U përmbyll nata e dytë e Festivalit të Këngës në RTK, Agim Poshka me “Ndarja erdhi” paraqitet sonte

Mbrëmë u mbajt nata e dytë e Festivalit të Këngës në RTK. Edhe nata e dytë e Festivalit, për gjithë dashamirët e këngës ofroi një spektakël magjik, ku të pranishmit në sallë dhe shikuesit nëpërmjet transmetimit të drejtpërdrejtë anembanë botës, patën mundësinë të përjetojnë një natë të mbushur me plot emocione, njofton Portalb.mk.

Në natën e dytë të Festivalit të Këngës mysafirë specialë ishin Mjellma e Shkumbin Istrefi” dhe rock-grupi “Lindja”.

Sonila Meço, gazetarja dhe moderatorja e mirënjohur nga Shqipëria, me fjalët e saj plotë inspirim, e udhëhoqi një pjesë të kësaj mbrëmje me pasion.

Tetë konkurrentë të Festivalit të Këngës kënduan këngë hite si “Kaçurrelja”, “Unë dhe ti” të Pirro Çakos dhe Rovena Dilos, “Heroi i qytetit pa lumë” të “Gjurmëve”.

Pika tjetër artistike ishte edhe ajo ku nën tingujt e këngës “Mesnata” të së madhes Vaçe Zela, balerinët Fatmir Smani dhe Mërgime Morina kanë sjellë baletin e tyre në një vallëzim romantik.  E veçanta e këngës ka qenë se si nis me zërin e Vaçe Zelës dhe shkrihet në atë të Flaka Krelanit.

Juria e përbërë nga Minire Fetahu, redaktore e muzikës në RTK, Jane Sugarman, njohëse e muzikës ballkanike, Ardianë Pajaziti, drejtoreshë e gazetës online KultPlus, Valbona Selimllari, Miss i parë shqiptar dhe Blerta Zeqiri, regjisore në fund të mbrëmjes vendosën për 9 këngët finaliste.

Sonte në natën finale do të paraqiten: Agim Poshka me “Ndarja erdhi”, Arnite Kastrati me “Blla blla”, Besmir Shishko me “Unë Ajo”, Rei Bezhani me “Zonjë tradhti”, Endrit Krasniqi me “Flasë me gjethen”, Ardit Stafaj “Faji”, Greta Azizi me “Veres”, Dea Strica me këngën “N’Shqipni”, Blendi Kaso me “Një të vetme ka në jetë”.

Disa çaste pas përzgjedhjes së nëntë këngëve finaliste të edicionit të dytë të Festivalit të Këngës në RTK, panelistët e “Post Festivalit” komentuan vendimin e jurisë dhe gjithçka tjetër rreth kësaj mbrëmje.

Muzikologia Kristina Palokaj në fjalën e saj tha se “Mendoj që juria ka bërë një përzgjedhje duke u bazuar jo veç në parametra muzikor, por edhe të tekstit, muzikës, orkestrimit. Kur e shohim nga këndvështrime të ndryshme, sigurisht se pajtohesh me zgjedhjen e tyre. Ata kanë tentuar të zgjedhin këngë me përcjellje të mesazheve të ndryshme”, u shpreh Kristina Palokaj.

Aktori Alban Goranci për përzgjedhjen e këngëve tha “e vlerësoi se kjo përzgjedhje është bërë duke respektuar laramaninë e zhanreve, temave, motiveve”.