Andonovski: Po mendojmë për miratimin e një ligji për përdorimin e inteligjencës artificiale në RMV
Qeveria dhe Ministria e Transformimit Digjital po mendojnë për miratimin e një ligji për përdorimin e inteligjencës artificiale, në kuptimin e përdorimit të saj të drejtë dhe etik, deklaroi sot ministri përgjegjës Stefan Andonovski. Sipas ministrit, për një ligj të tillë po mendohet në kuadër të Strategjisë Kombëtare për Inteligjencën Artificiale, versioni i parë draft i së cilës nesër duhet të prezantohet nga grupi i punës që po e përgatit atë, transmeton Portalb.mk.
Andonovski thotë se strategjia do të përmbajë edhe një plan veprimi, të cilin e përshkroi si një dokument të shkurtër, por me shumë detyra konkrete për institucionet. Ministri pret që strategjia të miratohet deri në fund të vitit, pasi paraprakisht të publikohet në Regjistrin e Vetëm Kombëtar të Rregulloreve (ENER) dhe të organizohen disa debate publike.
“Një nga aktivitetet e strategjisë do të jetë ndoshta, po mendojmë për miratimin e një ligji për përdorimin e inteligjencës artificiale, pra jo për rregullimin e prodhimit apo krijimit të inteligjencës artificiale, por më shumë për përdorimin e drejtë, etik dhe parimor të inteligjencës artificiale për të mirën. Kështu që, kjo është diçka për të cilën po mendojmë për vitin 2027”, deklaroi sot ministri i Transformimit Digjital, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve pas vënies në përdorim të zyrës së re për punë administrative në Komunën e Gazi Babës.
I pyetur lidhur me ndërtimin e qendrës kombëtare të të dhënave, Andonovski tha se janë në fazën përfundimtare të gjetjes së lokacionit ku do të vendoset, si dhe të gjetjes së një partneri financiar ndërkombëtar që do ta mbështesë këtë projekt.
Ai tha se bëhet fjalë për një projekt vërtet të rëndësishëm, i cili do ta shënojë mandatin e Ministrisë së Transformimit Digjital.
“Kam pasur biseda shumë cilësore ditët e fundit me financues potencialë të këtij projekti, ndërsa po bisedojmë edhe me Ministrinë e Transportit për përcaktimin e procedurës së nevojshme për përdorimin e atij lokacioni konkret, për përgatitjen e projektit”, tha ministri.
Qendra kombëtare e të dhënave, siç ka paralajmëruar ministri ditët e fundit, do të ndërtohet në afërsi të Shkupit, menjëherë pranë një zone teknologjike-industriale zhvillimore (TIRZ). Sipas Andonovskit, kjo hapësirë është e përshtatshme për këtë projekt, pasi nuk përdoret për bujqësi apo për ndonjë qëllim tjetër, ndërsa pranë saj tashmë ekziston infrastruktura e nevojshme energjetike dhe e komunikimit, dhe planifikohet edhe ndërtimi i infrastrukturës së re.
“Në afërsi tashmë janë ndërtuar centrale fotovoltaike, ndërsa ne planifikojmë që në fazën e dytë, pranë qendrës së të dhënave, të ndërtojmë edhe një central fotovoltaik, me të cilin 30 deri në 40 përqind të konsumit të energjisë elektrike do ta sigurojmë nga centrali fotovoltaik. Kështu që mendoj se është një lokacion shumë i përshtatshëm, pranë autostradës, fibrës optike dhe të gjithë infrastrukturës tjetër të nevojshme, ndaj mendoj se është lokacioni më i përshtatshëm që mund të zgjidhej”, tha Andonovski.
Për kujtesë, në qershor të këtij viti Maqedonia zyrtarisht promovoi projektin “Vezilka”– Fabrika Kombëtare e Inteligjencës Artificiale. Qëllimi i saj, siç u theksua gjatë promovimit, është të krijojë infrastrukturë për zhvillimin e teknologjive moderne, kërkimeve dhe zgjidhjeve inovative me aplikimin e kësaj teknologjie. Projekti duhet të lidhë edhe komunitetin shkencor vendas, institucionet shtetërore dhe sektorin privat me infrastrukturën evropiane për zhvillimin e inteligjencës artificiale.
Ndërkohë, gjatë periudhës së fundit, në nivel global është ashpërsuar diskutimi rreth aspekteve të sigurisë të zhvillimit të inteligjencës artificiale. Drejtori ekzekutiv i kompanisë “Anthropic”, Dario Amodei, të shtunën (12 shtator) në Nju Jork deklaroi se industria e inteligjencës artificiale duhet ta ngadalësojë zhvillimin e kësaj teknologjie për t’u mundësuar masave të sigurisë që ta ndjekin rritjen e përshpejtuar të rreziqeve. Ai vlerësoi se për përballimin e rreziqeve nevojitet koordinim mes të gjithë industrisë, si dhe mes qeverive në mbarë botën, përfshirë edhe regjimet autoritare. Paralajmërimi i tij mori mbështetjen e drejtorit ekzekutiv të „OpenAI“, Sam Altman, si dhe të Elon Musk, i cili drejton kompaninë „xAI“.
Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump i cilësoi si të pabazuara shqetësimet për rreziqet e mundshme nga zhvillimi tepër i shpejtë i IA-së, duke hedhur poshtë kërkesat për rregullim më të rreptë të kësaj teknologjie. Sipas tij, ajo që është e rëndësishme është që Shtetet e Bashkuara të ruajnë pozitën udhëheqëse dhe të mos lejojnë që Kina të fitojë epërsi.