Analizë: Institucionet e RMV-së vazhdojnë me praktikën e emërimit të u.d. drejtorëve për t’i “rehatuar” kuadrot partiak

Zbrazëtirat ligjore, paqartësitë në legjislacion si dhe kompetencat diskrecionale u hapin rrugë emërimit në poste udhëheqëse personave të pakualifikuar për ato pozita si dhe rrezikojnë integritetin dhe cilësinë e punës së institucioneve publike. Ky ishte konkludimi i analizës “Pasqyrë e kornizës ligjore dhe praktikës në emërimin e drejtorëve dhe menaxherëve: sfidat dhe zgjidhjet e mundshme” nga autori Misha Popoviq, raporton Portalb.mk.

Sipas analizës e cila përfshinë 20 institucione të sektorit publik, drejtorët emërohen me konkurse të cilat nuk janë publike me qëllim që të mos ketë shumë aplikime të kandidatëve, gjegjësisht të shmanget konkurrenca.

“Praktika tregon se përdorimi i ushtruesve të detyrës ende është i ndjeshëm dhe madje vërehet se te disa institucione, vazhdimisht emërohen ushtrues detyre, kurse nuk bëhet shpallja, me anë të të cilës u jepet mundësia të marrin pjesë më shumë kandidatë. Kjo në fakt është indikatori kryesor se dekurajohet konkurrenca me këtë praktikë dhe në fakt kur ka shpallje paraqitet vetëm një kandidat”, tha Popoviq.

Ai gjithashtu shtoi se qëllimi kryesor i kësaj analize është që të mundësohet që institucionet të krijojnë kushte më të mira për qytetarët dhe drejtorët e institucioneve të emërohen në bazë të kompetencave meritore dhe të rritet besimi i qytetarëve në procesin e emërimit.

Sllavica Grkovska, zëvendëskryeministrja për politika të qeverisjes së mirë tha se duhet të krijohen kushte dhe atmosferë për personat kompetent, që ata të mund të avancohen në karrierën e tyre dhe të punojnë së bashku me institucionet e shtetit.

“Resurset njerëzore, veçanërisht ata persona që janë edhe kompetent, profesional dhe me virtytet e integritetit dhe përgjegjësisë, nuk janë të pakufizuar në numër. Përkundrazi, mu për atë duhet të krijojmë kushte dhe atmosferë në të cilën ata nuk do të privohen nga mundësia të avancojnë dhe të udhëheqin me institucionet, e jo t’i braktisin ose t’i vlerësojnë si joatraktive për punë nga aspekti i zhvillimit të tyre profesional dhe të karrierës. Për atë, është e rëndësishme që të vendoset sistem i fuqishëm i bazuar në merita. Në këtë mënyrë, sektori publik do të mundet t’i tërheqë, por edhe t’i mbajë liderët kompetentë, të cilët me udhëheqjen e tyre, do të kontribuojnë për punë efektive dhe efikase të institucionit, ndërmarrjes ose çfarëdo organizate tjetër”, tha Grkovska, duke shtuar se qëllimi kryesor i emërimit në strukturat udhëheqëse të sektorit publik duhet që të mundësojë përmirësim të shërbimeve për qytetarët.

Misha Popoviç gjithashtu theksoi se nga ky vit Komisioni për Burime Njerëzore dhe Zhvillim të Qëndrueshëm është bërë përgjegjës dhe për herë të parë ka filluar të praktikohen shpalljet publike dhe intervistat për anëtarët e bordeve drejtuese të ndërmarrjeve publike.

Maqedonia e Veriut vazhdimisht ka marrë vërejtje për emërimet partiake, duke shmangur meritokracinë. Së shpejti pritet që të miratohet propozim-Ligji për Shërbim të Lartë udhëheqës, i cili premtohet prej vitit 2018-të nga katër ministra me radhë duke filluar nga Damjan Mançevski, pastaj Jeton Shaqiri dhe Admirim Aliti dhe në fund nga Azir Aliu. Ligji në parim, ka për qëllim ndryshim rrënjësor në procedurën e zgjedhjes dhe emërimit të funksionarëve të lartë, për të shmangur ndikimet politiko-partiake dhe duke i dhënë prioritet meritokracisë. Ligji zvarritet me vite dhe nuk miratohej, për shkak se partitë politike nuk kanë pranuar të mbështesin një ligj i cili do “t’ua lidhte duart” në zgjedhjen dhe emërimin e funksionarëve të lartë. MSHIA, ka përgatitur version të ri, i cili është “krasitur” dhe është bërë i pranueshëm, por ky version cilësohet se është skandaloz, pasi që me këtë do të legalizohet ndikimi partiako-politik.

Raportin e ndjekjes së strukturave drejtuese në institucionet e sektorit publik të Qendrës për menaxhimin me ndryshimet (QMN) është theksuar se me 40 përqind të institucioneve, në vend udhëheqin drejtorët ushtrues detyrës. Në këtë raport, mes të tjerash, thuhet se gjatë emërimit të u.d. drejtor kandidatët jo domosdoshmërisht duhet të plotësojnë minimumin e kushteve ligjore të cilat gjithsesi janë shumë të përgjithshme.

“Ushtruesit e detyrës janë një zgjidhje kalimtare deri në zgjidhjen, gjegjësisht emërimin e drejtorëve dhe atë më së shumti deri në 6 muaj. Nga numri i përgjithshëm i 274 drejtorëve dhe zëvendësve të tyre, 105 janë emëruar si ushtrues detyre, që do të thotë se ka shumë gjasa që edhe ato minimum kushte të përcaktuara me ligj, e që përfshijnë shtetësinë, arsimin e lartë, përvojën e punës, vërtetimin për mosndaliminn e kryerjes së detyrës dhe certifikatën ndërkombëtare për njohjen e gjuhës së huaj, të jenë anashkaluar”, thuhet në analizë.

Në raportet e tij për progresin e Maqedonisë së Veriut, Komisioni Evropian rregullisht thekson se ndryshimi i shpeshtë i drejtorëve apo pozitave të larta në institucione nuk është praktikë e mirë, pasi mund të shkaktojë vonesa serioze në proceset reformuese.