiste e Maqedonisë 1941-1945, parashtroi nismë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Këshillit Komunal të Tetovës me të cilin u ndryshuan emrat e rrugëve, gati dy dekada më vonë.

Sipas pretendimeve në iniciativë, vendimi i kontestuar është në kundërshtim me nenin 8 paragrafi 1 alineja 3 dhe nenin 51 të Kushtetutës, si dhe me nenin 5 paragrafi 2 të Ligjit për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore.

Në mars 2026 Gjykata Kushtetuese e pranoi nismën dhe hapi lëndë

Më 04.03.2026, Gjykata Kushtetuese solli vendim me të cilin hapi lëndë për vlerësimin e kushtetutshmërisë për ndryshimin e emrave të disa rrugëve dhe sheshit në Tetovë.

Qershor 2026, Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi vendimin

Më 17.06.2026, me 5 vota “për” nga gjykatësit maqedonas, dhe votim ‘kundër’ nga dy gjyqtarët shqiptarë dhe ai i turk, Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi vendimin e vitit 2007 me të cilin u bënë ndryshimet e emrave të disa rrugëve dhe sheshit të qytetit.

Portalb.mk e ka kërkuar vendimin dhe arsyetimin e plotë nga Gjykata Kushtetuese, por nga aty na thanë se aktualisht po përfundojnë procedurat e nevojshme administrative që i paraprijnë publikimit të vendimit përfundimtar të Gjykatës.

“Pas përfundimit të tyre, vendimi do të publikohet në faqen zyrtare të internetit të Gjykatës dhe në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”. Arsyetimi i vendimit përmban qëndrimin e Gjykatës lidhur me arsyet e miratimit të tij”, tha Gjykata Kushtetuese për Portalb.mk.

Ndërkohë mësojmë se ky vendim i Gjykatës Kushtetuese është sjellë duke u bazuar në Nenin 5 paragrafi 2 të Ligjit për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore, sipas të cilit lista e emrave përcaktohet nga këshilli komunal pas marrjes së pëlqimit paraprak nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë.

Nga Gjykata Kushtetuese thuhet se nga dokumentacioni i dorëzuar nuk rezulton të ekzistojë akt me të cilin Qeveria ka dhënë pëlqimin për listën e emrave, siç kërkohet nga neni 5 paragrafi 2 i ligjit.

“Gjykata në katër raste kërkoi nga Komuna e Tetovës dokumentacionin e plotë që i parapriu miratimit të vendimit. Komuna dorëzoi vetëm Listën e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore nr. 07-1820/3 të datës 30.11.2006, por jo edhe pëlqimin e Qeverisë. Po ashtu, Gjykata iu drejtua tri herë edhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për ta siguruar këtë pëlqim, por ai nuk u dorëzua”, thuhet në nismën e Gjykatës Kushtetuese.

Për këtë arsye, Gjykata shprehu dyshimin se kushti ligjor i paraparë në nenin 5 paragrafi 2 nuk është përmbushur.

BDI: Vendim skandaloz dhe antishqiptar

Nga BDI-ja opozitare vendimin e Gjykatës Kushtetuese e konsiderojnë si të papranueshëm, skandaloz dhe antishqiptar.

Këshilltari komunal Berat Murati kërkoi që nesër të mbahet seancë e jashtëzakonshme e Këshillit Komunal, ku do të rimiratohet i njëjti vendim.

“Ky nuk është vendim juridik, por goditje e rëndë dhe e qëllimshme ndaj identitetit historik. në 2006 BDI e miratoi këtë vendim me marrëveshje të plotë politike. Sot kërkojmë që ky vendim të rimiratohet menjëherë”, tha Murati.

I pyetur nga Portalb.mk se pse gjatë kohës kur BDI-ja ishte në pushtet, nuk e realizoi këtë proces në përputhje me ligjet në fuqi dhe nuk e korrigjoi këtë lëshim të vitit 2007, Murati u arsyetua.

“Arsyetimin ende nuk e kemi nga Gjykata Kushtetuese, tani e ka shansin kryesia e re e Komunës së Tetovës që ne nesër të thirrim seancë të jashtëzakonshme kërkojmë që edhe njëherë ky vendim të miratohet, përkrahjen tonë e kanë”, tha Murati.

VLEN: Vendimi i 2007 nuk është implementuar pasi ishte proces gjysmak, vijon procesi i ri

Këshilltari komunal në Tetovë nga VLEN, Albi Qamili njëherit ndër bashkëpunëtorët më të afërt të kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasamit, thotë se vendimi i Këshillit Komunal të vitit 2007 që është bërë riemërimi i 11 rrugëve dhe sheshit nuk ka hyrë në fuqi për shkak se nuk ka pasur pëlqim atë kohë nga Qeveria.

“Kjo e konfirmon se BDI dhe pushteti i kaluar i ka lënë punët gjysmake. As Kadastra, as Regjistri Qendror nuk i ka regjistruar këto emra në sistem. Përveç Komunës së Tetovës askush tjetër nuk i shfrytëzon ato emra të vendimit të vitti 2007”, tha Qamili.

Ai thotë se kjo çështje po tentohet të nxiret në kontekst etnik, por ai thotë se në vendim ka edhe emra maqedonas, jo vetëm shqiptarë.

“Është defokusim i qartë i opinionit, në moment kur ne po finalizojmë procesin e emërimit të rrugëve, me zgjidhje të qëndrueshme, me vendim të këshillit por edhe me vendim nga qeveria”, tha Qamili.

Nismë e re për ndryshimin e emrave të rrugëve në Tetovë që nga 2022 por pa epilog

Procesi i riemërimit të rrugëve në Tetovë filloi por nuk arriti të përfundojë gjatë administratës komunale 2021/25 dhe procesi u ndërpre pak para zgjedhjeve lokale.

Grupi i punës për këtë çështje u riformua në janar të këtij viti, ndërsa gjashtë muaj më vonë ende nuk ka diçka konkrete.

Albi Qamili, i cili është kryetar i këtij grupi punues sot tha se po punohet intenzivisht dhe se procesi është në fazën finale, ku janë pranuar 600 propozime për riemërimn e rrugëve.

Ai tha se me procesin për riemërimin e rrugëve, këto emra si që kanë qenë në vendimin e vitit 2007 do të barten në vendimin e ri, pra, do të mbeten.

“Nuk mund të jap afate, ajo që jam i sigurt është se brenda këtij viti do përfundojë si proces”, tha Qamili.

Nga opozita kanë kritikuar për zvarritje të procesit.

Edhe më herët në Tetovë ka pasur nisma të tilla që nuk kanë shkuar deri në fund.