Kovaçevski: Ka mundësi që të ndërpritet marrëveshja me “Sinohydro” për autostradën Kërçovë-Ohër

Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se është e palejueshme që deputetët në Kuvend ta shqyrtojnë edhe një herë vazhdimin e afatit për ndërtimin e autostradës Kërçovë-Ohër, e cila po ndërtohet tashmë dhjetë vjet dhe duhet menduar në drejtim të ndërprerjes së marrëveshjes me kontraktorin kinez, shkruan Meta, transmeton Portalb.mk.

“Është e papranueshme që një autostradë e gjatë 40 kilometra të ndërtohet tashmë mbi 10 vjet, e që ende nuk është ndërtuar. E në ndërkohë sërish të kërkohet shtyrje e afatit. Unë tashmë i kam njoftuar disa kolegë nga Qeveria se do të kërkoj revizion nga ana e Entit Shtetëror të Revizionit për këtë projekt e mbi bazë të të cilit do të merret vendimi. Me qenë se ky projekt ka 10 vjet që nuk është përfunduar për një sërë arsyesh që kanë të bëjnë që nga projektimi deri në realizimin e vetë projektit, mendoj se duhet të mendohet në drejtim të ndërprerjes së kësaj marrëveshjeje dhe të kërkohet një kontraktues që do ta bëjë atë në mënyrë cilësore”, tha Kovaçevski.

Edhe në Konferencën e parë për infrastrukturën rrugore që mbahet sot në Ohër, zëvendëskryeministri Artan Grubi doli me qëndrim të njëjtë si kryeministri Kovaçevski. Grubi thotë se të gjitha projektet infrastrukturore në vend nuk kanë vlerë nëse nuk përfundohet autostrada Kërçovë-Ohër.

“Bëj thirrje për përgjegjësi, para të gjithëve juve, këtu, mendoj se ka ardhur koha që Qeveria dhe Kuvendi ta rishikojnë atë marrëveshje dhe të shohim se çfarë do të bëjmë më pas”, tha zëvendëskryeministri Grubi.

Përndryshe kompania kineze “Sinohydro” për përfundimin e autostradës Kërçovë-Ohër ka afat deri më 31 dhjetor të këtij viti. Aneksi i fundit për shtyrjen e afatit për ndërtimin e kësaj autostrade u miratua në gusht të vitit 2021, kur qeveria dhe Kuvendi i dhanë kësaj kompanie muaj shtesë për përfundimin e saj.

Rikujtojmë se kjo autostradë ka filluar të ndërtohet që nga fundi i vitit 2014 dhe deri tani ka ngrënë 600 milionë euro investime.