AUV: 30 gjoba dhe 12 ndalesa për ushtrimin e veprimtarisë pas kontrolleve të jashtëzakonshme në rajonin e Gostivarit

Moszbatimi i masave për dezinfektim, dezinsektim dhe deratizim, moskryerja e kontrolleve të detyrueshme shëndetësore për të punësuarit, si dhe operatorë të paregjistruar të ushqimit, janë disa nga parregullsitë e konstatuara gjatë 70 kontrolleve të jashtëzakonshme inspektuese të kryera në rajonin e Gostivarit, transmeton Portalb.mk.

“Në lidhje me parregullsitë e konstatuara – moszbatim i masave për dezinfektim, dezinsektim dhe deratizim te 5 operatorë, moskryerje e kontrolleve të detyrueshme shëndetësore për të punësuarit te 18 operatorë, si dhe 11 persona juridikë të cilët nuk ishin të regjistruar si operatorë të ushqimit në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV). Përveç gjobës, ndaj tyre është shqiptuar edhe ndalim i përkohshëm i ushtrimit të veprimtarisë deri në regjistrimin e tyre”, njoftojnë nga AUV.

Gjatë kontrolleve, dy operatorë u kapën duke nxjerrë në treg ushqim të pasigurt, në sasi prej 18 kilogramësh. Bëhet fjalë për virshlle, kos të thartë, kos, sallam në feta dhe gjalpë, të cilat, sipas AUV-së, janë asgjësuar në mënyrë të sigurt.

“Për parregullsitë e konstatuara, përveç urdhrit për kryerjen e kontrolleve të detyrueshme shëndetësore për të punësuarit te operatorët e ushqimit, ndalimeve për ushtrimin e veprimtarisë (12), vërejtjeve dhe urdhrave për eliminimin e parregullsive, janë shqiptuar edhe 30 gjoba në vlerë të përgjithshme prej 7.750 euro, në kundërvlerë me denarë”, thuhet në njoftim.

Shërbimet inspektuese të AUV-së të martën realizuan 70 kontrolle të jashtëzakonshme në rajonin e Gostivarit, duke përfshirë operatorë nga sektorë të ndryshëm, si objekte tregtare, kafene, piceri, furra buke, ëmbëltore, sanduiçore, qebaptore, subjekte për prodhimin dhe paketimin e frutave dhe perimeve, si dhe operatorë të tjerë të ushqimit.

Fokusi i kontrolleve ishte verifikimi nëse operatorët e rajonit po respektonin ndalimin e vendosur nga AUV për përdorimin e ujit nga sistemi i furnizimit me ujë të Gostivarit.

Nga AUV bëjnë të ditur se gjatë kontrolleve nuk janë konstatuar shkelje në këtë aspekt.

“Për shërbimin dhe larjen e enëve, sipërfaqeve të punës dhe pajisjeve, ndalimi është respektuar dhe është përdorur ujë i ambalazhuar dhe ujë i sigurt gjatë proceseve të punës”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, është konstatuar se në objektet hotelierike, për shërbimin e mysafirëve janë përdorur gota dhe enë njëpërdorimëshe prej plastike dhe letre.

Kujtojmë se me propozim të Prokurorisë, Gjykata Penale në Gostivar shqiptoi 30 ditë paraburgim për tre të dyshuarve për ndotjen e ujit në sistemin e ujësjellësit në Gostivar. Gjykatësja Dragoslada Veselinova tha se duke pasur parasysh dënimin e paraparë me ligj që iu ngarkohet të dyshuarve sanksionohet me të paktën 4 vjet burg, ndërsa, shtoi ajo nëse lihen të mbrohen në liri, ekziston rreziku që ata të arratisen ose të ndikojnë te dëshmitarët.

Inspektorët e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, së bashku me policinë dhe përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit, konstatuan se në tubacionin kryesor ishte vendosur në mënyrë të paligjshme një pompë që fuste drejtpërdrejt ujë nga lumi Vardar. Kontrolli u krye pas njoftimit të prokurorit publik për shkak të dyshimeve se uji ishte ndotur, pas ankesave të qytetarëve. Më pas, uji u ndalua për pirje.

Prokuroria Publike më 20 korrik shpalli rezultatet e analizave, të cilat treguan se në ujë kishte pasur 48 herë më shumë baktere se vlerat e lejuara.