Mbrëmë hapi siparin edicioni i 34- të i Festivalit “Këngë Jeho”
Me një spektakël të veçantë mbrëmë në Strugë, hap siparin edicioni i 34- të i Festivalit të këngëve dhe valleve popullore të përpunuara dhe të stilizuara “Këngë Jeho” në Strugë. Përgjatë tri netëve të festivalit, do të marrin pjesë 20 shoqëri kulturore artistike nga Amerika Latine, Bullgaria, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, shkruan Portalb.mk.
Mbrëmë në natën e parë u paraqitën gjashtë shoqëri kulturore artistike nga vendi dhe më gjerë.
Festivalin e shpalli të hapur SHKA “Shpresa”, Veleshtë, duke vazhduar me tej me prezantimin e Qendrës për Kulturë “Jane Sandanski”, Negotinë, Orkestra Folklorike nga Qyteti “Blaguevgrad”, Republika e Bullgarisë, Ansambli “Art Dance”, Elbasan-Shqipëri, Folk Dance Group “Alma Guarani”, Paraguay, dhe Ansambli “Bajram Shabani”-Kumanovë.
Zini Jusufi Drejtori i festivalit “Këngë Jeho”, për Portalb.mk tha se Struga e vazhdon këtë festival dhe e kultivon me fanatizëm, e mbron për arsye se është një ndër festivalet më të vjetra.
“Është festival i veçantë, për arsye se është i vetmi festival i këngës dhe valles së përpunuar dhe të stilizuar shqipe. Struga e vazhdon këtë festival dhe e kultivon me fanatizëm, e mbron për arsye se është një ndër festivalet më të vjetra, më një jetëgjatësi më të gjatë, në përjashtim nga festivali i Gjirokastrës. Atje mbahet një herë në katër vjet, këtu është për 34 vite pandërprerë dhe për 34 vite sjellim risi”, tha Jusufi.
Ai edhe më tej shtoi se ky edicion dallon nga ato të kaluarat, sepse prezantohen shoqëri që nuk kanë qenë asnjëherë më parë.
“Dallon këtë vit, për arsye se kemi disa shoqëri që nuk kan qenë asnjëherë në Strugë. Dallimi tjetër është se këtë vit kemi edhe këngëtarët e mrëfillitë të këngës shqipe, me përvojë të gjatë, artist të mëdhenjë siç janë: Arif Vladi, Kastriot Tusha, Haxhi Meqellara dhe këngëtarë të tjerë të cilët do të marrin pjesë për tre netët e festivalit”, tha Jusufi.
Sonte në natën e dytë do të prezantohen këto Shoqëri Kulturore Artistike:
- SHKA “Valët e Liqenit”, Ladorishtë,
- SHKA “Jehona” Therandë- Kosovë,
- Grupi Folklorik “Breznica”, Bullgari,
- Pallati Kulturës “Sadi Halili”, Shqipëri,
- Ansambli “Visarët e Krrabës, Shqipëri,
- Ansambli “Aziz Ndreu”, Shqipëri,
- Ansambli “Emin Duraku”, Shkup
Ndërkaq nesër në natën e tretë dhe finale do të paraqiten:
- SHKA “Xheladin Zeqiri”, Tetovë,
- Grupi Folklorik “Breznica”, Bullgari,
- Qendra Kulturore “Kaçanik”, Kosovë,
- Folk Dance Group “Alma Guarani”, Paraguay,
- Orkestra Folklorike nga Qyteti “Blaguevgrad”,
- SHKA “Dibra e Madhe”, Dibër,
- Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve në RMV.