Asnjë fjalë për ndryshimet në Kodin Penal në seancën e sotme për rastin “Titanik”

Heshtje në sallën e gjyqit për ndryshimet në Kodin Penal. As prokurori, as avokatët, as të pandehurit nuk i përmendën ndryshimet në Kodin Penal, me të cilat është përcaktuar vjetërimi i veprës “bashkim kriminal” të Nikolla Gruevskit dhe Kiril Bozhinovskit për parregullsi zgjedhore, transmeton Portalb.mk.

Avokatët thonë se gjykata nuk mundet me propozimin e tyre apo sipas detyrës zyrtare të vendosë vjetërimin e veprës penale në mes të gjykimit, por vetëm me iniciativën e prokurorisë. Prokurorja Lile Stefanova në fjalën e saj përfundimtare planifikon të vendosë për vjetërimin e këtij rasti. Më pas, sipas procedurave, do të tërhiqet akuza për bashkim kriminal dhe gjykata do të caktojë vetrimin në aktgjykim.

Sipas Stefanovës, gjykimi për rastin “Titanik” në çdo rast duhet të vazhdojë pasi të pandehurit po gjykohen edhe për vepra të tjera. “Bashkimi kriminal” – vepra që ka edhe dënim maksimal prej dhjetë vitesh burgim, me ndryshimet është ulur, gjegjësisht në maksimum prej tre vjetësh burgim, me çka kjo vepër i vjetërohet Gruevskit dhe Bozhinovskit.

Sot u dëgjuan dëshmitarët – ata i konfirmuan deklaratat e tyre që i kanë dhënë edhe më parë. Ky rast ka të bëjë me parregullsitë zgjedhore dhe në gjyq është ish-kryeministri Nikolla Gruevski.

Në këtë rast, përveç Gruevskit dhe Kiril Bozhinovskit, të akuzuar janë edhe Janakieski, Jankulloska, Ilija Dimovski e të tjerë. Për këtë vepër sipas dënimeve të vjetra janë dënuar Mile Janakieski dhe Gordana Jankulloska, si dhe Martin Protugjer. Për 14 të pandehurit, afati i vjetërimit ka skaduar në vitin 2020, pasi ishin vendosur në grupin e bashkëpunëtorëve të bashkimit kriminal. Rastet e tjera janë: TNT, Talir, Talir 2, Tarifa, Dizajni, Toplik, Titanik 2, Tenderët, Trajektorja, Shkallët Spanjolle, Fortesa.

Ndryshimet në Kodin Penal shkaktuan furtunë reagimesh dhe protestash, ndërsa shqetësim shprehu edhe Bashkimi Evropian, duke konsideruar se ndryshimet në Kodin Penal u miratuan pas një procedure të shpejtë me flamur evropian dhe pa dëgjim publik.

Ndryshe, më 4 korrik, Gjykata e Apeit në Shkup i uli dënimet për një pjesë të të dënuarve për rastin “Titanik”. Sipas njoftimit të Gjykatës së Apelit, qëndroi dënimi me kusht për ish-shefin e kabinetit të Nikolla Gruevskit, Martin Protugjer, dënimi me kusht ngeli edhe për ish-ministren e Nikolla Gruvekit, Gordana Jankulloska, ndërsa ish-ministri i transportit, Mile Janakievski u dënua me 3 vjet e 6 muaj, periudhë ku është përfshirë edhe koha efektive dhe paraburgimi shtëpiak.

Me aktgjykimin e Apelit, dënim me kusht mori edhe punonjësi i policisë, Munir Pepiq – ndërsa dënimi me një vjet burg nuk do të mbahet, nëse i akuzuari nuk kryen ndonjë vepër penale në pesë vitet e ardhshme.

Kujtojmë që në muajin shkurt, në rastin “Titanik 1”, Jankullovska ishte dënuar me 2 vjet e 6 muaj burg, Janakieski me 4 vjet e 6 muaj burg, Kosta Mitrovski 3 vjet burg, ndërsa Munir Pepiq një vjet burg.

Rasti “Titanik”, i cili trajton krimet kundër zgjedhjeve dhe votimin në zgjedhjet parlamentare të 2011 dhe 2014 dhe zgjedhjet lokale të 2013, ka nisur me vonesë për shkak të ndryshimit në këshillin gjyqësor. Në fillimin e ri të gjykimit, Janakiveski dhe shtatë të pandehur të tjerë e pranuan fajësinë. Më pas, ish-ministri u deklarua fajtor për shumicën e veprave.

Ai u deklarua i pafajshëm vetëm për keqpërdorimin e financimit të fushatës, akt për të cilin prokuroria tani ka hequr dorë nga ndjekja penale.

Pas pranimit të fajësisë për veprat tjera, Janakiveski dhe shtatë të tjerë morën aktgjykim nga gjykata e shkallës së parë. Ai u dënua me 4 vjet e gjashtë muaj burg.

Të pandehur të tjerë që e pranuan fajësinë ishin edhe ish-ministrja Gordana Jankulloska, e cila u dënua me 2 vjet e 6 muaj burg, ish-zëvendësministrja e drejtësisë Gordana Brishkovska-Boshkovski dhe Martin Protugjer, të cilët u dënuan me kusht. Nga katër të tjerët që e pranuan fajin, tre morën gjithashtu dënime me kusht, ndërsa një i pandehur u dënua me tre vjet burg.

Përveç atyre që u deklaruan fajtorë për akuzat në rastin Titanik janë edhe ish-kryeministri i arratisur Nikolla Gruevski, ish-sekretari i përgjithshëm i qeverisë Kirill Bozhinovski, ish-deputeti Ilija Dimovski, ish-kryetari i Pustecit Edmond Temelko dhe 12 të tjerë të akuzuar për bashkim kriminal, shkelje të së drejtës së votës, shkelje të lirisë së zgjedhjes së votuesve, ryshfet gjatë zgjedhjeve dhe votimit, shkatërrim të materialit zgjedhor dhe keqpërdorim të mjeteve për financimin e fushatës zgjedhore.

  • Të gjitha lajmet për lëndën “Titanik” mund t’i lexoni KËTU