Arsovska gënjen dhe manipulon se është sulmuar para policëve, u largua nga stacioni pa e nënshkruar procesverbalin për sulmin, tha Toshkovski
Për sulmin ndaj kryetares së Shkupit, Danella Arsovska, gjatë një inspektimi të një ndërtese pa leje në Çair të Shkupit, përballë Stacionit Policor të Bit Pazarit, ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, tha se ka pasur kontakt fizik, por pretendimi i saj se sulmi ka ndodhur para syve të policisë është gënjeshtër dhe një tjetër përpjekje për manipulim të opinionit publik. Toshkovski, në një intervistë në TV Sitel, deklaroi se Arsovska nuk e ka nënshkruar procesverbalin e policisë, transmeton Portalb.mk
“Ka ardhur në stacionin policor, është pritur nga zyrtarët policorë dhe kanë filluar veprimet e duhura. Ndërkohë, është kontaktuar prokurori publik. Personi që ajo e ka identifikuar si sulmues është ndaluar në stacionin policor, si dhe edhe dy persona të tjerë që kanë kërcënuar verbalisht. Dhe tani shikoni. Gjatë përpilimit të procesverbalit dhe marrjes së kallëzimit nga zonja, ajo është ngritur dhe është larguar. Nuk e ka nënshkruar procesverbalin. Imagjinoni”, deklaroi Toshkovski.
Në videon që Arsovska e publikoi mbrëmë rreth orës 20:00 në profilin e saj në Facebook, ajo deklaroi se sapo kishin dalë nga stacioni policor në Kisella Vodë së bashku me këshilltaren Irena Vitina, ku kishin qëndruar për më shumë se dy orë.
„Pas orës së parë, papritmas u ndryshua atmosfera në stacionin policor, pas çka filluan të përpiqen ta fshehin këtë ngjarje me qëllim që ta mbrojnë personin që më sulmoi fizikisht. Tragjedia është se më bënë pyetje si: çfarë kërkoja unë atje, pse shkoj dhe ec në terren. Nëse qëllimi juaj është të mos dal më në terren, po ju them menjëherë – nuk do të më ndalni… Mund të raportoni dhunuesit njëqind herë, askush nuk do të reagojë, dhe në fund do t’ju rrahin për vdekje. Prandaj nuk jemi shtet. Prandaj MPB funksionon për të mbrojtur kriminelët, MPB mbron ata që rrahin njerëz nëpër rrugë. Ndoshta kanë frikë nga ta. Nëse ke frikë, Toshkovski, nëse ke frikë, djalosh, jep dorëheqje, largoju, lëre dikë që është i guximshëm, që ka zemër e shpirt, të merret me këta njerëz“, deklaroi ndër të tjera Arsovska.
Ndërkaq, Toshkovski në një paraqitje tjetër në TV Telma, deklaroi se MPB ka vepruar në dy raste dhe se janë hapur procedura disiplinore ndaj zyrtarëve policorë për rastet që i ka paraqitur Arsovska, por theksoi se ajo, ndonëse është ftuar disa herë për të bërë kallëzim, ka refuzuar të paraqitet në polici, ndërsa njëkohësisht ka publikuar deklarata në rrjetet sociale.
Ndryshe, kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, u sulmua fizikisht dje (11 korrik) rreth mesditës në Çair të Shkupit, pranë “rrugës së plastikave”. Ndaj sulmit të saj ka reaguar edhe Komiteti i Helsinkit dhe Rrjeti Kombëtar Kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje.
Arsovska së fundmi ka qenë në “gjueti të ndërtimeve pa leje” në Komunën e Çairit, duke i dokumentuar ato dhe duke i publikuar në profilin e saj në Facebook përmes video-mesazheve. Ajo madje ka kërkuar ndihmë edhe nga faktori ndërkombëtar.
Danella Arsovska ka dorëzuar në prokurori dëshmi dhe dokumente lidhur me ndërtimet pa leje në Çair. Arsovska pretendon se në komunën e Çairit ka 150 ndërtime pa leje. Ajo akuzon ish kryetarin Izet Mexhiti dhe kryetarin aktual Visar Ganiu për ndërtimet pa leje në Çair.
- LEXO: Kryetarja e Shkupit, Arsovska e mban në shënjestër kryetarin e Çairit, Visar Ganiu
- LEXO: Prokuroria ka nisur hetim për një ndërtesë gjashtëkatëshe pa leje në Çair
- LEXO: PTHP Shkup i bëri thirrje Arsovskës të bashkëpunojë dhe të dorëzojë kallëzime penale konkrete për ndërtimet pa leje në Çair
- LEXO: Mexhiti paralajmëroi padi kundër Arsovskës: Është instrumenti i ri i BDI-së për destabilizimin e shtetit