Koreja e Jugut nuk e ndihmoi në luftën me Iranin, Trump urdhëroi reduktimin e stërvitjeve ushtarake
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, urdhëroi të dielën Pentagonin të reduktojë ndjeshëm stërvitjet e përbashkëta ushtarake vjetore me Korenë e Jugut, duke thënë se aleati nuk pranoi të ndihmonte në luftën kundër Iranit dhe duke përmendur marrëdhënien e tij të mirë me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, shkruan Euronews, transmeton Portalb.mk.
Trump tha në një postim në rrjetet sociale se stërvitjet, të cilat nisën të hënën, jo vetëm që janë të kushtueshme, por gjithashtu “dërgojnë një sinjal që është krejtësisht i papërshtatshëm dhe armiqësor” ndaj Koresë së Veriut, për të cilën ai tha se “ka qenë jo kërcënuese dhe respektuese” gjatë kohës së tij në Shtëpinë e Bardhë.
“Prandaj, dhe duke qenë se është tepër vonë për t’i anuluar, kam udhëzuar Sekretarin e Luftës, Pete Hegseth, që t’i reduktojë ndjeshëm stërvitjet e përbashkëta ushtarake!”, shkroi Trump.
Presidenti republikan shtoi se së fundmi e kishte pyetur presidentin e Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, nëse vendi i tij do t’i bashkohej SHBA-së në “çarmatimin bërthamor” të Iranit, dhe ata i ishin përgjigjur: “Jo, faleminderit!”
Ky vendim është shembulli më i fundit i mënyrës se si Trump duket se po largohet nga një aleat në favor të një lideri që administratat e mëparshme e kanë konsideruar kundërshtar.
Trump dhe zyrtarë të tjerë të administratës së tij kanë kritikuar gjithashtu aleatët e NATO-s për mungesën e mbështetjes së perceptuar për luftën e tij kundër Iranit, ndërsa përpiqen të përballen me një Rusi gjithnjë e më agresive në rajonin e Baltikut.