Mungesë gjyqtarësh, padi nga punonjësit dhe buxhet nën minimumin ligjor: Çfarë gjeti Revizioni në Gjykatën Supreme të RMV-së?

Enti Shtetëror i Revizionit publikoi Raportin Përfundimtar të Revizionit për Gjykatën Supreme të Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2024, duke evidentuar një sërë çështjesh që ndikojnë në funksionimin financiar dhe administrativ të institucionit më të lartë gjyqësor në vend. Sipas raportit, ekzistojnë procese gjyqësore në vazhdim, rezultati përfundimtar i të cilave ende nuk dihet, duke krijuar pasiguri lidhur me detyrimet dhe implikimet financiare që mund të rëndojnë buxhetin e Gjykatës Supreme në të ardhmen, transmeton Portalb.mk.

Revizorët kanë konstatuar gjithashtu mangësi në sistemin e vlerësimit të personelit. Edhe pse Ministria e Drejtësisë në vitin 2020 ka miratuar formularë për vlerësimin e nëpunësve gjyqësorë, këto formularë nuk përfshijnë policinë gjyqësore dhe administratorët e gjykatave, duke lënë një pjesë të stafit jashtë procesit të vlerësimit profesional.

Një tjetër problem i evidentuar është mungesa e administratorit gjyqësor në Gjykatën Supreme që nga shtatori i vitit 2023, gjë që mund të ndikojë në efikasitetin e menaxhimit administrativ dhe organizativ të institucionit.

Raporti ngre shqetësime edhe për financimin e pushtetit gjyqësor. Sipas gjetjeve të revizionit, mjetet e ndara nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2024 nuk arrijnë nivelin ligjor prej 0,8 përqind të bruto prodhimit vendor, siç parashikohet për financimin e sistemit gjyqësor. Mjetet e ndara nga Buxheti i vitit 2024 për financimin e Pushtetit Gjyqësor paraqesin 0,3% të PBB-së.

Përveç këtyre, revizorët kanë identifikuar edhe një dobësi sistemore: mungesën e dispozitave ligjore që rregullojnë pagat e të punësuarve në gjykata që kryejnë punë teknike dhe ndihmëse. Kjo situatë krijon pasiguri dhe pabarazi në trajtimin e kësaj kategorie të punonjësve.

Gjetjet e raportit nënvizojnë nevojën për reforma dhe masa konkrete në drejtim të forcimit të kapaciteteve administrative, sigurimit të financimit adekuat dhe përmirësimit të kornizës ligjore që rregullon funksionimin e sistemit gjyqësor në vend.

Kujtojmë se Enti Shtetëror i Revizionit, në raportin paraprak konstatuan parregullsi Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë (MPSDR), ku revizorët kanë konstatuar se sistemi dhe aktivitetet për realizimin, pagesën dhe kontrollin e të drejtave nga mbrojtja sociale nuk janë në përputhje, në të gjitha aspektet materiale, me legjislacionin përkatës ligjor dhe nënligjor dhe shumë parregullsi të tjera.