“Migrimi” i pafund si maskë për neglizhencën: Si po e “zhduk” Qeveria e Maqedonisë gjuhën shqipe online

Për të disatën herë me radhë, Portalb.mk trajton çështjen e mosfunksionimit të barabartë të versionit shqip në ueb-faqen e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Nga analiza e fundit rezulton edhe një herë se dallimet ndërmjet përmbajtjes në shqip dhe asaj në maqedonisht vazhdojnë të jenë të theksuara. Në disa rubrika mungojnë dokumente kyçe në shqip, përfshirë Programin e Qeverisë për vitin 2026, ndërsa në maqedonisht ato janë të publikuara dhe të përditësuara. Procesverbalet e mbledhjeve të Qeverisë në shqip ndalen në shtator 2025, ndërsa në maqedonisht janë të disponueshme deri në shkurt 2026, përkatësisht deri në seancën e fundit. Në disa seksione dokumentet figurojnë vetëm me titull në shqip, por përmbajtja është në maqedonisht, ndërsa ka edhe dallime në të dhënat e personave kontaktues. Këto mospërputhje dëshmojnë se problemi mbetet i pazgjidhur, pavarësisht se është ngritur disa herë në publik, raporton Portalb.mk.

Probleme që përsëriten

Analiza e realizuar nga Portalb.mk tregon se në rubrikën Prioritete Strategjike, në shqip mungon programi i Qeverisë për vitin 2026, përkatësisht është në pika të shkurtra“, ndërsa në maqedonisht është i publikuar si dokument. Te Planet për prioritetet reformuese, në shqip figuron vetëm Plani për ajër të pastër, ndërsa në maqedonisht është i publikuar edhe Plani për rritje ekonomike.

Planet e përfunduara–  janë në të dyja gjuhët, ndërsa te pjesa Plani strategjik i Sekretariatit të përgjithshëm është bosh në shqip, ndërsa në maqedonisht ka tre plane brenda.

Strategjitë Nacionale duket e plotësuar në të dyja gjuhët.

Rubrika Qeveria – Pjesa Kryetari i Qeverisë duket i plotësuar në të dyja gjuhët. Edhe seksioni Zyra e Kryetarit të Qeverisë është e plotësuar në të dyja gjuhët, me përjashtim që në versionin shqip, dokumentet janë në gjuhën maqedonase.

Seksionet, Zëvendëskryeministrat, Përbërja e Qeverisë dhe Ministritë është e plotësuar në të dyja gjuhët.

Shërbimi për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëtashqip është bosh, ndërsa në maqedonisht i mbushur me të dhëna dhe dokumente.

Komisionet Qeveritare është i plotësuar në të dyja gjuhët, por në maqedonisht ka më shumë të dhëna se në shqip.

Organet në përbërje të plotësuara në të dyja gjuhët, por me mangësi në shqip.

Koordinatorët Nacional është bosh në të dyja gjuhët, ndërsa Sekretariati i përgjithshëm nuk është i plotësuar siç duhet në shqip, për dallim nga maqedonisht.

Rubrika Marrëdhëniet me publikun e plotësuar në të dyja gjuhët.

Në rubrikën “Qeverisje e Hapur”, procesverbalet dhe rendet e ditës në shqip të publikuara për herë të fundit janë më 16.09.2025, ndërsa procesverbali i parë figuron më 8 prill 2025. Nga ana tjetër në maqedonisht janë të përditësuara deri më 17.02.2026 ose deri në seancën e fundit, ndërsa seanca e parë në këtë version të ri të ueb-faqes në gjuhën maqedonase është i datës 07 maj 2024. Bëhet fjalë për një diferencë disa mujore në publikimin e dokumenteve zyrtare, që prekin drejtpërdrejt transparencën institucionale dhe tregojnë mungesë vullneti të zbatimit të shqipes.

Printscreen nga ueb-faqja e Qeverisë, vlada.mk
Printscreen nga ueb-faqja e Qeverisë, vlada.mk
Printscreen nga ueb-faqja e Qeverisë, vlada.mk
Printscreen nga ueb-faqja e Qeverisë, vlada.mk

“Migrimi i të dhënave” si arsyetim i përsëritur

Në pyetjen e Portalb.mk lidhur me arsyet e kësaj mospërputhjeje dhe kërkesën për një afat konkret kohor për harmonizimin e përmbajtjes, nga Qeveria u përgjigjën:

“Lidhur me çështjen e faqes së internetit të Qeverisë, ju informojmë se bëhet fjalë për migrim të të dhënave që është ende në vijim”.

