ANALIZË: Ribalanci i Buxhetit me “aromë” zgjedhjesh të parakohshme në RMV?
Rritje e shpenzimeve, thellim i deficitit buxhetor, më shumë mjete për projekte infrastrukturore, por edhe rritje e konsiderueshme e pagesave për përfitime sociale dhe subvencione. Shpenzimet e Fondit për Sigurime Shëndetësore (FSSh) rriten për 20 milionë euro, ndërsa ato të Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor (FSPI) mbeten në të njëjtin nivel, por me një “rishpërndarje” të brendshme, ku planifikohen më shumë mjete për rroga, mallra dhe shërbime, si dhe subvencione. Ribalanci i Buxhetit për vitin 2026 e nis procedurën parlamentare. Blloku opozitar e vlerëson atë si një buxhet parazgjedhor, ndërsa Qeveria e mbron atë si buxhet zhvillimor, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.
Të hyrat dhe shpenzimet e fondeve shtetërore
Shpenzimet e shtetit për pagesën e përfitimeve sociale, subvencioneve dhe transfereve janë rritur për disa dhjetëra milionë euro. Me ribalancin e Buxhetit, krahasuar me buxhetin aktual, rriten ndjeshëm zërat më të mëdhenj të shpenzimeve, të cilët përfshijnë edhe numrin më të madh të qytetarëve për baza të ndryshme, si kompensimet, pagesat sociale dhe shpenzimet për shëndetësi.
Në Buxhetin e ribalancuar, shuma e përgjithshme për zërin “përfitime sociale” është rritur në 2.598.300.000 euro, që është për pothuajse 33.000.000 euro më shumë krahasuar me nivelin aktual. Zëri i shpenzimeve “subvencione dhe transfere” ka arritur në 532.306.428 euro, që paraqet një rritje prej madje 10,4%, ose për 50.217.000 euro më shumë në krahasim me shpenzimet aktuale. Shumat më të mëdha kanalizohen përmes dy fondeve, Fondit për Sigurim Pensional dhe Invalidor (FSPI) dhe Fondit për Sigurim Shëndetësor (FSSh).
Buxheti i Fondit për Sigurim Pensional dhe Invalidor rritet për 300.000 euro, duke arritur në 2.450.740.000 euro. Në anën e shpenzimeve, janë planifikuar më shumë mjete për rroga dhe kompensime, mallra dhe shërbime, si dhe për subvencione dhe transfere. Nga ana tjetër, me ribalancin e Buxhetit parashihet një ulje prej 230.000 eurosh te zëri “përfitime sociale”, i cili, megjithatë, mbetet zëri më i madh i shpenzimeve. Këtë vit, FSPI-ja, për pagesat e përfitimeve, kryesisht pensioneve, do të shpenzojë pothuajse 2.500.000.000 euro. Shuma e transferit nga Buxheti qendror në llogarinë e FSPI-së mbetet e pandryshuar, në nivelin prej 1.019.773.000 euro.
Shpenzimet e Fondit për Sigurim Shëndetësor (FSSh) kanë arritur në pothuajse 908.000.000 euro, që është plot 20.000.000 euro më shumë krahasuar me shpenzimet e parashikuara në Buxhetin aktual për vitin 2026. Transferi nga Buxheti qendror në llogarinë e FSSh-së rritet në pothuajse 128.000.000 euro, që është për 10.000.000 euro më shumë krahasuar me planifikimet fillestare buxhetore. Në Fondin për Sigurim Shëndetësor (FSSh), rritja më e konsiderueshme e shpenzimeve parashihet te zëri “rroga dhe kompensime”, i cili me ribalancin arrin në 11.400.000 euro. Rritje ka edhe te zëri “mallra dhe shërbime”, i cili arrin në 790.000.000 euro, ku pothuajse e gjithë shuma është e destinuar për “shërbime kontraktuese”. Te zëri “përfitime sociale” është shënuar rritja më e madhe, prej madje 15.640.000 eurosh, duke bërë që shpenzimet vjetore për pagesat nga FSSh-ja të arrijnë në 106.542.207 euro.
Nga arkëtimi i kontributeve për sigurimin shëndetësor, këtë vit planifikohen të hyra në vlerë prej 826.244.000 eurosh, që është për 7.100.000 euro më shumë krahasuar me planin aktual. Ndërkaq, në Fondin për Sigurim Pensional dhe Invalidor (FSPI), të hyrat nga kontributet për sigurim social janë projektuar në 1.396.000.000 euro, ose 27.600.000 euro më shumë krahasuar me planin aktual.
Rritje ekonomike e udhëhequr nga konsumi publik dhe privat
Edhe në Buxhetin e ribalancuar, Qeveria i konfirmon politikat për rritje ekonomike të mbështetur nga konsumi privat, kryesisht si rezultat i rritjes së rrogave dhe pensioneve. Sipas hartuesve të politikave ekonomike, rritja e mëtejshme e rrogave dhe pensioneve do të vazhdojë, për të “amortizuar” ndikimin e presioneve të çmimeve.
“Konsumi privat pritet të shënojë një rritje reale prej 2,3% në vitin 2026, ndërsa ndikimi i presioneve të çmimeve mbi të ardhurat e amvisërive pritet të neutralizohet nga rritja e rrogave, rritja e pensioneve, si dhe nga masat e Qeverisë për zbutjen e efekteve të goditjes së çmimeve. Konsumi publik pritet të shënojë një rritje reale prej 2,5%” – thuhet në dokumentin buxhetor.
Sipas informacioneve nga blloku opozitar, tashmë po përgatitet një paketë amendamentesh për ribalancin e propozuar të Buxhetit për këtë vit, ndërsa një nga vlerësimet e para është se arka e shtetit paralajmëron zgjedhje të parakohshme, kryesisht për shkak të rritjes së konsiderueshme të zërave buxhetorë për përfitime sociale, transfere dhe subvencione.
- LEXO: ANALIZË: Për pesë muaj janë realizuar 38,5% e shpenzimeve kapitale, ritëm “zvarritës” në disa ministri (Infografik)
- LEXO: ANALIZË: Në prag të ribalancit të buxhetit, parashikime të reja fiskale – rritje më e ulët e PBB-së, inflacion më i lartë dhe deficit më i thellë buxhetor
- LEXO: ANALIZË: Shpenzimet kapitale për transportin publik vetëm 8,2%, realizim prej më pak se 50% për çerdhet dhe shkollat