Kërkohet drejtor i ri i QKR-së –gjatë mandatit të saj Arsovska ka ndërruar 36 drejtorë të ndërmarrjeve dhe institucioneve publike

Kryetarja Danella Arsovska ka ndërruar gjithsej 36 drejtorë në 16 institucione nën kompetencë të Qytetit të Shkupit, tregojnë të dhënat që Meta.mk i ka siguruar duke përdorur Ligjin për qasje të lirë në informata publike, transmeton Portalb.mk.

Postin e kryetares së Qytetit të Shkupit Arsovska e mori në nëntor të vitit 2021, pra në këtë detyrë ajo është plot 22 muaj. Sipas kësaj të paktën një ndërmarrje apo institucion në muaj ka mbetur pa person drejtues, ndërsa në këtë post është emëruar një tjetër.

Pas ardhjes së Arsovskës në krye të Qytetit të Shkupit numri më i madh i drejtorëve, rreth katër, janë ndërruar në ndërmarrjen Parkingu i Qytetit, ndërsa nga tre drejtorë janë ndërruar në ndërmarrjen Rrugë dhe Rrugica, ndërmarrjen e Qarkullimit Publik dhe ndërmarrjen Ujësjellësi dhe  Kanalizimet.

Të vetmet institucione që janë nën ingerencat e qytetit dhe ku Arsovska nuk e ka ndërruar drejtorin janë Qendra Kulturore e Fëmijëve Karposh, Salla Universale dhe Shtëpia e Kulturës “Koço Racin”.

Dje Qyteti i Shkupit ka publikuar shpallje për zgjedhjen e drejtorit të Institucionit Publik Qendra Kulturore Rinore (QKR) – Shkup. Në shpalljen e publikuar kriteret nuk janë rigoroze – kërkohet që kandidati të jetë shtetas i Maqedonisë, të mos ketë vendim gjyqësor me të cilin i ndalohet kryerja e detyrës, të ketë të paktën 5 vjet përvojë në fushën e kulturës (ose projekte në fushën e kulturës) dhe një vërtetim/çertifikatë ndërkombëtare për njohje të gjuhës angleze.

Por, disa ditë më parë, siç publikoi “Slloboden Peçat”, janë publikuar shpalljet me të cilat Qyteti i Shkupit kërkon drejtorë për tre ndërmarrje publike – NQP Shkup, Parkingu i Qytetit dhe Llajka. Tre drejtorët e këtyre ndërmarrjeve janë ushtrues detyre dhe maksimumi ligjor për këtë pozitë është gjashtë muaj.

Arsovska paraprakisht informoi se ka mbajtur një takim koordinues me drejtorët aktualë të ndërmarrjeve publike, ku është diskutuar për projektet për vitin e ardhshëm, ndërsa në takim nuk kanë qenë të pranishme dy drejtoresha – Radmilla Pesheva nga “Llajka” dhe Kosana Mazneva nga “Higjiena Komunale”. Për këtë shkak në opinion u përhapën spekulime se mund të ketë ndryshime të reja në postet drejtuese në periudhën që vjen.

Disa nga emërimet e Arsovskës shkaktuan debate në opinion, ndërsa kishte edhe iniciativë për ndjekje penale, pikërisht për pozitën për të cilën tani është shpallur konkurs – drejtorin e QKR-së. Në korrik të këtij viti Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ka konstatuar se kryetarja e qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, në kundërshtim me ligjin ka emëruar si ushtrues detyre drejtorët e Qendrës Kulturore Rinore (QKR) dhe Kopshtit Zoologjik.

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit  ka sjellë vendim për fillimin e procedimit penal për shkak se ajo ka shkelur ligjin duke emëruar në post drejtues një person që nuk ka qenë i punësuar në institucionin publik, dhe atë në kundërshtim me nenin 31 të Ligjit për Kulturë. Bëhet fjalë për vendimin për emërimin e detektivit të diplomuar Nikolla Aleksov për ushtrues detyre drejtor i Qendrës Kulturore Rinore. Edhe Gjykata Administrative paraprakisht ka marrë vendim që Arsovska ta anulojë vendimin.

