RMV, filluan aplikimet për vauçerë elektronikë për studentët
Duke filluar nga sot, aplikimet për vauçerë elektronikë për studentët kanë filluar përmes portalit kombëtar të e-shërbimeve, njoftoi Ministria e Transformimit Digjital, transmeton Portalb.mk.
“Të gjithë studentët mund të aplikojnë jo më vonë se 20 dhjetori, ndërsa realizimi i vauçerëve, përkatësisht marrja e pajisjeve, mund të kryhet deri më 31 dhjetor”, informoi ministria.
Për studentët që janë tashmë të regjistruar në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, mund të identifikohen në uslugi.gov.mk dhe të dorëzojnë aplikimin për shërbimin “Thirrje publike për dhënien e një vauçeri me vlerë për studentët për blerjen e pajisjeve elektronike”. Nuk ka nevojë të ngarkohen dokumente në procesin e aplikimit. Pas dorëzimit të suksesshëm, sistemi gjeneron dokument – Vauçer me vlerë. Me vauçerin e marrë, një dokument identifikimi dhe nënshkrimin e një Deklarate për vauçerin e përdorur (në sallonin e shitjeve të operatorit ekonomik), studenti mund ta tërheqë pajisjen elektronike nga operatori ekonomik i përzgjedhur, jo më vonë se data 31 dhjetor.
Nëse studentët shohin gjatë aplikimit se nuk janë të regjistruar në Ministrinë e Arsimit, ata do të marrin njoftim dhe link për shërbimin e veçantë: “Thirrje publike për dhënien e vauçerit me vlerë për blerjen e një pajisjeje elektronike për studentët që nuk janë të regjistruar në Ministrinë e Arsimit”, ku duhet të vazhdojnë me aplikimin deri më 20 dhjetor.
“Në këtë rast, studenti është i detyruar të bashkëngjisë një vërtetim për student me kohë të plotë/me kohë të pjesshme, të lëshuar nga institucioni i arsimit të lartë në të cilin është regjistruar. Pas përfundimit me sukses të aplikimit, sistemi gjeneron Vauçer e vlerë. Me vauçer, dokument identifikimi dhe Deklaratë të nënshkruar për përdorimin e vauçerit, studenti mund ta tërheqë pajisjen elektronike nga operatori ekonomik i përzgjedhur jo më vonë se data 31 dhjetor”, njofton ministria.