Banja e Tetovës e mbushur me mbeturina (FOTO)

Banja e Tetovës mbetet ndër pikat më kritike që vazhdimisht mbushet me mbeturina, për të cilat zgjidhje autoritetet nuk kanë gjetur ende, raporton Portalb.mk.

Sipas fotografive të shkrepura nga redaksia e Portalbit nga terreni i Banjës së Tetovës shihen mbeturina të hedhura në çdo cep nga ana e qytetarëve.

Për këtë problem, gjatë vitit 2022, Komuna e Tetovës informoi se do të instalojë kamera sigurie në pikat më kritike ku qytetarët hedhin mbeturina, ku të njëjtat do të mund të përcillen nga çdo qytetar të njëjtit do mund të denoncojë qytetarët e papërgjegjshëm të cilët do të hedhin mbeturina në hapësira publike.

I pyetur nga Portalb.mk në vitin 2022,  se si do të veprohet me këtë pikë e cila vazhdimisht ndotet, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se edhe këtu do vendoset mbikëqyrje përmes kamerave.

“Sa i përket Banjës së Tetovës ju e shihni se është një projekt te pjesa rekreative, ne veç më kemi një shoqatë e cila merret me përkujdesjen e kësaj pjese. Aty ku do të jetë e nevojshme, jo vetëm përgjatë rrugës së banjës por edhe në pikat tjera kritike do instalohen kamera, dhe do jenë të përcejellura 24 orë nga persona kompetent, ku do identifikohen qytetarë që ndotin dhe do denoncohen konform procedurave ligjore. Të njëjtën do mund ta bëjnë edhe qytetarët, sepse kamerat do të jenë në një faqe publike ku qytetarët do mund t’i përcjellin. Jemi në fazën e rregullimit të platformës e cila do jetë 24 orë në dispozicion”, deklaroi me 7 maj 2022 Kasami.

Pavarësisht kësaj, gjendja në terren mbetet e pandryshuar, këtë e vërtetojnë më së miri fotografitë e mëposhtme.

Ndërkaq, edhe shoqata  “Eco Life” e cila vullnetarisht mirëmban dhe pastron hapësirat në Banjën e Tetovës, të enjten (25 maj 2023), përmes një reagimi njoftuan se kryetari i Komunës dhe Këshilli Komunal nuk i janë përgjigjur tre kërkesave të tyre për më tepër se një vit e gjysmë.

Përveç mbeturinave, te Banja e Tetovës, problem në vete është dheu i cili rrëshqet dhe del në rrugë, kështu duke vënë në rrezik qytetarët.

Ndonëse ishte paraparë që projekti i UNDP-së me Komunën e Tetovës për punimet ndërtimore për murrin mbajtës të dheut rrëshqitës përgjatë rrugës së Banjës të Tetovës të përfundonte në muajin mars të këtij viti, afati për këtë është shtyrë deri në fund të muajit korrik.

Nga ana tjetër, me propozim të Aleancës për Shqiptarët në buxhetin e shtetit për vitin 2023 janë ndarë 3 milionë denarë për këtë mur mbrojtës.

Megjithatë nga Komuna e Tetovës për këtë të enjten (25 maj 2023) për Portalb deklaruan se “mjetet financiare ende nuk kanë arritur në Komunën e Tetovës”.

Autoritetet deri tani nuk kanë gjetur zgjidhje për problemin e dheut i cili bllokon rrugën çdoherë që ka reshje.