Anketa e BEI-t 2023: Oferta e kredisë është shtrëngur ndërsa bankat në rajon synojnë zgjerimin mes shqetësimeve të rentabilitetit

Anketa e huadhënies bankare të BEI-t për Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore për gjysmën e dytë të vitit 2023, thekson një shtrëngim të vazhdueshëm të ofertës së kredisë në rajon. Ndërsa hendeku ofertë-kërkesë është ngushtuar në krahasim me periudhat e mëparshme, oferta e kredisë mbetet e kufizuar në Serbi, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinë. Kërkesa për kredi nga klientët e bankave ka mbetur e qëndrueshme dhe pritet të përmirësohet lehtë, transmeton Portalb.mk.

Investimet fikse dhe të pakicës, veçanërisht tregu i banesave, kanë kontribuar negativisht, por pritet të rifillojnë në periudhën pasuese. Ndryshe nga parashikimet negative të mëparshme, cilësia e kredive është përmirësuar gjatë gjashtë muajve të fundit. Megjithatë, duke pasur parasysh perspektivën më të dobët ekonomike dhe normat më të larta të interesit, bankat presin sërish një rritje të kredive me probleme gjatë gjashtë muajve të ardhshëm.

Pavarësisht kësaj, një numër në rritje bankash shprehin synimin e tyre për të zgjeruar në mënyrë selektive operacionet e tyre në rajon (50% rritje nga 45% në raundin e fundit dhe 30% në raundin e mëparshëm) ose të ruajnë të njëjtin nivel operacionesh. Shumica e filialeve rajonale kanë rentabilitet më të lartë se grupi i përgjithshëm për sa i përket kthimit të aktiveve dhe kthimit nga kapitali, veçanërisht në Çeki, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut. Megjithatë, pikëpamja e tyre për rentabilitetin u përkeqësua ndjeshëm që nga raundi i mëparshëm i anketimit, me më shumë se 50% të bankave që sinjalizojnë tani rentabilitet më të ulët në vende të ndryshme (Shqipëri, Kroaci, Hungari, Poloni dhe Rumani) krahasuar me operacionet e përgjithshme të grupit.

Nënkryetari i BEI-t, Kyriacos Kakouris, tha: “Rezultatet e anketës tregojnë se shtrëngimi i ofertës së kredisë që filloi në vitin 2022 për shkak të luftës në Ukrainë, inflacionit, normave më të larta dhe ngadalësimeve ekonomike, është ende në proces. Të gjitha segmentet e biznesit janë prekur nga kushtet e shtrënguara të ofertës, veçanërisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Këtu vjen roli i BEI Globale, e cila do të vazhdojë të ofrojë financime të favorshme përmes ndërmjetësve tanë financiarë për bizneset e vogla në rajon për t’i ndihmuar këto të adresojnë kufizimet e tyre financiare, të dekarbonizohen, të shpenzojnë dhe të krijojnë vende të reja pune. “

Debora Revoltella, shefja e departamentit të ekonomisë e BEI-t, komentoi: “Anketa është një mjet jetik për monitorimin e tendencave të sektorit bankar, si dhe faktorët që ndikojnë në standardet dhe kushtet e kredisë në rajonin e EQLJL-së. Ajo na mundëson të kuptojmë sfidat me të cilat përballen bankat dhe ofron njohuri të vlefshme për nevojat e financimit të kompanive dhe të familjeve. Rezultatet do të kontribuojnë në vendimmarrjen e informuar dhe formulimin e politikave.”

Anketa, e kryer nga Banka Evropiane e Investimeve (BEI) në bashkëpunim me bankat ndërkombëtare dhe vendase, ofron njohuri të vlefshme për aktivitetet bankare ndërkufitare, përcaktuesit e rritjes së kredisë dhe pritshmëritë e tregut. Më shumë informacion dhe specifikat për secilin shtet mund të gjenden këtu.

Kujtojmë se në konferencën e ndryshimeve klimatike COP28, BEI Globale, krahu i zhvillimit të Bankës Evropiane të Investimeve (BEI), ka njoftuar qasjen e saj të re për të rritur financimin dhe shërbimet këshillimore në mbështetje të një tranzicioni dhe rimëkëmbje të drejtë në mbarë botën. BEI do të jetë institucioni i parë financiar ndërkombëtar që do të aplikojë një qasje rimëkëmbjeje të drejtë që nga fillimi i vitit 2024. BEI Globale fillimisht do të përqendrojë aktivitetet e saj të tranzicionit të drejtë në Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë, Mali të Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbi, Ukrainë, Afrikën e Jugut, Indonezi dhe Vietnam.