AShMAA ngriti padi kundër MShIA-së, pasi sipas tyre kjo ministri shkel ligjin për shërbime mediatike

Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele sot ngriti padi kundër Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës, e cila sipas tyre, në vazhdimësi shkel Ligjin për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele, duke rezikuar kështu funksionimin e gjithë sektorit audioviziv, transmeton Portalb.mk.

“Me ndryshimet e Ligjit nga korriku i vitit të kaluar, propozues i së cilës është kjo Ministri, shuma e mjeteve të ndara nga Buxheti i Shtetit për financimin e veprimtarisë radiodifuzive, të destinuara për funksionimin e Agjencisë, Radio Televizionit të Maqedonisë dhe NP Radio Televizioni i Maqedonisë ishte përcaktuar saktësisht”, thonë nga AShMAA.

Ata shtojnë se ndryshe nga detyrimi ligjor, Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës transferon më pak mjete sesa parashikohet me ligj, pra për gjashtë muajt e fundit rregullatori ka marrë 4,812,030,00 më pak. Në fakt, praktika negative e uljes së mjeteve ka vazhduar për një periudhë më të gjatë, sepse Ministria e Shoqërisë së Informatike dhe Administratës, edhe para miratimit të ndryshimeve të fundit ligjore, transferonte më pak mjete, duke shfrytëzuar të drejtën e diskrecionit të mundësuar nga ligji paraprak.

“Kjo ulje e tillë arbitrare e financimit është një shkelje e drejtpërdrejtë e Ligjit dhe vë në pikëpyetje jo vetëm pavarësinë, por edhe kryerjen e kompetencave të Agjencisë. Pas harmonizimit të Ligjit për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele me standardet dhe rregulloret më të fundit evropiane, Agjencia mori obligime shtesë që tani të jetë kompetente edhe për subjektet e tjera të tregut, si platformat e shkëmbimit të videove dhe influencuesit”, shtojnë nga AShMAA.

Shkelja e Ligjit për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele krijon pasiguri juridike, ndikon negativisht në funksionimin e Agjencisë, RTM-së dhe MRD-së, si dhe në tërë sektorin audioviziv. Rerspektimi i Ligjit është parakusht për progres pozitiv në proceset integruese evropiane, por edhe për qasje të mediave maqedonase, organizatave dhe shoqatave në fondet evropiane të destinuara për zhvillimin e fushës audioviziv dhe kulturës, buxheti i përgjithshëm i së cilës në kuadër të Programit Evropa Kreative 2021-2027 është gati 2 miliardë e gjysmë euro.