Korrupsioni me ndarjen e paligjshme të ndihmave sociale në RMV: 36 të akuzuar për ryshfet dhe abuzim me pozita zyrtare

Prokuroria për Krimin e Organizuar ka ngritur aktakuzë ndaj 36 personave për përfshirje në dy grupe kriminale që kanë ndërmjetësuar në mënyrë të paligjshme përfitimin e të drejtave për kujdes dhe pension invaliditeti, kundrejt shumave nga 150 deri në 5,000 euro. Të përfshirë janë mjekë, një avokat dhe zyrtarë publikë, që kanë abuzuar me pozitat e tyre. Deri tani, 13 të pandehur kanë pranuar fajësinë dhe janë dënuar me burg ose masa alternative. Prokuroria kërkon zgjatjen e masave të sigurisë për disa nga të akuzuarit, transmeton Portalb.mk.

“Pas një hetimi të nisur në fund të prillit të këtij viti, Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ngriti aktakuzë kundër 36 personave. Ekziston dyshim i bazuar se dhjetë nga të pandehurit kanë kryer vepra penale, si vijon: Bashkimi kriminal, vepra penale – Dhënia e ryshfetit dhe vepra penale – Marrja e shpërblimit për ndikim të paligjshëm, pesë persona kanë kryer vepër penale Bashkimi kriminal dhe vepra penale – Marrja e ryshfetit, dy persona kanë kryer vepër penale Bashkimi kriminal dhe vepra penale – Marrja e shpërblimit për ndikim të paligjshëm, ndërsa 19 personat e tjerë akuzohen për kryerjen e veprës penale Dhënia e shpërblimit për ndikim të paligjshëm dhe veprës penale – Dhënia e ryshfetit”, thonë nga Prokuroria.

Sipas provave, të pandehurit janë organizuar në dy grupe kriminale që, gjatë vitit 2023 dhe deri në prill 2024, kanë ndërmjetësuar dhe mundësuar në mënyrë të paligjshme fitimin e të drejtave për kujdesin dhe pensionin e invaliditetit të dikujt tjetër, në këmbim të parave. Çmimi për këto shërbime varionte nga 150 deri në 5,000 euro, varësisht nga lloji dhe kohëzgjatja e të drejtës së ofruar.

“Organizatorët dhe anëtarët e grupeve – përfshirë mjekë, një avokat dhe zyrtarë nga disa institucione publike – përdorën pozicionin e tyre zyrtar dhe ndikimin real për të lëshuar në mënyrë të paligjshme opinione dhe vendime mjekësore në favor të paditësve. Në këtë mënyrë, u anashkaluan dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen Sociale. Gjatë procedurës së deritanishme, 13 të pandehur kanë lidhur marrëveshje për pranimin e fajësisë me prokurorinë dhe në bazë të tyre, Gjykata Themelore Penale e Shkupit ka shpallur vendime me të cilat të pandehurës së parë i është shqiptuar dënimi me burg prej tre vjetësh e gjashtë muajsh për veprën penale bashkim kriminal, veprën penale dhënie ryshfeti dhe veprën penale marrje ryshfeti, si dhe i janë marrë 15.000 euro të fituara në mënyrë të paligjshme, ndërsa të tjerëve që kanë arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë u është shqiptuar masa alternative – dënime me kusht me burgim prej 1 deri në 2 vjet, i cili dënim me burg nuk do të ekzekutohet nëse të pandehurit nuk kryejnë vepër të re penale brenda tre ose pesë viteve, njërit prej tyre i është privuar dobia pasurore që ka lindur si rezultat i kryerjes së veprës penale – kompensim për ndihmë dhe kujdes nga një person tjetër në shumën totale prej 36.520,00 denarësh, dhe një personi i është privuar dobia pasurore e fituar në mënyrë të paligjshme prej 2.360 eurosh dhe 81.000 denarësh. Me aktakuzën, prokurori publik i propozoi gjykatës që masat e sigurisë të vendosura ndaj të pandehurve të zgjaten – paraburgimi për pesë persona dhe arresti shtëpiak për pesë persona, si dhe masat paraprake për të pandehurit e tjerë”, shtojnë nga Prokuroria.

Më 24 prill të këtij viti, Prokuroria njoftoi se u shtypën dy grupe kriminale që kanë keqpërdorur procedurën për përfitimin e të drejtës për përkujdesje nga të tjerët dhe të drejtën e pensioneve invalidore, ndaj 49 personave u ngritën kallëzime penale, 23 u privuan nga liria, ndërsa një person ishte në kërkim. Me datë 23.04.2025, MPB-ja në koordinim me prokurorin publik kompetent pranë PTHP NKOK, ka kryer aksion policor, gjatë të cilit janë kryer bastisje në disa lokacione në rajonet e Shkupit, Velesit, Tetovës dhe Gostivarit, ndërsa 23 persona janë privuar nga liria, përderisa një person nuk ishte në dispozicion të  organeve hetuese. Gjatë bastisjeve janë gjetur dhe sekuestruar 110.000 euro, 65.000 denarë dhe 100 dollarë, disa telefona celularë, fletore me të dhënat e debitorëve, si dhe dokumentacion të ndryshëm mjekësor dhe disa vula faksimile.