U sulmua fizikisht kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska
Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, u sulmua fizikisht sot rreth mesditës në Çair të Shkupit, pranë “rrugës së plastikave”, transmeton Portalb.mk.
Informacioni u konfirmua edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), e cila njoftoi se rasti është raportuar në polici nga një person me inicialet A.J., duke deklaruar se gjatë kryerjes së detyrave të saj të punës, Arsovska është sulmuar fizikisht në Rrugën “Kumbara” në Çair. Disa persona i kanë bërë edhe kërcënime verbale.
Në kumtesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme shtohet se ajo personalisht nuk ka dashur ta raportojë incidentin në polici dhe ka shkuar në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori” për ndihmë mjekësore.
“Më 11.7.2025 në orën 12:15, A.J. raportoi në SPB Shkup se gjatë kryerjes së detyrave të punës në rrugën ‘Kumbara’, kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, është sulmuar fizikisht dhe se disa persona e kanë kërcënuar verbalisht. Ajo nuk ka dashur të paraqesë kallëzim për incidentin, pas së cilës ka shkuar në Qendrën e Komunës ‘8 Shtatori’ për ndihmë mjekësore”, thuhet në deklaratën e MPB-së.
Pas ngjarjes kanë reaguar nga Komuna e Çairit ku kanë dënuar ashpër incidentin e ndodhur. Në reagim theksohet se aktet të tilla janë të papranueshme dhe përbëjnë një shkelje serioze të normave të sjelljes në një shoqëri demokratike dhe të civilizuar.
“Duke vlerësuar rëndësinë e informimit të drejtë të opinionit publik, theksojmë se ngjarja në fjalë nuk ka asnjë lidhje me institucionin tonë. Asnjë i punësuar apo funksionar i Komunës së Çairit nuk ka qenë i përfshirë dhe as i pranishëm në vendin ku ndodhi incidenti. Komuna e Çairit mbetet e përkushtuar ndaj ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike, respektimit të institucioneve dhe promovimit të bashkëjetesës ndërmjet komuniteteve që jetojnë në këtë territor. U bëjmë thirrje të gjitha institucioneve përkatëse që të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshëm, në përputhje me procedurat ligjore, për zbardhjen e plotë të rastit dhe garantimin e qetësisë publike”, thuhet në reagimin e komunës.
Grupi i këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së në Qytetin e Shkupit gjithashtu dënuan sulmin.
“Çdo sjellje e tillë është e papranueshme dhe përtej logjikës së shëndoshë. Njëkohësisht, kërkojmë që institucionet të hedhin dritë mbi rastin, derisa të zbulohet përfundimisht e vërteta dhe të vërtetohen faktet e rastit që ka trazuar publikun”, thuhet në reagimin e grupit.
Kujtojmë se, kryetarja e Shkupit, Arsovska së fundmi ka qenë në “gjueti të ndërtimeve pa leje” në Komunën e Çairit, duke i dokumentuar ato dhe duke i publikuar në profilin e saj në Facebook përmes video-mesazheve. Ajo madje ka kërkuar ndihmë edhe nga faktori ndërkombëtar.
Danella Arsovska ka dorëzuar në prokurori dëshmi dhe dokumente lidhur me ndërtimet pa leje në Çair. Arsovska pretendon se në komunën e Çairit ka 150 ndërtime pa leje. Ajo akuzon ish kryetarin Izet Mexhiti dhe kryetarin aktual Visar Ganiu për ndërtimet pa leje në Çair.
- LEXO: Kryetarja e Shkupit, Arsovska e mban në shënjestër kryetarin e Çairit, Visar Ganiu
- LEXO: Prokuroria ka nisur hetim për një ndërtesë gjashtëkatëshe pa leje në Çair
- LEXO: PTHP Shkup i bëri thirrje Arsovskës të bashkëpunojë dhe të dorëzojë kallëzime penale konkrete për ndërtimet pa leje në Çair
- LEXO: Mexhiti paralajmëroi padi kundër Arsovskës: Është instrumenti i ri i BDI-së për destabilizimin e shtetit