Nga ana tjetër në kopshtin zoologjik pas skandalit me therjen e kuajve, u shkarkua nga posti Kristijan Stamenovi dhe në vend të tij si ushtrues detyre drejtor kryetarja Arsovska e emëroi Dragan Ilievskin, i cili gjithashtu nuk ishte i punësuar në këtë ndërmarrje. Në janar të këtij viti ai u bë ushtrues detyre drejtor në NP Ujësjellësi dhe Kanalizimi.  Për momentin ushtrues detyre drejtor i Kopshtit Zoologjik të Shkupit është Zoran Popov, i cili është i punësuar në këtë institucion.

Emërimi i u.d. drejtorëve – mundësi për ndikime politike

Numri më i madh i drejtorëve të emëruar nga Arsovska, që është praktikë pothuajse në çdo sferë dhe në çdo sektor në vend, janë ushtrues detyre, përkatësisht mandati i tyre është gjashtë muaj dhe më pas zgjatet ose pas përfundimit të tij, nëse nuk zëvendësohen, bëhen drejtorë.

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit  në një numër të madh rastesh reagon se pozita e ushtruesit të detyrës drejtor nuk përdoret për të “tejkaluar një gjendje të paparaparë derisa postet drejtuese të plotësohen me shpalljen e konkurseve publike”, siç parashikohet në ligjet materiale, por përdoret rregullisht sikur të ishte e vetmja mënyrë për të emëruar drejtorë. Kjo, sipas këtij komisioni, lë hapësirë ​​për ndikime politike.

Në seancën ku u diskutua për u.d. drejtorët e emëruar nga Arsovska, antikorrupsionerët, duke diskutuar për praktikën e emërimit të u.d. drejtorë në institucionet publike, thanë se nuk do ta tolerojnë më dhe do të veprojnë në mënyrë adekuate, sepse po ndodh shumë shpesh që personat e emëruar të kryejnë funksione drejtuese nga pozita e ushtruesit të detyrës për një periudhë të gjatë kohore, edhe pse mandati i tyre ligjor është vetëm gjashtë muaj.

Në Raportin e ndjekjes së strukturave drejtuese në institucionet e sektorit publik të Qendrës për menaxhimin me ndryshimet (QMN) është theksuar se  me 40 përqind të institucioneve, në vend të drejtorëve udhëheqin ushtruesit e detyrës drejtor. Në këtë raport, mes të tjerash, thuhet se gjatë emërimit të u.d. drejtor kandidatët jo domosdoshmërisht duhet të plotësojnë minimumin e kushteve ligjore të cilat gjithsesi janë shumë të përgjithshme.

“Ushtruesit e detyrës janë një zgjidhje kalimtare deri në zgjidhjen, gjegjësisht emërimin e drejtorëve dhe atë më së shumti deri në 6 muaj. Nga numri i përgjithshëm i 274 drejtorëve dhe zëvendësve të tyre, 105 janë emëruar si ushtrues detyre, që do të thotë se ka shumë gjasa që edhe ato minimum kushte të përcaktuara me ligj, e që përfshijnë shtetësinë, arsimin e lartë, përvojën e punës, vërtetimin për mosndaliminn e kryerjes së detyrës dhe çertifikatën ndërkombëtare për njohjen e gjuhës së huaj, të jenë anashkaluar”, thuhet në analizë.

Në raportet e tij për progresin e Maqedonisë së Veriut, Komisioni Evropian rregullisht thekson se ndryshimi i shpeshtë i drejtorëve apo pozitave të larta në institucione nuk është praktikë e mirë, pasi mund të shkaktojë vonesa serioze në proceset reformuese.