Megjithatë, ky shpjegim mbetet i paqartë dhe i përgjithshëm. Nëse bëhet fjalë për migrim teknik, atëherë lind pyetja logjike: si është e mundur që publikimet e reja vazhdojnë të futen rregullisht në maqedonisht, ndërsa jo edhe në versionin shqip?

Një proces migrimi zakonisht prek të gjithë platformën, jo vetëm një version gjuhësor.

Kjo krijon dyshime se problemi nuk qëndron vetëm te infrastruktura teknike, por te mënyra e organizimit të përmbajtjes dhe prioritetet institucionale. Mungesa e përditësimeve në shqip, dokumentet e papërkthyera dhe përmbajtja e pjesshme tregojnë për një qasje të pabarabartë ndaj informimit publik.

Duke qenë se kjo çështje është ngritur disa herë më parë dhe vazhdon të përsëritet, përgjigjja për “migrim të të dhënave” pa një plan konkret dhe pa afate të qarta kohore perceptohet më shumë si arsyetim formal, e jo si zgjidhje reale e problemit.

Derisa të sigurohet përditësim i barabartë dhe në kohë në të dyja gjuhët, mbetet evidente se transparenca institucionale nuk është e njëjtë për të gjithë qytetarët.

Paraprakisht në një temë tjetër, Portalb.mk konstatoi se nuk ka të dhëna ose arkiv për qeveritë e kaluara, gjendje që vazhdon edhe sot.

Ndryshe, Qeveria aktuale është përballur me kritika, pasi nuk i publikon në kohë procesverbalet sidomos në shqip. Portalb.mk analizoi uebfaqen e Qeverisë gjatë muajit qershor 2025, ku procesverbali i fundit në shqip mbante datën 11 korrik 2024. Seancat e qeverisë, në versionin shqip të uebfaqes ishin madje në maqedonisht, tek-tuk me ndonjë informatë në shqip, por përsëri me mungesë të procesverbaleve.

Përndryshe, në rast të mos zbatimit të Ligjit për Gjuhët parashikohen gjoba materiale për institucionet dhe për individë fizikë. Mirëpo sanksionet të tilla asnjëherë nuk shqiptohen. Pra, ligjet ekzistojnë vetëm në letër.

Neni 22
(1) Gjobë në shumë prej 4.000 deri në 5.000 euro në kundërvlerë me denarë për kundërvajtje do t’u shqiptohet organeve të theksuara në nenin 1 paragrafi (3), nenin 2 paragrafi (3), si dhe të gjitha institucioneve tjera për mosrespektimin e dispozitave të këtij ligji.

(2) Gjobë në shumë prej 30% të gjobës së përcaktuar do t’i shqiptohet personit zyrtar dhe personit përgjegjës në organet nga paragrafi 1 i këtij neni.

Kujtojmë se Qeveria e kaluar e Maqedonisë së Veriut, neglizhente ndaj gjuhës shqipe ishte edhe gjatë pandemisë së Koronavirusit me në krye LSDM-në. Në ueb-faqen zyrtare të Qeverisë të dhënat në gjuhën shqipe në disa raste nuk figuronin aspak e në disa raste nuk ishin të kompletuara ose nuk ishin të plotësuara dhe të përditësuara.

Kujtojmë se edhe pse ishte paralajmëruar për më datë 19 qershor 2025, seanca për vlerësimin e kushtetutshmërisë për Ligjin për Gjuhët, gjegjësisht të gjuhës shqipe, nuk u mbajt. E njëjta u prolongua për kohë të pacaktuar, për shkak të tragjedisë në Koçan si dhe pas shkarkimit të gjykatëses Elizabeta Dukovska. Kryetari i Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Darko Kostadinovski, theksoi se vendimi përfundimtar merret me pesë vota. Sipas tij, çështja pritet të hapet në takimin e parë të punës pas përfundimit të procedurave në Gjykatë.