BDI-ja publikoi dokumente kadastrale dhe kërkoi hetim për lidhjen pronësore midis Visar Ganiut dhe drejtorit të “Nomagas”, Nedim Rama

Bashkimi Demokratik për Integrim sot publikoi dokumente nga Agjencia e Kadastrës të cilët, siç pohon, hapin dyshime serioze për marrëdhëniet pronësore dhe biznesore midis ish-kryetarit të Komunës së Çairit, Visar Ganiu dhe drejtorit aktual të NOMAGAS-it, Nedim Rama, të cilin partia opozitare e akuzon se ka përfituar kapital të konsiderueshëm pronësor dhe financiar derisa ka qenë i punësuar në Komunën e Çairit si këshilltar i Izet Mexhitit. Nga VLEN-i reaguan duke i hedhur poshtë si të pavërteta informatat që sot BDI-ja i prezantoi për gjoja lidhshmërinë pronësore të Ganiut me Ramën, njofton Portalb.mk.

Sipas pohimeve të BDI-së, Visar Ganiu dhe Nedim Rama janë të lidhur me parcelë e cila është regjistruar në lokacion të njëjtë dhe në të cilën është evidentuar kompleks nga shtatë uikend shtëpiza. Bënë thirrje që Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Policia Financiare, Drejtoria e të Hyrave Publike dhe Prokuroria Publike që urgjentisht të hetojnë rastin.

“Sipas të dhënave zyrtare të Kadastrës: Në Fletën Pronësore nr. 730, në Komunën Kadastrale Lisec-Vongrad, si bartës të së drejtës figurojnë Visar Ganiu dhe Nedim Rama. Të dy lidhen me parcelën 1/455, e regjistruar në të njëjtin lokalitet. Për të njëjtën parcelë është hapur edhe Fleta për Parashënim të Ndërtimit nr. 1213, ku si bartës i së drejtës figuron Visar Ganiu. Në këtë parcelë janë evidentuar shtatë objekte me destinim “A4-3 – shtëpi vikendi”. Pra, nuk bëhet fjalë për një pronë të zakonshme, por për një kompleks prej disa objekteve vikendi të ndërlidhura me persona që deri dje menaxhonin pushtetin lokal, ndërsa sot drejtojnë institucione strategjike shtetërore”, thonë nga BDI-ja opozitare.

Nga Partia pyesin kur dhe si është krijuar kjo lidhje pronësore ndërmjet Visar Ganiut dhe Nedim Ramës, me çfarë mjetesh financiare është realizuar ndërtimi i shtatë objekteve vikendi, a janë deklaruar këto prona dhe investime në fletët anketuese dhe deklarimet e pasurisë dhe se a ekzistojnë marrëdhënie të tjera biznesore mes personave që sot kontrollojnë pozita të rëndësishme publike.

Kjo është çështje e origjinës së pasurisë, transparencës dhe konfliktit të mundshëm të interesit për persona që për vite të tëra kanë administruar buxhete publike dhe sot drejtojnë institucione me rëndësi strategjike për shtetin. Qytetarët meritojnë përgjigje për një pyetje të thjeshtë: A fshihet pas partneritetit politik të VLEN-it edhe një partneritet privat dhe biznesor?”, thuhet në kumtesën e BDI-së.

Në reagimin e VLEN-it tuhet se BDI-ja nuk lufton kundër korrupsionin, por që përpiqet ta fsheh korrupsionin e vet.

“Nga të dhënat kadastrale nxirren konstruksione politike. Përzihen nocione si fleta pronësore, bartësi i së drejtës, parcela, paraqitja për ndërtim dhe destinimi i objektit, me qëllim që te publiku të krijohet përshtypja për diçka që nuk është aspak e vërtetë. Ata duan ta paraqesin një tokë prej 60 metrash katrorë, me pjesë ideale nga 30 metra katrorë, si 7 vikend-shtëpiza. Fantashkencë në regjinë e humbësve politikë”, potencojnë nga VLEN-i, duke e akuzuar BDI-në se manipulon me informata të pasakta.

Nga atje u bëjnë thirrje institucioneve të kontrollojnë gjithçka që duhet që të shihet qse nëse ekziston ndonjë keqpërdorim në rastin që e publikoi BDI-ja, por njëkohësisht kërkojnë që partia opozitare të ndalohet, siç thonë, ta manipulojë opinionin publik me konstruksione të rreme dhe montime politike.

“BDI nuk ka të drejtë të japë leksione për transparencën. Jo për partinë që për vite me radhë kontrolloi buxhetet publike. Jo për partinë që la pas probleme të pazgjidhura, gjysmëzgjidhje dhe parregullsi institucionale. Jo për partinë që pushtetin e përdori për përfitime personale, biznese partiake dhe mbrojtjen e qarqeve të veta.

BDI sot nuk kërkon të vërtetën. BDI kërkon perde tymi. Kërkon një temë me të cilën do ta mbulojë frikën e vet nga llogaridhënia. Kërkon një skandal të rremë për të ikur nga pyetjet e vërteta. Kush u pasurua derisa BDI ishte në pushtet? Cilat biznese u rritën nën mbrojtje politike? Cilët funksionarë dhe persona të afërt krijuan pasuri ndërkohë që institucionet ishin vënë nën kontroll partiak? Të afërmit e Ali Ahmetit, familja e Bujar Osmanit apo rrethi i miqve të Blerim Bexhetit?”, pyesin nga VLEN-i.