Ekspozita ‘e kuqja’ në New York, Linda Lupi: Më përqafon, më sfidon dhe konfirmon se arti komunikon përtej kufijve

Në një udhëtim artistik që e ka çuar nga brigjet e Adriatikut në zemër të New Yorkut, piktorja shqiptare Linda Lupi vazhdon të ngrejë ura mes kulturave përmes artit të saj. Ekspozita e saj personale “E Kuqja”, e prezantuar në rezidencën historike Gracie Mansion, ka tërhequr vëmendjen e publikut amerikan dhe ka hapur një kapitull të ri në dialogun mes artit shqiptar dhe audiencave ndërkombëtare. Në një bisedë për Portalb.mk, ajo ndau copëza nga rrugëtimi i saj, procesi krijues, sfidat, inspirimet dhe planet për të ardhmen. 

Portalb.mk: Ekspozita juaj personale ‘E Kuqja’, e prezantuar në zemër të New Yorkut në rezidencën historike Gracie Mansion të Kryesisë Bashkiake, çfarë do të thotë për ju ky nivel i ekspozimit dhe çfarë reagimi morët nga publiku amerikan?

Linda Lupi: Ekspozita ‘E Kuqja’ në Gracie Mansion ishte një moment shumë i veçantë për mua. Të shfaqja artin tim në zemër të New Yorkut, në një prej rezidencave më historike të qytetit, ishte si një dialog mes kulturës sime dhe botës. Publiku amerikan reagoi me kureshtje, me emocion dhe mbi të gjitha me respekt. Për mua, kjo eksperiencë nuk ishte vetëm një ekspozim, ishte një hap i rëndësishëm që më konfirmoi se arti im komunikon përtej kufijve.

Portalb.mk: A është arti juaj një mjet për të provokuar mendimin apo një pasqyrë që i vendos njerëzit përballë vetes së tyre?

Linda Lupi: Arti im është të dyja njëkohësisht. Dua të ndez një mendim, por dua edhe t’i vendos njerëzit përballë përjetimeve dhe emocioneve të tyre më të vërteta. “E Kuqja” nuk është thjesht provokim, por pasqyrim dhe reflektim i një realiteti të jetuar dhe secili tek ajo gjen një copëz të vetes.

Fotografi nga arkivi personal i Linda Lupit. Foto: Linda Lupi
Fotografi nga arkivi personal i Linda Lupit. Foto: Linda Lupi

Portalb.mk: Kur pikturoni, a ndiheni sikur ndërtoni një botë më të butë apo po sfidoni një realitet që nuk ju ngjan?

Linda Lupi: Kur pikturoj, ndërtoj një realitet paralel. Nuk e zbus domosdoshmërisht botën, por i jap formë atyre ndjenjave që realiteti i përditshëm ndonjëherë duket sikur nuk ka hapësirë t’i përmbajë. Arti im nuk është arratisje është përballje.

Portalb.mk: Nga përvoja mes artit shqiptar dhe atij ndërkombëtar, sa ndryshon reagimi i publikut? A ka çdo kulturë një “shpirt estetik” të vetin?

Linda Lupi: Po, çdo kulturë e ka një shpirt të vetin estetik. Por emocioni është universal. Në Shqipëri shoh një lidhje më të drejtpërdrejtë dhe të ndjerë. Ndërsa jashtë, vlerësohet shumë koncepti, struktura, kurimi dhe ndjesia, emocioni që përcjell normalisht. Të dyja më japin kënaqësi të ndryshme, njëra më përqafon, tjetra më sfidon.

Portalb.mk: A ekziston një vepër ku keni fshehur një të vërtetë që arti e mban, por fjalët ende jo?

Linda Lupi: Po, disa prej tyre. Ka emocione që nuk i kam thënë kurrë me zë, por i kam vendosur në kanavacë. Arti ruan të vërteta që fjalëve u mungon guximi t’i shprehin. Ka emocione që nuk gjejnë dot vend në bisedat e përditshme, por në pikturë rrëfehen lirshëm. Mendoj se aty qëndron fuqia më e madhe e artit, në aftësinë për të dëgjuar, pa gjykim, ato pjesë të shpirtit që vetëm kanavaca, piktura mund të t’i mbajë.

Portalb.mk: Në një kohë ku gjithçka konsumohet shpejt, si ia del arti juaj të ruajë qëndrueshmërinë dhe përjetësinë?

Linda Lupi: Duke mos u nënshtruar ritmit të shpejtësisë. Unë pikturoj me kohë, me ndjeshmëri dhe me përkushtim. Arti që ndërtohet me ndjenjë, jo me ngut, mbetet. Sepse prek më thellë se çdo trend.

Portalb.mk: Cili është mesazhi më i rëndësishëm që arti juaj ka komunikuar, ndërkohë që fjalët nuk do ta arrinin?

Linda Lupi: Se vulnerabiliteti është forcë. “E Kuqja” flet pikërisht për këtë, për guximin për të qenë i hapur, i sinqertë, i ndjeshëm, i gjallë. Këtë mesazh, piktura e thotë shumë më fort se unë. Dhe mendoj se është një armë e fortë komunikimi.

Fotografi nga arkivi personal i Linda Lupit. Foto: Linda Lupi
Fotografi nga arkivi personal i Linda Lupit. Foto: Linda Lupi

Portalb.mk: A ju ka befasuar ndonjëherë vetja kur keni parë rezultatin përfundimtar të një krijimi?

Linda Lupi: Po, shpesh. Ka momente ku piktura merr frymë vetë, pa më pyetur mua. Aty artisti bëhet spektator i vetes dhe është ndjesi e pabesueshme.

Portalb.mk: Si e mbani të paprekur thelbin artistik në një botë që shpesh e mat vlerën me ‘pëlqime’?

Linda Lupi: Duke mos e matur vlerën time me to. Arti im jeton jashtë algoritmeve. Ai vjen nga një vend shumë personal, që është shpirti, të cilin askush nuk e prek dot me një klikim.

Portalb.mk: A keni thyer më shumë kufij artistikë në pikturë, apo kufij konceptualë gjatë rrugëtimit tuaj kreativ?

Linda Lupi: Në fakt, të dyja. Në pikturë kam eksperimentuar me forma, tekstura dhe ngjyra. Por kufijtë konceptualë janë ata që të çlirojnë. Ata që më kanë shtyrë të krijoj më thellë, më sinqerisht, më guximshëm.

Portalb.mk: Së fundmi i dhuruat një nga veprat tuaja kryebashkiakut të New York-ut, Eric Adams. Në atë pikturë, çfarë i dhatë realisht: ngjyrë, mesazh apo një copëz të shpirtit tuaj artistik?

Linda Lupi: Zgjodha t’i dhuroj z. Eric Adams portretin e Justinianit të Kodit Civil, një figurë me origjinë ilire, që ka lënë një trashëgimi të jashtëzakonshme në historinë e drejtësisë dhe qytetarisë europiane. Për mua, ai përfaqëson themelet e rendit, ligjit dhe vizionit shtetformues, vlera që i kalojnë kufijtë e kohës. Ajo dhuratë nuk ishte thjesht një portret historik, por një dialog mes kulturës sime dhe një prej metropoleve më të rëndësishme të botës siç është New York. Brenda së gjithës, i dhurova edhe ngjyrat e mia, mesazhin tim dhe padyshim një copëz të shpirtit tim artistik.

Fotografi nga arkivi personal i Linda Lupit. Foto: Linda Lupi
Fotografi nga arkivi personal i Linda Lupit. Foto: Linda Lupi