Aplikimet për pajisje elektronike drejt fundit, studentët në RMV kanë afat deri më 20 dhjetor
Ministria e Transformimit Digjital informon se kanë mbetur edhe 10 ditë për të aplikuar për vauçerë studentorë. Deri më tani janë dhënë gjithsej 42.606 vauçerë, nga të cilët 27.426 janë përdorur, transmeton Portalb.mk.
Sipas projektit aktual të Qeverisë, i cili po zbatohet në bashkëpunim midis Ministrisë së Transformimit Digjital, Sekretariatit të Përgjithshëm të Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, janë planifikuar gjithsej 55.000 vauçerë për pajisje elektronike për studentët e ciklit të parë të studimeve të regjistruara në vitin akademik 2025/26.
Nga ministria kujtojnë se se afati i fundit për aplikime nga studentët është 20.12.2025, dhe përdorimi i vauçerëve do të jetë deri më 31.12.2025.
Kujtojmë se aplikimet për vauçerë elektronikë për studentët kanë filluar më 17 nëntor përmes portalit kombëtar të e-shërbimeve.