ANALIZË: Çfarë uji pimë dhe si e “ruajmë”, më shumë se 24% e banesave pa kanalizim, në shekullin XXI ende përdoren gropa septike
Nga viti 2013 deri në vitin 2022, në nivel shtetëror, më shumë se 91% e analizave të mostrave kanë treguar se uji i pijshëm ishte i sigurt për konsum. Nga ana tjetër, të dhënat për faktin se një përqindje e madhe e banesave ende nuk janë të lidhura me rrjetin publik të kanalizimit janë alarmante. Ndërkaq, një pjesë e madhe e atyre që kanë kanalizim nuk janë të lidhura me sistem kolektor për trajtimin e ujërave të zeza, çka përbën një tjetër gjetje shqetësuese për gjendjen e cilësisë dhe trajtimit të ujit. Në vitin 2025, madje 72,6% e ujërave të zeza nuk ishin trajtuar, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.
Në shekullin XXI, një pjesë e qytetarëve ende pinë ujë që nuk është kontrolluar fare
Nga viti 2013 deri në vitin 2022, më shumë se 90% e analizave të ujit të pijshëm në nivel shtetëror kanë treguar se uji i pijshëm ishte i sigurt për konsum, përkatësisht se gjendja sanitare-higjienike ishte brenda kufijve të pritshëm – thuhet në “Statistikat e mjedisit jetësor për vitin 2025”, që e publikon Enti Shtetëror i Statistikës.
Ndërsa banorët e Gostivarit përjetuan ditët “më të nxehta” të verës pa ujë të pijshëm nga ujësjellësi i qytetit dhe partitë fajësuan njëra-tjetrën për gjendjen në Gostivar, por edhe në vendbanime të tjera në vend që kanë mbetur pa ujë, Portalb.mk i shqyrtoi statistikat e deritanishme të institucioneve kompetente lidhur me pyetjen: “Çfarë uji pinë qytetarët?”
Raporti statistikor për vitin 2025 i Entit Shtetëror të Statistikës (ESHS), i cili publikohet një herë në dy vjet, zbulon se gjatë një periudhe dhjetëvjeçare, më shumë se 90% e mostrave të marra kanë treguar se uji i pijshëm në nivel shtetëror ishte i përshtatshëm për përdorim dhe konsum.
“Përqindja e mostrave të papërshtatshme, sipas analizave fiziko-kimike, varion nga 2,6% deri në 5,5%, ndërsa përqindja e mostrave të papërshtatshme, sipas analizave mikrobiologjike, varion nga 0,9% deri në 3,0%”, thuhet në analizën statistikore.
Edhe pse më shumë se 90% e amvisërive përdorin ujë të pijshëm nga ujësjellësi publik, megjithatë, në dokument theksohet se në shekullin XXI ende përdoret ujë që nuk është kontrolluar.
“Edhe pse e dhëna se 91,4% e numrit të përgjithshëm të amvisërive individuale furnizohen me ujë të pijshëm nga ujësjellësi publik përbën një tregues statistikisht të lartë, fakti që në fillim të shekullit XXI, në zemër të Evropës, një pjesë e amvisërive ende pinë ujë që nuk është kontrolluar as biologjikisht dhe as kimikisht, përbën një tregues që duhet të jetë shqetësues”, thuhet në raportin statistikor, ku theksohet se fakti që qytetarët jetojnë në zona rurale nuk mund të shërbejë si justifikim për një gjendje të tillë.
“Fakti që shumica e amvisërive që nuk furnizohen me ujë të pijshëm nga ujësjellësi publik janë të përqendruara kryesisht në vendbanime rurale me dendësi të ulët të popullsisë, nuk mund të jetë justifikim për kujdesin e pamjaftueshëm të shtetit për të siguruar ujë cilësor të pijshëm në çdo banesë, në çdo amvisëri”, publikoi ESHS-ja.

Nga ana tjetër, madje 7,3% e numrit të përgjithshëm të banesave nuk janë të pajisura me kanalizim për ujërat e zeza, 13% e amvisërive ende përdorin gropa septike, ndërsa në 4,3% të rasteve ujërat e zeza derdhen si “shkarkim i lirë”.
“Nëse kësaj i shtohet edhe fakti se pjesa më e madhe e rrjetit të ndërtuar të kanalizimit nuk është e lidhur me sisteme moderne kolektorësh, gjendja duhet të na shqetësojë seriozisht, veçanërisht institucionet kompetente dhe njësitë e vetëqeverisjes lokale”, thuhet në analizë.
Të dhënat më të fundit për vitin 2025 tregojnë se, nga sasia e përgjithshme e ujërave të zeza të shkarkuara, madje 72,6% nuk janë trajtuar, ndërsa 27,4% janë trajtuar. Në “Planin Strategjik 2026–2028” të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH) theksohet se do të realizohen projekte për ndërtimin e rrjeteve të kanalizimit, kanaleve të kullimit, sistemeve kolektore dhe kanalizimeve atmosferike.
Ndër të tjera, janë paralajmëruar ndërtimi i sistemit të furnizimit me ujë në Tearcë dhe i rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit në disa zona rurale përreth Dellçevës, Tetovës, Demir Hisarit dhe Negotinës. Sipas të dhënave të disponueshme nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, “Strategjia Kombëtare për Mbrojtjen e Mjedisit Jetësor” e fundit e publikuar është ajo e vitit 2018, e cila i referohet periudhës deri në vitin 2027.