Artisti nga Kosova Sejdi Kapllanaj do të sjellë në Shkup ekspozitën “Figura Humane”, thirrje për të parë më thellë se çfarë na bën njerëz

Me datë (3 prill) me fillim nga ora 19.00 në Galerinë Nacionale në objektin Çifte Hamam në Shkup, do të hapet ekspozita me titull “Figura Humane” e artistit nga Kosova Sejdi Kapllanaj, transmeton Portalb.mk.

Kuratorja e ekspozitës Narona Luma Veseli për Portalb.mk tha se kjo ekspozitë është një thirrje për të parë më thellë se çfarë na bën njerëz dhe si të kuptojmë më mirë diversitetin që ekziston brenda çdo individi.

“Artisti Sejdi Kapllanaj në këtë ekspozitë vjen me 36 piktura të formateve të ndryshme, një cikël interesant të punuara me akril. Në këtë ekspozitë, ngjyrat luajnë një rol të rëndësishëm, pasi ato nuk janë vetëm elemente estetike, por edhe mjete për të shprehur emocione, identitete dhe situata të ndryshme që përjetojnë njerëzit në jetën e përditshme”, tha Luma Veseli.

Luma Veseli gjithashtu potencoi se çdo figurë e paraqitur në këtë ekspozitë është një interpretim personal i asaj që do të thotë të jesh njeri në botën e sotme.

“Pikturat nuk janë thjesht portrete, por janë krijime që përfaqësojnë rrugëtimin e brendshëm të individëve, përballjen me realitetet dhe përpjekjen për të gjetur një identitet të vërtetë. Kjo ekspozitë është një mundësi për të reflektuar mbi ndërlikimet e natyrës njerëzore dhe për të vlerësuar bukurinë e ndryshimit dhe pasurisë që secili individ sjell në shoqëri”, tha Luma Veseli.

Piktura nga artisti Sejdi Kapllanaj. Foto: Sejdi Kapllanaj
Piktura nga artisti Sejdi Kapllanaj. Foto: Sejdi Kapllanaj

Artisti Sejdi Kapllanaj për Portalb.mk tha se figura e njeriut social duhet gjithmonë të mbështetet.

“Figura e njeriut social duhet gjithmonë të mbështetet, si moralisht ashtu edhe materialisht Jeta e individit në këtë botë është plot sfida dhe peripeci të ndryshme. Në artin tim, figura e njeriut shfaqet e deformuar, pa shpresë dhe pa lumturi”, tha Kapllanaj.

Kapllanaj gjithashtu e vlerësoi lartë artin në përgjithësi.

“Vlerësimi im për artin në përgjithësi është jashtëzakonisht i lartë”, tha ai.

Sipas tij, arti është thelbësor për shoqërinë njerëzore dhe ka një vlerë të pamasë për shumë arsye, edhe atë:

  • Si mjet shprehjeje dhe komunikimi:
  • Shprehje personale dhe emocionale: Arti ofron një mënyrë unike për individët të shprehin mendimet, emocionet dhe përvojat e tyre në mënyra që fjalët shpesh nuk mund t’i kapin.
  • Komunikim universal: Arti mund të tejkalojë barrierat gjuhësore dhe kulturore, duke komunikuar ide dhe ndjenja në mënyrë universale.
  • Dokumentim historik dhe kulturor: Arti shërben si një regjistrim i historisë, kulturës, besimeve dhe vlerave të shoqërive të ndryshme gjatë kohës. Na ndihmon të kuptojmë të kaluarën dhe të lidhemi me të.
  • Si burim vlere dhe impakti shoqëror:
  • Nxit kreativitetin dhe imagjinatën: Angazhimi me artin, si krijues ashtu edhe shikues, nxit kreativitetin, imagjinatën dhe mendimin kritik.
  • Zhvillim personal dhe mirëqenie: Krijimi dhe vlerësimi i artit mund të ketë efekte terapeutike, duke reduktuar stresin, përmirësuar gjendjen shpirtërore dhe rritur vetëdijen.
  • Ndërtim komuniteti dhe identiteti: Arti mund të bashkojë njerëz nga prejardhje të ndryshme, duke krijuar një ndjenjë të identitetit të përbashkët dhe përkatësisë.
  • Katalizator për ndryshim social: Arti shpesh përdoret si një mjet për të sfiduar normat, ngritur zërin për çështje të rëndësishme sociale dhe frymëzuar ndryshime.
  • Pasurim i jetës: Arti sjell bukuri, kënaqësi, reflektim dhe kuptim në jetën tonë të përditshme. Na ndihmon të shohim botën nga perspektiva të ndryshme dhe të vlerësojmë kompleksitetin e saj.

Ai shtoi se arti nuk është thjesht një zbukurim ose një hob, siç thotë, është një pjesë integrale e asaj që do të thotë të jesh njeri.

“Ai pasuron jetën tonë individualisht dhe kolektivisht, na ndihmon të kuptojmë veten dhe botën përreth nesh, dhe luan një rol thelbësor në formësimin e kulturës dhe shoqërisë. Prandaj, vlerësimi im për artin në përgjithësi është jashtëzakonisht i lartë dhe besoj se ai meriton mbështetje dhe vlerësim të vazhdueshëm”, tha Kapllanaj.

Për të gjithë artëdashësit ekspozita do të jetë e hapur deri më 13 prill 2025.

Piktura nga artisti Sejdi Kapllanaj. Foto: Sejdi Kapllanaj
Piktura nga artisti Sejdi Kapllanaj. Foto: Sejdi Kapllanaj