Pastrimi i kodrës me zgjyrë nga Shkritorja e Velesit vonohet, ndotja po rritet

Kodra e zezë me zgjyrë nga Shkritorja e Velesit është ende qëndron. Më shumë se tre vjet pasi filloi projekti për pastrimin e mbetjeve të rrezikshme që kërcënojnë qytetin, nuk ka pothuajse asnjë përparim. Lënda e parë minerale teknogjene nuk gërmohet dhe nuk eksportohet, ndërsa nga viti 2019, pasi kompania “Keps Mont Grup” mori koncesion nga Ministria e Ekonomisë dhe leje të integruar B nga Komuna e Velesit, deri tani janë eksportuar më pak se 500 tonë, shkruan Meta.mk, njofton Portalb.

Tashmë tre muaj nëpër institucione, me kërkesë të koncesionarit “Keps Mont Grup”, vijon procedura për zgjerim të aktivitetit me grimcim dhe bluarjen e lëndëve të para minerale teknogjene. Kërkojnë që të punohet me një impiant me teknologji të re për përgatitje shtesë të lëndës së parë, e cila ka kapacitet prej 30 mijë tonësh në muaj, sepse thonë se vetëm në këtë mënyre do të mund ta eksportojnë. Impianti, sipas paralajmërimeve nga koncesionari, ka filluar të montohet para tre muajve, por ende nuk ka përfunduar.

Nga Ministria e Mjedisit Jetësor thonë se kërkesa për plotësimin e aktivitetit është ende në shqyrtim.

“Lidhur me vendimin që do të marrë MMJPH, ju informojmë se procedura është në vazhdim e sipër. Presim që të përfundojë më së voni deri në fund të javës së ardhshme”, u përgjigjën shkurt nga Ministria e Mjedisit Jetësor.

Ministria e Ekonomisë konfirmoi para dy muajve se në nëntor të vitit të kaluar i kanë dhënë leje koncesionarit për të kryer punime në minierë sipas projekti shtesë minerar, i cili krijon parakushte për eksploatim të lëndës së parë minerale, që përfshin gërmimin, ngarkimin në bunker pritës, ndarje nga rrënojat dhe përgatitje për eksport.

Edhe nga Komuna e Velesit informojnë se tashmë e kanë përgatitur mendimin për Njoftimin për qëllim të koncesionarit për realizimin e projekti dhe përcaktim të nevojës për vlerësim të ndikimit ndaj mjedisit jetësor për projektin – Eksploatimi i lëndëve të para minerale teknogjene (TMS) në lokalitetin “Bash kolibi”, me instalim të impiantit për aktivitete shtesë të gërmimit dhe bluarjes në Komunën e Velesit. Mendimi në mars është dorëzuar deri te Ministria e Mjedisit Jetësor, ndërsa nga vetëqeverisja lokale thonë se kanë mjaft vërejtje për kërkesat e koncesionarit.

“Në dokumentacion nuk opërmendet se çfarë lloj dërrmuesish janë, përmasat e tyre dhe as se mbi çfarë bazamenti duhet të vendosen. Në njoftim mungon edhe skemë se si do të vendosen pajisjet shtesë që do të instalohen dhe e cila do të ndërtohet. Nuk ka as të dhëna se nëse të gjithë pajisjet që do të instalohen, si dhe separatori, do të jenë sistem i mbyllur për minimizim të emetimeve të pluhurit në ajër, ndërsa nuk ka as vlerësim për ndikim të dridhjeve dhe cilat janë masat për zbutjen e tyre”, thuhet në mendimin nga Komuna e Velesit.

Nga atje theksojnë se për pajisjet që koncesionari ka paralajmëruar se do të vendosë në lokacionin “Bash Kolibi” duhet të kujdeset për qëndrueshmërinë dhe mbrojtjen sizmike të tokës, që të mos vijë deri në deformim dhe shembje të pajisjes së instaluar. Sipas Studimit të Fizibilitetit nga viti 2007, rreziku sizmik i deponisë është përcaktuar si mesatar deri në i lartë, ndërsa duke pasur parasysh pjerrësinë e deponisë, ekziston rreziku i rrëshqitjes, gjë që përfaqësuesit e komunës konsiderojnë se është dashur të shënohet në njoftim. Në dokument, Komuna e Velesit kërkon që edhe proceset e thërrmimit dhe bluarjes të sqarohen në mënyrë plotësuese dhe të tregohen grafikisht, veçanërisht vendet ku do të krijohet pluhur.

Nga fillimi i vitit 2020, kur punimet në terren ngecën për shkak të pandemisë Kovid-19 deri më tani, nga kodra e zezë me zgjyra janë eksportuar 100 tonë në Malajzi në vitin 2019 dhe shtesë 368,9  tonë në Serbi, Shqipëri, Turqi dhe Kosovë në vitin 2020.

Sipas vlerësimeve, deponia e Shkritores së dikurshme ka rreth dy milionë tonë zgjyrë. Konsiderohet se rreth dhjetë për qind ose rreth 200 mijë tonë janë zink, i cili ka vlerë të madhe që duhet përdorur. Në deponi ka edhe 0,2 për qind arsenik dhe 2 për qind plumb, si dhe indium dhe antimon. Të gjitha këto metale të rënda, të mbetura në deponi në kushte siç është tani për momentin, të pambrojtura dhe në të hapur, nën ndikim të kushteve të motit, largohen nga era dhe shirat dhe e rrezikojnë mjedisin jetësor.

Portalb.mk dhe Meta.mk kanë disa vite që shkruajnë për rrezikun që fshihet nga deponia e zgjyrës në Veles, në listën e pikave të nxehta, e renditur e dyta, menjëherë pas OHIS-it të Shkupit. Sasitë e mbetjeve, por edhe toksiciteti i metaleve të rënda që përmban zgjyra, si dhe afërsia me zonat e banuara, e bëjnë këtë pikë një nga më të rrezikshmet në vend.