Anketë: Viti 2023 ishte sfidues për struganët, shprehen optimist për një vit më të mbarë

Vitin 2023 struganët do e mbajnë mend në përgjithësi si një vit të vështirë dhe me sfida, megjithatë ata shprehen optimist se viti 2024 do të jetë një vit më i mirë se ky që po lëmë pas. Ndonëse jetojmë në shekullin 21, struganët kanë kërkesa bazike kur bëhet fjalë për përmirësimin e kushteve dhe cilësisë së jetës. Mjaftueshëm ujë për pije, ajër i pastër dhe infrastrukturë më e mirë ishin disa nga kërkesat kryesore të struganëve të cilat duhet të kihen parasysh nga Pushteti Lokal gjatë vitit që vinë, shkruan Portalb.mk.

Sikurse të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut edhe struganët e vuajtën barrën e çmimeve të larta gjatë vitin 2023. Këtë më së miri e tregon edhe fakti se në njërën nga shoqatat humanitare më aktive në Strugë gjatë vitit 2023 u shtuan kërkesat për ndihmë bazike financiare. Gjithsesi fenomeni më shqetësues për struganët është ikja masive e jo vetëm të rinjve por edhe të popullatës së mesme në këtë qytet, ndërkohë të rinjtë që vazhdojnë në këtë qytet janë të dëshpëruar me jetën e vakët kulturore dhe kërkojnë më shumë aktivitete ku ata mundet të përfshihen.

Megjithatë, ata vazhdojnë të mbeten pozitiv dhe urojnë se viti 2024 do të jetë një vit më i mbarë e i begatë.

I kontaktuar nga Portalb.mk, Shkëlzeni nga Shoqata Humanitare “Bamirësit Struganë” thotë se gjatë këtij viti në Strugë është shtuar dukshëm numri i hallexhinjve dhe këtë realitet më së miri e tregojnë aksionet e shoqatës në fjalë.

“Viti që po lëmë pas ka qenë mjaftë sfidues për struganët hallexhinj, e them këtë duke u bazuar në punën që ka bërë gjatë këtij viti Shoqata Humanitare “Bamirësit Struganë”. Fakti se gjatë vitit 2023 janë shpërndarë mbi 200 paketa ushqimore, janë paguar rreth 4000 euro fatura të ilaçeve për persona në nevojë, janë paguar mbi 90 fatura të rrymës elektrike për familje sociale e tregojnë më së miri realitetin e vështirë me të cilin janë përballur struganët. Por nga ana tjetër është për tu vlerësuar jashtëzakonisht shumë zemërgjërsia e shoqërisë tonë të cilët vazhdimisht kanë donuar për tua lehtësuar sado pak jetën nevojtarëve. Dëshira jonë si shoqatë për vitin që vjen është që institucionet të angazhohen pak më seriozisht për rastet sociale, të ketë vende të reja pune por të mos keqpërdoren punëtorët dhe me theks të veçantë kërkojmë të rregullohet infrastruktura e qytetit që dhe personat me handikap të mundet të lëvizin lirshëm. Thjeshtë, duam që Struga të jetë një qytet për të gjithë”.

Është e vërtetë se Struga është qytet turistik po qyteti nuk mundet të zhvillohet vetëm me qarkullimin gjatë sezonit turistik. Largimi masiv i qytetarëve struganë po ndikon shumë në tregun e punës, sa në kuptimin që nuk ka qarkullim e zhvillim ekonomik aq dhe në deficitin e kuadrove profesionale. Për Ismetin, një tregtar nga Struga, viti që lamë pas ishte mjaftë sfidues por ai vazhdon të mbetet optimist për një vit më të mbarë.

“Nga viti në vit shpresojmë se do bëhet më mirë por në fakt ndodh e kundërta. Viti që po lëmë pas ishte edhe më keq se ai paraprak, me shumë sfida dhe vështirësi ekonomike dhe sociale për qytetarët. Është për të ardhur keq që çdo vit i përsërisim dëshirat e kërkesat e njëjta, dhe dëshirat tona janë bazike duam infrastrukturë më të mirë të lëvizim si njerëz normal në qytet, duam kushte më të mira për fëmijët në çerdhe dhe shkolla dhe përgjegjësi e transparencë për popullin. Është e trishtueshme se si po zbrazen shkollat në qytet e fshatra dhe rezultat i kësaj të gjithë e dimë kush është. Gjithsesi, dua të mbetëm optimist dhe të uroj për një vit të mbarë, shëndet e jetë mbi të gjitha”.

