ANALIZË: Shpenzimet kapitale për transportin publik vetëm 8,2%, realizim prej më pak se 50% për çerdhet dhe shkollat
Më pak se 30% realizim i shpenzimeve kapitale për planifikimin urban, vetëm 8,2% realizim i investimeve në transportin publik. Investimet publike në sektorët që duhet ta përmirësojnë cilësinë e jetës, infrastrukturën e ujësjellësve, deponitë, efikasitetin e energjisë, janë realizuar me rreth 50% ose më pak. Në vitin 2025, pavarësisht injektimit financiar nga kredia hungareze, komunat realizuan investime të mëdha kapitale me një “ritëm zvarritës”, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.
Investimet kapitale të komunave
“Investimet kapitale mbeten të kufizuara nga faktorë institucionalë dhe proceduralë” – ky është arsyetimi i përdorur në Raportin e ri Vjetor për vitin 2025 mbi zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit 2024-2044, për të shpjeguar nivelin e ulët dhe të kufizuar të investimeve kapitale nga komunat në vend. Pavarësisht faktit se në vitin 2025 vetëqeverisjeve lokale iu dhanë para nga kredia hungareze, analiza përfundimtare tregon se investimet kryesore kapitale në sektorë të caktuar nuk u realizuan as sa gjysma e planit.
Dështim më të madh prej 91,8% ka në investimet kapitale për transportin publik, konkretisht komunat shpenzuan pothuajse 1.300.000 milionë euro ose vetëm 8,2% të shumës së planifikuar për të gjithë vitin. Edhe pse vitin e kaluar ishin planifikuar pothuajse 20.000.000 euro për investime kapitale në arsimin fillor dhe të mesëm në komuna, në fund të vitit u regjistrua një rënie e konsiderueshme – realizimi i investimeve publike në arsimin e mesëm arriti vetëm në 32,2%, kurse në arsimin fillor 43,9%. Megjithatë, në raport thuhet se në fushën e programeve arsimore ka pasur një realizim të lartë prej gati 100%.
Jo vetëm në investimet publike për shkollat fillore dhe të mesme, një dështim të konsiderueshëm ka edhe në investimet për ndërtimin e çerdheve në nivel lokal, me një realizim prej vetëm 46,2% vitin e kaluar. Nga shuma totale e shpenzuar për të zgjidhur një nga problemet më urgjente, parkimin, gjatë vitit 2025, u shpenzuan vetëm 41,8%.

Sipas qeverisë, treguesit e këtillë justifikohen me procedurat e ndërlikuara të tenderimit dhe kapacitetet e kufizuara të autoriteteve lokale.
“Shkallë zbatimi dukshëm më të ulëta, gjegjësisht nën 50%, janë regjistruar në disa programe kapitale, duke përfshirë edhe shpenzimet kapitale për transportin publik 8,2%, mbrojtjen dhe shpëtimin 1,6% dhe 37,9%, barazinë gjinore 45,0% dhe ndërtimin e hapësirave për parkim 41,.8%. Këto dështime lidhen më shpesh me kompleksitetin e procedurave të furnizimeve publike, kapacitetet e kufizuara administrative dhe teknike të NJVL-ve, si dhe me dinamikën specifike të projekteve kapitale, të cilat përfshijnë faza më të gjata të përgatitjes, miratimit dhe zbatimit” thuhet në raport.
Një nga shumat më të larta, pothuajse 96.000.000 euro, ishte planifikuar për investime në rrugë dhe udhë lokale, por në fund të vitit 2025, realizimi në këtë segment kapital ishte vetëm 68,2%. Gjithashtu, dështime të konsiderueshme të investimeve ka edhe në sektorë të tjerë që nënkuptojnë një cilësi më të mirë jetese për qytetarët. Konkretisht, shpenzimet kapitale për rregullim në zonat rurale kanë një shkallë realizimi prej 51,7%, për kullimin dhe trajtimin e ujërave të zeza shkalla e realizimit është 47,1% kurse për ndërtimin e deponive të mbeturinave 51,3%.
Sipas të dhënave nga raporti, vitin e kaluar u shpenzuan më shumë para se sa ishte planifikuar për programet për transportin publik lokal të udhëtarëve dhe për programet për mirëmbajtjen e parqeve dhe gjelbërimit. Raporti vjetor i vitit 2025 mbi Zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit 2024-2044 është dërguar në Kuvend për miratim.