ASh: Stadiumi i Tetovës të mos keqpërdoret për qëllime parazgjedhore, kërkojmë transparencë

Lidhur me rikonstruimin e stadiumit të Tetovës, ka reaguar Aleanca për shqiptarët. Ata thonë se do të përkrahin çdo nismë dhe iniciativë që do ta zgjidh përfundimisht çështjen e rregullimit, dhe rinovimit të Stadiumit të Qytetit, e cila iniciativë duhet të jetë në kuadër të ligjit, procedurës së rregullt të tenderimit, transparencës dhe llogaridhënies, së parasë publike të qytetarëve të Tetovës. Por, kërkojnë që ky rast të  mos keqpërdoret për qëllime parazgjedhore, transmeton Portalb.mk.

“Gjithashtu ASH do të denoncojë dhe do të dënojë çdo keqpërdorim dhe abuzim me indicje për të mashtruar opinionin për efekt elektoral, me paratë publike të Tetovarëve. Pas deklaratës së Kreut të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami rreth hapjes së tenderit per stadiumin e ri, ne si ASH Tetovë por edhe si qytetar të rëndomtë e si sportdashës, shprehim dilemat dhe dyshimet tona që në fillim për keqpërdorime dhe mallverzime në këtë proces”, shtonë nga partia ASh.

Prandaj publikisht i shtrojnë dilemat dhe njëkohësisht parashtrojnë pyetje për të cilat presin përgjigje nga Komuna e Tetovë edhe atë:

  1.  Si është e mundur një ndërmarje transportuese e cila ka paraqitur humbje në anën tjetër të shpall tender milionëshe euro?
  2.  A është paraparë ky furnizim publik në programin dhe në planin e Komunës së Tetovës në vitin 2023 kur është përpiluar buxheti dhe a eshte votuar i njëjti në Këshillin Komunal?
  3.  A është e ligjshme që të fillohet procedura e tenderimit pa buxhet dhe pa konstrukcion financiar, kur vetë komuna gjeneron borxh publik ndërsa ndërmarrja funskionon me humbje.
  4. A janë kushtet e tenderimit në përputhje me përmasën e projektit për stadium?
  5.  Përse krahas renovimit apo ndërtimit të stadiumit të Qytetit, duhet të ndërtohen stadiume ndihmëse në Qendrën sportive dhe në Fshatin Saraqinë kur e kemi stadionin ndihmës i njohur si Stadiumi i Luboteni. Përse stadiumet ndihmësë mos të ndërtohen aty ku janë sot dhe shtrojmë pyetjen çka bëhet me hapësirën e stadiumit të vjetër?

“Deklarata e Kryetarit të Komunes së Tetovës z. Bilall Kasamit pas publikimit të tenderit dhe pas mbarimit te gjitha procedurave, ku pretendon se i njejti mund të ndihmohet edhe nga FFM, UEFA dhe Agjencioni për rini dhe sport nuk duket serioze, përderisa paraprakisht janë mbyllur te gjitha procedurat dhe nuk ka siguruar mbështetje paraprake për projektin në fjalë nga institucionet e lartpërmendura. Këto janë shqetësimet tona dhe të qytetarëve të Tetovës të cilët me shumë të drejtë duhet të jenë të informuar! Mbi të gjitha duhet të ketë transparencë dhe llogaridhënie!”, shtojnë nga Aleanca për Shqiptarët

Kujtojmë se kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami theksoi se rikonstruimi do bëhet me para nga komuna të cilat do sigurohen nga të hyrat e komunës prej pagesave të qytetarëve, ai theksoi se nuk është paraparë ndonjë hua.

Pas shumë premtimeve disa vjeçare dhe deklaratave të shumta, me 22 nëntor 2023 u hap tenderi për stadiumin e Tetovës.

Sipas shpalljes publike të bërë nga ana e Ndërmarrjes Publike “Tetova Transport”, lënda e kontratës së prokurimit publik është ndërtim dhe rikonstruim i objekteve sportive, ndërkaq vlera e parashikuar është 600.000.000 denarë pa TVSH, që i bie rreth 9.7 milionë euro.

Tenderi do të jetë i hapur deri më 22 dhjetor 2023, ndërsa kohëzgjatja e kontratës është në periudhë prej 36 muajsh.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se në fazën e parë është parë hartimi i projektit ideor të stadiumit të qytetit, do të përgatitet duke respektuar standardet e UEFA-s për infrastrukturën e stadiumeve dhe rekomandimet për ndërtimin e objekteve të reja dhe rindërtimin e atyre ekzistuese.

Gjendja e financiare e Komunës së Tetovës është e rëndë pasi komuna ka borxh prej 8.4 milionë eurove, i cili para dy viteve ishte 14 milionë euro. Kasami ka deklaruar se këtë borxh do e ulin me menaxhim më efikas të taksave komunale.

Për rikonstruimin e stadiumit janë bërë një maratonë premtimesh.

Kryetari i Komunës së Tetovës gjatë vitit 2023 ka deklaruar disa herë për rikonstruimin e stadiumit, në nëntortetorkorrik dhe maj. Edhe vitin 2022 disa herë Kasami përmendi se pritej të kishte zgjidhje brenda atij viti. Rikonstruimin Kasami e përmendi edhe në debatet parazgjedhore.

Rikujtojmë që edhe kryetarja paraprake, Teuta Arifi për rikonstruimin e stadiumit bëri një maratonë premtimesh, në vitin 2013, më pas në vitin 2017 si dhe përsëri në vitin 2021, por kjo nuk u realizua në terren.

Përndryshe, stadiumi i Tetovës është në gjendje të shkatërruar dhe nuk plotëson standardet e UEFA-s, skuadra tetovare “Shkëndija” ndeshjet evropiane i luan në Shkup.