Vjosa aktiviste kulturore, thotë se Struga e bukur e ka humbur lavdin e dikurshme dhe se institucionet duhet të punojnë seriozisht në këtë drejtim.

“Një qyteti si Struga i ka ngelur vetëm bukuria natyrore që ia ka falur zoti. Për t’ia rikthyer lavdin e dikurshme këtij qyteti ka nevojë më shumë të investohet në kulturë nga aktiviteti më i madh deri tek ai më i vogli, posaçërisht në aktivitete ndër etnike. Do të ishte e udhës që iniciativave të shoqatave joqeveritare tu jepet përkrahje, rëndësi dhe mbi te gjitha bashkëpunim të plotë. Kërkesat e qe kam për udhëheqësin e qytetit janë: 1. Të jenë serioz në punën që bëjnë. 2. Të përkrahen OJQ-të, pasi që nëpërmjet aktivitetit të tyre qyteti frymon më ndryshe. 3. Turizimi është arma jonë më e fortë, andaj punoni në këtë fushë më tepër. Qoftë një vit i mbarë 2024, ju uroj sa më shumë dashuri dhe art të gjithë struganëve”.

Albani, gjimnazist, mendon se jeta në Strugë pjesën më të madhe të vitit është e zymtë. Albani shton se ai dhe shoqëria e tij janë të mendimit se qyteti ka nevojë të ketë më shumë ngjarje për të rijnë, qofshin ato edukative apo argëtuese.

“E para punës mendoj se qyteti duhet të ngjallet. Struga jashtë sezone së gurbeqive është jashtëzakonisht boshe dhe e vdekur, dhe për ne kjo bëhet e mërzitshme. Unë mendoj se Struga duhet të ketë më shumë aktivitete gjatë vitit, si koncerte muzikore, aktivitete sportive, festivale, festime. Shpresoj që viti që vjen të jetë më i gjallë dhe me më shumë prosperitet për ne të rinjtë. Gëzuar festat, paqe dhe harmoni për të gjithë!

Sipas Norës, shitëse, ky vit ishte mbase i vështirë sepse akoma ndiheshin pasojat e pandemisë.

“Të them të drejtën ishte një vit i vështirë. Gjatë këtij viti më duket sikur akoma u ndjenë pasojat e pandemisë ndërsa kriza financiare u thellua edhe më shumë. Më dhimbset qyteti teksa e shikoj se si zbrazet çdo ditë e më shumë, po ikin të gjithë, jo vetëm të rinjtë por edhe persona të punësuar e më të moshuar. Dëshira e urimi jonë i vetëm është që të ndalet kjo ikje masive, të mirren masa serioze, të gjenden alternativa dhe të zhvillohet qyteti në atë mënyrë që mos ikin më njerëzit.”

Borçe, nxënës i shkollës së mesme, shprehet se në Strugë duhet bërë më shumë nga autoritet përkatëse për tju ofruar mundësi të rinjve dhe për ti nxitur ato të kyçen në aktivitete vullnetarizmi me qëllim që të rinjtë të zhvillohen e të formohen që nga periudha e shkollës së mesme.

“Për mendimit tim, një gjë për të cilën të rinjtë në Strugë kanë nevojë është më shumë promovim në mundësitë vullnetare që kanë në vendlindjen e tyre. Sigurisht që i kanë, por nuk janë aq të informuar dhe të vetëdijshëm për to, pasi nuk mbështeten dhe promovohen sa duhet nga komuna dhe media. Aty është Këndi Amerikan, nga të paktët në vendin tonë dhe i vetmi në rajon – kanë aktivitete edukative, interesante dhe argëtuese, zgjedhje të madhe librash në bibliotekën e tyre dhe mundësi të vlefshme sidomos për nxënësit e shkollave të mesme dhe atyre fillore. Megjithatë, jo shumë njerëz janë të interesuar për to dhe kjo padyshim nuk është për shkak të mungesës së promovimit nga Këndi, pasi ata postojnë gjithçka që bëjnë në rrjetet e tyre sociale në mënyrë kreative. Mund të flasim edhe për Kryqin e Kuq dhe organizatën AKVA, të cilat organizojnë aktivitete të ndryshme për të rinjtë: klub debati, klubi juridik, aksione humanitare, takime për të rinjtë, edukimi i bashkëmoshatarëve etj. Mendoj se problemi është me nxënësit e painteresuar në Strugë. Mbase ky realitet lidhet me faktin se këto aktivitete joformale nuk vlerësohen edhe aq nga prindërit, mësimdhënësit dhe komuna në përgjithësi.  Uroj që viti i ri të jetë një vit më aktiv për të rinjtë dhe më ndërgjegjësues për institucionet”.