“Armiqtë e dikurshëm” u pajtuan, Ali Ahmeti dhe Ziadin Sela bashkë në zgjedhje

Aleanca për Shqiptarët (krahu i Ziadin Selës) sot me nënshkrimin e marrëveshjes së koalicionit parazgjedhor në Gostivar edhe zyrtarisht iu bashkua “Frontit Evropian” të udhëhequr nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), raporton Portalb.mk.

Aleanca për Shqiptarët e rreshtuar pas Ziadin Selës do të shkojë në zgjedhje me lista të përbashkëta me BDI-në dhe partitë e koalicionit “Fronti Evropian”.

Pas nënshkrimit të koalicionit, Ziadin Sela deklaroi se “ne po bëhemi bashkë për të parandaluar rreziqet që na vijnë nga Lindja dhe sa më shpejtë këtë vend të gjithë komunitetet t’i bëjmë pjesë e Perëndimit”.

Nga ana tjetër, Ali Ahmeti deklaroi “sot është momenti që ne të jemi bashkë sepse rreziku nga Lindja po vjen, po lëvizin trupa të tërë armatimesh deri në koka bërthamore. Prandaj neve na duhet uniteti, veprimi dhe mendimi i fortë për të qenë përballë të gjithë të tjerëve me mandate të forta që të bëjmë politika paqësore që t’i themi Po vërtetë Evropës dhe Jo-në e fortë Rusisë”.

Ali Ahmeti dhe Ziadin Sela pas nënshkrimit të koalicionit parazgjedhor. Foto: Printscreen nga video live në Facebook e Bashkimit Demokratik për Integrim
Ali Ahmeti dhe Ziadin Sela pas nënshkrimit të koalicionit parazgjedhor. Foto: Printscreen nga video live në Facebook e Bashkimit Demokratik për Integrim

“Fronti Evropian” i udhëhequr nga BDI-ja, përbëhet nga Aleanca për Shqiptarët (krahu i Ziadin Selës), Partia Demokratike Shqiptare (PDSH), Partia Demokratike Evropiane (PDE), Lëvizja Populli (LP), Lëvizja e Turqve të Maqedonisë për Drejtësi dhe Demokraci (LTMDM), Unionin e Romëve (UR) dhe Partia Demokratike Turke (PDT).

Në anën e kundërt është opozita shqiptare e cila në këto zgjedhje është bashkuar. Lëvizja BESA, Alternativa, Lëvizja Demokratike dhe Aleanca për Shqiptarët (krahu i Arben Taravarit) do të dalin bashkë në zgjedhje si Lidhja Evropiane për Ndryshim (VLEN). Liderët e partive do jenë bartës lisash në zonat zgjedhore nga ku vijnë.

Kandidati i Frontit Evropian për President është Bujar Osmani i cili mban numrin 4, ndërsa kandidati i Lidhjes Evropiane për Ndryshim është Arben Taravari i cili do mbajë numrin 6.

Partitë maqedonase, LSDM-ja dhe VRMO-DPMNE-ja tani më kanë publikuar edhe listat e kandidatëve për deputetë. Kandidat nga LSDM-ja për president do të jetë Stevo Pendarovski, ndërsa nga VMRO-DPMNE Gordana Siljanovska Davkova.

Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa raundi i dytë më 8 maj, së bashku me zgjedhjet parlamentare.

Fushata për zgjedhjet presidenciale do të fillojë më 4 prill dhe zgjat deri më 22 prill, kur edhe fillon heshtja që zgjat deri më 24 prill. Fushata për zgjedhjet parlamentare do të fillojë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj.