ALARM: EROZIONI DEMOGRAFIK

“A njeh dikush ndonjë avokat që do të më ndihmonte me një çmim racional për një kontest? Bëhet fjalë për një rast divorci.” – lexuam një shënim të tillë para disa ditësh në rrjetet sociale. Në rrethinën tonë, kudo që të sillesh, dëgjon për martesa jostabile dhe ndarje për arsye banale, madje edhe për hiçgjë. Gjen familjarë, miq e të afërm të pamartuar, që i afrohen të dyzetave, por që nuk guxon t’i pyesësh se çfarë mendojnë dhe pse kanë zgjedhur ta shtyjnë apo t’i shmangen tërësisht martesës dhe krijimit të familjes.

Nga ana tjetër, shumica absolute e çifteve të martuara zgjedhin të kenë një, e maksimalisht dy fëmijë. Në rastin më të mirë, me dy fëmijë kemi një gjendje afërsisht statike; me një fëmijë, kemi rënie të numrit të banorëve dhe tkurrje demografike. Pra, jemi përballë një teposhtëze demografike.

Është evidente se familja po përjeton turbulenca serioze dhe se moderniteti e ka prekur fuqishëm atë përmes mekanizmave të afirmimit të individualizmit, liberalizmit, hedonizmit, pragmatizmit etj. Këto ndryshime nuk mund të shpjegojnë të vetme krizën demografike, por padyshim janë pjesë e transformimeve të thella që kanë prekur martesën, familjen dhe mënyrën e organizimit të jetës.

Javën e kaluar, ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, kumtoi para medieve një fakt shqetësues për çdo njeri që mendon për të ardhmen e vet dhe të shoqërisë: në vitin shkollor 2026/2027 pritet të ketë 3 000 deri në 4 900 nxënës të klasës së parë më pak krahasuar me vitin e kaluar. Kjo është një shenjë e qartë e erozionit demografik, term që në sociologji dhe demografi përdoret për të përshkruar tkurrjen graduale të popullsisë, e lidhur veçanërisht me rënien e lindshmërisë, emigrimin dhe plakjen e popullsisë.

Kjo rënie, apo më saktë kjo krizë demografike, duhet të shihet nga një perspektivë multikauzale. Së pari, hulumtimet sociologjike tregojnë se familja, në një kuptim global, ndodhet përballë transformimeve të thella. Moderniteti e ka prekur fuqishëm atë përmes individualizmit, liberalizmit, hedonizmit dhe pragmatizmit, duke ndryshuar mënyrën se si njerëzit e perceptojnë martesën, përgjegjësinë familjare dhe prindërimin.

Familjet me shumë fëmijë po shndërrohen gjithnjë e më shumë në një “kategori muzeale”, në një relikt të një të kaluare që po largohet. Ndërkohë, gjithnjë e më shumë afirmohen forma të marrëdhënieve jashtëmartesore dhe bashkëjetesës, të cilat, në shumë raste, nuk përfundojnë me vendimin për të pasur fëmijë. Rritja e standardeve dhe e pritshmërive për një jetë cilësore po ndikon te të gjithë ne. Për këtë arsye, vendimi për të pasur një fëmijë, e sidomos disa fëmijë, shoqërohet me shumë pikëpyetje dhe pasiguri, sepse prindërit ndihen të detyruar t’u sigurojnë atyre gjithnjë e më shumë në një “kontekst krizash”.

Edhe stili i jetesës beqare (single lifestyle) është bërë gjithnjë e më i përhapur. Ky model jetese, sidomos kur zgjat për një periudhë të gjatë, lidhet me shtyrjen e martesës dhe të prindërimit dhe, rrjedhimisht, me uljen e potencialit riprodhues të shoqërisë. Shtyrja e lindjes së fëmijëve, sidomos në mosha më të avancuara, shpesh mund të përfundojë edhe me mosrealizimin e dëshirës për të pasur fëmijë.

Megjithatë, përgjegjësia nuk mund t’u atribuohet vetëm individëve apo ndryshimit të vlerave familjare. Shteti ka përgjegjësi të krijojë kushtet që familjet të ndihen të sigurta për të pasur dhe për të rritur fëmijë: politika më të mira sociale, mbështetje financiare për prindërit, vende pune të qëndrueshme, çerdhe të mjaftueshme dhe shërbime publike cilësore. Nuk mund të kërkohet rritje e natalitetit në një shoqëri ku pasiguria ekonomike, papunësia, strehimi i shtrenjtë dhe mungesa e perspektivës i bëjnë të rinjtë të hezitojnë për të krijuar familje.

Emigrimi është një tjetër faktor kyç i rënies demografike, sepse largohet pikërisht një pjesë e rëndësishme e popullsisë aktive: të rinjtë dhe familjet në fazën e formimit. Përveç zvogëlimit të numrit të banorëve, emigrimi ul edhe numrin e lindjeve, përshpejton plakjen e popullsisë dhe krijon një circulus vitiosus (rreth vicioz), ku mungesa e perspektivës nxit valë të reja emigrimi. Prandaj, kriza demografike nuk është vetëm çështje e natalitetit, por edhe e zhvillimit ekonomik, sigurisë sociale, politikave publike dhe besimit të qytetarëve në të ardhmen e vendit.

Përballë kësaj situate, nevojitet një mobilizim kolektiv për t’i bindur brezat e rinj se fëmijët nuk janë domosdoshmërisht sinonim i krizës, varfërisë apo pengesë për realizimin personal. Krijimi i familjes dhe zhvillimi profesional nuk duhet të paraqiten si dy rrugë të papajtueshme. Përkundrazi, shoqëria duhet të krijojë kushtet që individi të mund t’i realizojë të dyja. Nënëria ose amësia duhet të afirmohet si vlerë e përhershme, që s’i del boja asnjëherë, institucion nga i cili varet ardhmëria jonë dhe e njerëzimit.

Në media dhe në rrjetet sociale duhet të afirmohen më shumë modele të jetës familjare të qëndrueshme, njerëz që kanë krijuar familje të shëndosha dhe kanë arritur të ndërtojnë njëkohësisht karrierë dhe jetë personale të balancuar. Kjo nuk nënkupton stigmatizimin e atyre që zgjedhin të mos martohen apo të mos kenë fëmijë, por krijimin e një kulture ku familja dhe prindërimi të mos paraqiten si pengesa për lirinë, suksesin dhe vetërealizimin. Serialet turke (dhe të tjera) që kanë pushtuar ekranet tona televizive janë bërë, në njëfarë mënyre, “family value killers” të vërtetë. Tradhtitë, trekëndëshat dashurore dhe ngatërresat sentimentale janë kryetemë, aq të shpeshta sa duket sikur nuk u gjendet fundi. Në vend që familja, besnikëria dhe përgjegjësia të paraqiten si vlera, ato shpesh zbehen përballë një bote ku tradhtia, manipulimi dhe marrëdhëniet e ndërlikuara romantike normalizohen dhe shndërrohen në spektakël. Dikur thuhej Ex oriente lux – “Nga Lindja vjen drita”, sot është e kundërta: Ex oriente tenebrae – “Nga Lindja (lexo: industria filmike turke) vjen errësira!”

Nëse vazhdojmë ta trajtojmë rënien e lindshmërisë vetëm si një statistikë, do ta humbasim thelbin e problemit. Demografia është pasqyrë e gjendjes së një shoqërie. Pas shifrave të lindjeve, martesave, divorceve dhe emigrimit fshihen pritshmëritë, frikërat, pasiguritë dhe shpresat e njerëzve. Prandaj, alarmi demografik nuk duhet të jetë vetëm alarm për numrin e banorëve, por edhe një thirrje për të menduar se çfarë lloj shoqërie po ndërtojmë dhe çfarë të ardhmeje po u ofrojmë brezave që vijnë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.