Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve i RMV-së me disa koncerte për festat e Nëntorit

Ansambli i Këngëve dhe Valleve të Republikës së Maqedonisë së Veriut do të mbajë disa koncerte festive me rastin e festave të Nëntorit, shkruan Portalb.mk.

Sonte, më 25 nëntor, me fillim nga ora 19:30, publiku i Gostivarit do të ketë mundësinë të shijojë një program të pasur artistik në Qendrën për Kulturë në Gostivar.

Nesër, më 26 nëntor, nga ora 19:00, ansambli do të vazhdojë turneun festiv në Qendrën për Kulturë në Tetovë, ku do të paraqiten me një repertor të përzgjedhur të këngëve dhe valleve tradicionale shqiptare.

Ansambli i Këngëve dhe Valleve të Republikës së Maqedonisë së Veriut do të vazhdojë turneun festiv të nëntorit edhe në Kosovë.

29 nëntor, me fillim nga ora 19:00, ansambli do të mbajë një koncert madhështor në Gjakovë, ku publiku do të ketë mundësinë të shijojë një program të pasur me këngë e valle tradicionale shqiptare.

Jetmir Rexhep drejtor i Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare në R.M.V për Portalb.mk tha se çdo këngë dhe çdo hap valleje është një homazh për të kaluarën tonë dhe një premtim se trashëgimia shqiptare do të jetojë me dinjitet në brezat që vijnë.

“Ngjarjet që do të organizohen gjatë Festave të Nëntorit nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve të Maqedonisë së Veriut pritet të realizohen me nivel të lartë profesional, me përkushtim të veçantë dhe me një forcë artistike që do të nderojë traditën dhe trashëgiminë tonë kulturore. Me një repertor të përzgjedhur me kujdes, interpretim të sigurt dhe skenografi të harmonizuar, artistët tanë do të sjellin para publikut një program që mishëron krenarinë kombëtare, energjinë autentike dhe pasionin për artin burimor shqiptar. Pritet që çdo paraqitje të mirëpritet me duartrokitje të ngrohta, duke dëshmuar se puna dhe disiplina jonë vazhdojnë të japin rezultatet e duhura. Performancat në qytetet e ndryshme, si dhe pjesëmarrja në aktivitete shtetërore, do të zhvillohen në atmosferë solemne dhe me respekt të plotë për datat historike të Nëntorit. Ansambli ynë edhe këtë vit synon të dëshmojë se mbetet një ndër institucionet më të rëndësishme kulturore të vendit, duke mbajtur lart vlerat artistike dhe duke forcuar bashkëpunimet ndërinstitucionale”, tha Rexhepi.

Sonte në Gostivar do të paraqiten me këto pika:

  • Tungjatjeta, “Valle Baresha”, “Nen vetullen tënde”, “Pse je idhnu ti me mu”, “Vjeshtë o moj virone”, “I kam hyp vaporit”, “Nënë Tereza”, Valle “Dasma e Rexhës”, Acappella Vëllezërit Dërvishi, “Moj syzeza vetulla hollë”, “Çka ka dielli që loton mbi kreshtë”, “Barut ke çdo shkëmb e gurrë”, “Po i bjen era retë e zeza”, “Gjithë shqiptarët”, “Vallja e Dibrës”, “Një lule në Gostivar”.
Afishja e Koncertit. Foto: Qendra për Kulturë Gostivar (Facebook)
Afishja e Koncertit. Foto: Qendra për Kulturë Gostivar (Facebook)

Ndërkaq nesër në koncertin në Tetovë do të paraqiten me këto pika:

  • “Tungjatjeta”, Valle “Prej Tetove n’Dibër”, “Isuf Xhelili”, “Moj syzeza vetulla hollë”, Vëllezërit Sejdiu- Acappella, “I kam hyp vaporit”,” Xhamadani kuq si gjaku”, Valle “Viganët e Sharrit”, Vlezërit Dërvishi-Acappella, “Brahim Keta”, “Mos m’ço fjalë për tel t’sharkisë”, “Tetovare”, “Skutaçja e cauces topa topa”, “Vallja premierë “Rrezet e Shkupit”, “Luljuqja e Gjakovës”.
Afishja e Koncertit në Tetovë. Foto: Njomza Imeri Ismaili
Afishja e Koncertit në Tetovë. Foto: Njomza Imeri Ismaili

Në koncertin në Gjakovë do të prezantohen në këto pika artistike.

  • “Tungjatjeta”, Vallja e Dibrës, “Dallëndyshe”, “Aty asht Kosova nanë”, “Xhamadani kuq si gjaku”, “I hyp vaporit”, Vallja “Viganët e Sharrit”, “Barut ke çdo shkëmb e gurrë”, “Brahim Keta”, “Moj Kosovë me ksul o të bardh”, “Kosova Kosova”, “Skutaçja e cauces topa topa”, “Valle instrumentale për violinë dhe orkestër, Potpuri -“Ju këndojmë nga Ilirida”, Valle “Prej Tetove n’Dibër”, ” Lulkuqja e Gjakovës”.