Xi në Serbi premton thellim të bashkëpunimit dhe mbështetje për çështjen e Kosovës

Është vendi i parë në Evropë me të cilin Kina po ndërton një komunitet me të ardhme të përbashkët – kështu e përshkroi presidenti kinez, Xi Jinping, Serbinë, gjatë vizitës së tij në Beograd, më 8 maj, transmeton, Radio Evropa e Lirë.

“Serbia dhe Kina e mbështesin fort njëra-tjetrën në interesat dhe shqetësimet e përbashkëta dhe ne kemi një marrëdhënie të fortë politike që kontribuon në këtë komunitet”, tha Xi.

Bashkë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ai nënshkroi një deklaratë për ngritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve nga niveli i partneritetit strategjik në “ndërtimin e komunitetit të Serbisë dhe Kinës me një të ardhme të përbashkët në epokën e re”.

“Ky është niveli më i lartë i bashkëpunimit mes dy vendeve”, tha Vuçiq për mediat, pas një sërë takimesh dypalëshe që zhvilloi me Xinë.

Xi arriti në Beograd mbrëmjen e 7 majit dhe, përveç takimeve me Vuçiqin, dëshmoi edhe nënshkrimin e më shumë se 30 marrëveshjeve të bashkëpunimit dhe të kontratave tregtare.

“Mbështetja” e Xisë për çështjen e Kosovës

Mbrojtja e “interesave themelore dhe afatgjate” ishte një tjetër mesazh i presidentit kinez në Beograd.

Ai tha se Kina dhe Serbia do ta “kundërshtojnë së bashku hegjemoninë dhe politikën e fuqisë”.

Duke vlerësuar se besimi politik i dy vendeve është “i fortë si guri”, dhe se bashkëpunimi praktik mes tyre ka përparuar, Xi tha se Beogradi dhe Pekini kanë një koordinim të ngushtë për çështjet ndërkombëtare.

“Kina mbështet Serbinë në respektimin e pavarësisë së saj dhe ndjekjen e një rruge të zhvillimit që u përshtatet kushteve të saj, duke ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial sa i përket çështjes së Kosovës”, tha presidenti kinez për mediat.

Në anën tjetër, Vuçiq, përmes një deklarate të përbashkët me Xinë, përsëriti mbështetjen e tij për “politikën e një Kine”, sipas së cilës, ishulli i Tajvanit, i cili e konsideron veten shtet sovran, është pjesë e territorit kinez.

Vuçiq tha se “Serbia është mike besnike e Kinës”.

“Kur dikush na pyet për çështjet në Kinë, rreth Tajvanit, Ksinjiangut, Hong Kongut… përgjigjet tona janë shumë të thjeshta, të drejtpërdrejta dhe në përputhje me parimet e politikës kineze dhe të së drejtës publike ndërkombëtare. Kështu ka qenë, kështu do të jetë”, tha presidenti serb.

Deri më tani, Serbia nuk i është bashkuar asnjë deklarate ndërkombëtare kundër Kinës, edhe pse Pekini zyrtar është në shënjestër të kritikave për gjendjen e të drejtave të njeriut dhe përballet me akuza për shtypjen e ujgurëve – një pakicë myslimane që jeton në provincën Ksinjiang.

Vuçiq: Në Kinë kemi një mik

Vuçiq tha, gjithashtu, se ka marrë “mbështetje të fortë nga Kina për të gjitha çështjet e ngritura në kuadër të Kombeve të Bashkuara”.

“Pavarësisht faktit se ne shpesh jemi nën presion prej fuqive më të mëdha të botës, jemi me fat që kemi një mik në Kinë”, tha ai.

Përveç aleancës politike, një rëndësi e madhe iu kushtua edhe bashkëpunimit ekonomik.